“Beteja e jetës” për Shqipërinë! Silvinjo flet para duelit vendimtar me Poloninë
Kombëtarja shqiptare do të përballet me Poloninë më 26 mars, në orën 20:45, në stadiumin “PGE Narodowy”, në një nga sfidat më të rëndësishme të historisë së saj, e vlefshme për fazën play-off të Botërorit 2026.
Pas shpalljes së listës me 26 lojtarët e grumbulluar, trajneri Silvinjo zhvilloi sot një konferencë për mediet në “Shtëpinë e Futbollit”, ku shpjegoi zgjedhjet e tij për këtë grumbullim.
Trajneri Silvinjo iu përgjigj të gjitha pyetjeve të gazetarëve që nga risitë te mungesat, rikthimet e Ernest Muçit dhe Anis Mehmetit, si dhe pritshmëritë për përballjen e parë ndaj Polonisë,
“Si trajner nuk më pëlqen të qaj dhe të ankohem. Rei Manaj është një futbollist emblematik për ekipin, vendin, federatën, ka bërë shumë mirë me ne. Por ne duhet të përshtatemi me situatën, të qajmë nuk vlen, sepse kemi të tjerë, ky është avantazhi i federatës, se dera është e hapur dhe ka lojtarë të tjerë që vijnë. Manaj kishte një dëmtim të rëndësishëm, për fat të keq edhe Daku nuk ka asnjë minutë në 2026. Atëherë përshtatesh. Duhet të mendosh, rimendosh e bësh gjëra”, tha ai.
Sa i përket Pllanës e Pilos, Silvinjo bëri me dije se prej kohësh jemi pas tyre duke i analizuar. “Duke qenë se është një ndeshje e rëndësishme kemi hapësirën të shohim cilësitë e tyre. për këtë arsye kemi grumbulluar 26 lojtarë në mënyrë që të kemi mundësi të bëjmë vlerësime se cilët lojtarë janë më të përshtatshëm”.
Për rikthimin e Muçit dhe Mehmetit, trajnieri i Kombëtres shqiptare tha se “të dy janë lojtarë që e gjejnë portën, të cilët shënojnë dhe në rastet kur nuk ke sulmues pykë që shënojnë, duhet të gjesh lojtarë që të shënojnë. Lojtari që ka shënuar më shumë gola në këto tre vite është Bajrami me 7 gola, Asani me 6 dhe Asllani me 4 gola. Pra jo domosdoshmërisht duhet një lojtar si Manaj por ka opsione të tjera Mehmeti, Uzuni, Muçi, Mehmeti. Dhe janë lojtarë që mund të bëjnë mirë”.
“Ne jemi të bindur për lojtarët që kemi përzgjedhur me të cilët ne mund të shkojmë përpara. Janë lojtarë që ne kemi besim dhe mund të përshtatemi dhe mund të bëjmë mirë. Ne kemi një dëshirë të madhe të luajmë dhe e përsëris që është një kënaqësi e madhe të përfaqësosh Shqipërinë në play-off për të shkuar në Botëror”, u shpreh Silvinjo.