Lidhje


Deklarata diskriminuese nga BE: Shqiptarët, një shoqëri që e pranon korrupsionin!

 

Nuk është më një dyshim i nënkuptuar, por një damkë e artikuluar hapur: në sytë e Brukselit, shqiptarët janë një shoqëri që e ka normalizuar korrupsionin dhe që nëse duan të bëhen pjesë e Bashkimit Europian u duhet një “riedukim” në mentalitet.

 

Kjo tezë vinte më pak e hidhur nga brenda, kur artikulohej dikur nga At Zef Pllumi si një njeri i dalë nga ferri i diktaturës dhe që pasi kishte parë anën më të keqe të kësaj shoqërie sugjeronte një ilaç të fortë: “I duhet ndërruar truni këtij populli dhe mendimi im është që pa iu ndërrru truni këtij populli… dhe truni ndërrohet nëpër shkolla dhe pa u formu një çetë intelektualësh me pikëpamje perëndimore nuk kemi kurrsesi me hy në Euroipë” shprehej atëherë kleriku, dëshmitar i vyer i të keqes së komunizmit, me një akuzë të brendshme, të rëndë, por të artikuluar si reflektim mbi një shoqëri të traumatizuar nga diktatura.

 

Sot, 35 vite më vonë, e njëjta ide rikthehet e paketuar në anglisht nga një zyrtare europiane, e servirur si ofendim diskriminues, por edhe si diagnozë për një shoqëri të sëmurë që nuk mund të bëhet pjesë e shoqërive perëndimore nëse nuk pranon më parë të shërohet nga korrupsioni.

 

Sa diskriminuese është, aq edhe e hidhur Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos e ka thënë këtë në një intervistë për Politico kur flet për individë të korruptuar në Shqipëri, që vërtet janë luftuar nga SPAK, por që pranohen nga vetë shoqëria.

 

“Ti mund të kesh legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin,-ka thënë Marta Kos në Politico duke vazhduar,- por nëse korrupsioni është i pranuar në vend, atëhere ke një problem tjetër. Kështu që të gjitha ato vende janë duke kaluar përmes këtij procesi të ndryshimit të mendësisë ndaj korrupsionit dhe kjo do pak kohë”.

 

Me këto fjali që mund të jenë folur nën zë në kancelaritë europiane dhe që mund të jetë ngritur edhe shpesh si tezë, problemi “Shqipëria” zhvendoset nga mazhorancat politike, tek populli.

 

A jemi ne një popull që korrupsionin e kemi pjesë të kulturës tonë? A e kemi më të lehtë të bëjmë pazar me një zyrtar të korruptuar apo të përballemi me një institucion të drejtë që vendos pa u ndikuar nga paraja dhe përfitimet e padrejta? Dhe më tej: A na sheh BE si një shoqëri që po përpiqet të rritet, apo si një turmë primitive që nuk ka për t’u civilizuar kurrë?

 

Ajo që zyrtarja sllovene Marta Kos e ka thënë në mënyrë jo dhe aq diplomatike, në fund të fundit është e njëjta temë që shpesh diskutohet nën zë: një shoqëri që nuk ka shpërthyer në revolta qytetare kundër të korruptuarve, mos ndoshta është dorëzuar dhe ka pranuar të bashkëjetojë me krimin e korrupsionit?

 

Rasti i Belinda Balluku është ilustrimi më i pastër i këtij paradoksi. Një zv.kryeministre që refuzoi të dorëhiqej megjithëse e përfshirë në afera të rënda korrupsioni. Por që njëkohësisht vijon të prodhojë vota dhe të marrë përqafime publike.

 

Në zgjedhjet e majit, Belinda Balluku siguroi një rezultat rekord me 12 mandate për Partinë Socialiste në Fier. Pas shpalljes si e pandehur, nuk pati ndonjë izolim social për mesazhet e turpshme që iu zbuluan me abuzimet me fondet publike. Në vend të kësaj, ende sot e gjen në përpjekje për t’u ekspozuar publikisht me mbështetës që e duartrokasin, siç tregojnë fotot më poshtë të bëra ditët e fundit.

 

Dikush në qeveri mund të ketë fërkuar duart për këtë deklaratë diskriminuese të Marta Kos, që në njëfarë mënyre e normalizon korrupsionin në nivelet e larta qeverisës. Reagimi i vetëm erdhi nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

 

“I pabesueshëm qëndrimi i Komisioneres së Zgjerimit znj. Marta Kos, që është shpërndarë në median shqiptare në vijim të një interviste të saj në Politico, që bën bashkëpërgjegjës për korrupsionin e Edi Ramës shoqërinë shqiptare. Jo e nderuar znj. Komisionere; Shoqëria shqiptare nuk e pranon korrupsionin, shqiptarët nuk janë të korruptuar. Përgjegjësia për korrupsionin dhe pranimin e mbrojtjen e tij është vetëm personale e Edi Ramës. Korrupsionin e Belinda Ballukut nuk e kanë pranuar shqiptarët, por e ka mbrojtur Edi Rama me deputetët – kartona në Kuvendin e Shqipërisë.

 

SPAK nuk po e pengon shoqëria shqiptare të luftojë korrupsionin, por po e pengon Edi Rama që po ndërhynë në hetimet e një çështje konkrete. Ju nuk keni asnjë të drejtë të fyeni shoqërinë shqiptare, që është populli më proeuropian në botë. Ne e përbuzim përgjithësimin dhe vlerësimin tuaj për shoqërinë shqiptare, dhe kërkojmë me këmbëngulje distancimin e institucioneve europiane mbi përgjithësime të tilla të papërshtashme për shqiptarët” u shpreh Bardhi.

 

Kjo nuk është hera e parë që opozita përplaset me ndërkombëtarët, pa e vënë asnjëherë në diskutim se mos ndoshta  brenda kësaj deklarate të Marta Kos mund të ketë diçka të vërtetë. Dilemat po artikulohen hapur në Bruksel, në një kohë kur vetë Bashkimi Europian është në krizë për zgjerimin.

 

Kos ka thënë se vendet anëtare nuk janë gati për të pritur hyrje të reja në BE dhe ky është momenti kur ka kaluar në gjykime kulturore për një shoqëri si Shqipëria që e pranon korrupsionin në gjirin e saj. Një gjykim që, për herë të parë thuhet hapur. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye tingëllon më shumë si një verdikt refuzues, sesa si një deklaratë rastësore.

XS
SM
MD
LG