'Në Klos vdiqën 5 anëtarët e një familje, në Prekal vdiqën 28 dhe 36 të plagosur, në Fushë-Bulqizë’! Raportet sekrete të Sigurimit, me aksidentet tragjike në vitet ’70 - ‘80
Aksidentet tragjike, si dhe goditjet e njëpasnjëshme rrugore në këto tre muaj të parë të vitit në rrethe si Malësia e Madhe, Shkodra, Puka, Lezha, Tirana, Librazhdi, Elbasani, Lushnja e deri në Tepelenë, duket se janë kthyer në një “refren” apo një “rutinë” të frikshme.
Aksidentet tragjike të ndodhura mbrëmjen e së dielës, më 22 mars 2026, në harkun e pak orëve – i pari në afërsi të Drashovicës përgjatë aksit Kotë-Vlorë me tre viktima dhe i dyti në Divjakë - si dhe goditjet e njëpasnjëshme rrugore në këto tre muaj të parë të vitit në rrethe si Malësia e Madhe, Shkodra, Puka, Lezha, Mirdita, Tirana, Librazhdi, Elbasani, Lushnja e deri në Tepelenë, duket se janë kthyer në një “refren” apo një “rutinë” të frikshme që po merr jetë njerëzish me përmasat e një bilanci lufte. Viti 2026 nisi me këtë shije të hidhur që në ditën e tij të dytë. Mëngjesin e së premtes, 2 janar, një përplasje e fortë mes dy mjeteve në aksin Lezhë–Shkodër, në afërsi të fshatit Gocaj, u mori jetën bashkëshortëve Elona dhe Petrit Florini, 45 dhe 53 vjeç, me profesion mësuese dhe punonjës policie.
Ndërsa me këtë “listë të zezë” të aksidenteve ne njihemi çdo ditë përmes raportimeve në kohë reale të mediave, duhet theksuar se ngjarje të tilla, shpesh me përmasa po aq tragjike, kanë shoqëruar vendin edhe para viteve ’90-të. Gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, qindra persona humbën jetën në rrugët e Shqipërisë, por siç dihet, ato ngjarje nuk bëheshin kurrë publike. Përkundrazi, konsideroheshin “Sekret Shtetëror” dhe mbi to mbretëronte heshtja absolute.
Nisur nga kjo analogji tronditëse, në këtë shkrim po publikojmë disa prej aksidenteve automobilistike të ndodhura në rrethe të ndryshme të vendit gjatë viteve ’70-’80-të, ku mbetën të vdekur me dhjetëra persona. Përmes këtyre dokumenteve arkivore, do njihemi me emrat e dhjetëra shqiptarëve që humbën jetën në kthesat e Gomsiqes në Pukë, Krrabë të Elbasanit, Potom të Skraparit, Batër të Dibrës, Shpal të Mirditës, Kudhës të Himarës, apo greminat e Leshnicës në rrethin e Sarandës etj., duke plotësuar një kapitull të dhimbshëm dhe pak të njohur të jetës së përditshme në Shqipërinë e gjysmëshekullit të kaluar.
Për këto tragjedi të dikurshme, na njohin dokumentet arkivore sekrete të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme (tashmë të de klasifikuara), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 8 GUSHT 1980, KU NJOFTOHET PËR AKSIDENTIN E RËNDË AUTOMOBILISTIK NË RRUGËN ZERQN – TËRNOVË, KU HUMBËN JETËN 2 PERSONA DHE U PLAGOSËN EDHE 3 TË TJERË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 2.8.1980
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 182
PESHKOPIA
Më 1.8.1980, në rrugën Zerqan - Tërnovë, në vendin e quajtur Rrushi i Vogël, u rrëzua rreth 130 metra në një përrua, “Skoda” me targa KR 81-17 e parkut të Laçit, që drejtohej nga shoferi Islam Kadri Vuthi, vjeç 59, banues në Mamurras - Krujë, e cila ishte e ngarkuar me elementë për punime mbrojtëse. Nga ky aksident mbetën të vdekur Qemal Seit Kola, vjeç 27, banues në Çerenec, shofer vinçier në repartin 21-66, Bulqizë, dhe Edmond Idajet Ceka, vjeç 14, banues në Laç, nxënës, i cili shkonte për pushime tek të afërmit në fshatin Zerqan. Gjithashtu u plagosën Qemal Bardhi, vjeç 22, drejtor i shkollës Tërnovë, Hazbi Selim Kacani, vjeç 34, teknik montimesh në repartin e sipërm, Hilmi Jashar Kamberi, vjeç 24, oficer në atë repart, lindur dhe banues në fshatin Zerqan; ushtar Bashkim Nuredin Keta, nga fshati Sopot, efektiv i atij reparti dhe shoferi. Paraprakisht rezulton se shoferi ka pirë dy gota fërnet. Makina është dëmtuar rëndë. Çështja hetohet.
KRYETARI
PILO SHANTO
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 17 MAJ 1982, KU NJOFTOHET PËR AKSIDENTIN E RËNDË AUTOMOBILISTIK NË RRUGËN PATOS- KASHICË, KU HUMBËN JETËN 9 VETA, DHE U PLAGOSËN 5 PERSONA TË TJERË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 17.5.1982
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 114
FIERI
Më 16.5.1982, rreth orës 16.00, automjeti “Skoda” me targa EL 94 - 54, i ndërmarrjes Rruga-Ura që drejtohej nga shoferi Kadri Haruan Hasani, vjeç 29, banues në fshatin Drenovë, në rrugën Patos – Kashicë, u rrëzua. Nga kjo mbetën të vdekur; Avni Hajdar Ahmetaj, vjeç 35, nga fshati Gadurovë, Selman Bajram Avdia, vjeç 53, banues në fshatin Romës, Veledin Abaz Selimaj, vjeç 44, banues në fshatin Osmanzezë - Berat, Fatbardha Selimaj, vjeç 20, banues në fshatin Osmanzezë - Berat, Sali Kamber Gërbi, vjeç 47, banues në fshatin Qesarat Tepelenë, Xhevdet Nevruz Shahaj, vjeç 36, banues në fshatin Gracan, Qemal Zeneli, vjeç 27, banues në Patos, Vllasi Sota, vjeç 30, banues në Fier, inxhinier, në ndërmarrjen e Shfrytëzimit të Naftës, dhe Falmur Halil Hajdari vjeç 35, banues në fshatin Greshicë, u plagosën rëndë, Drita Sako Nelaj, vjeç 19, banuese në fshatin Kalivaç Tepelenë, Kujtim Rrapo Lanaj, vjeç 24, banues në fshatin Ninësh, Enver Mehmet Avdia, vjeç 32, banues në fshatin Selishtë, Xhemal Shahin Goxhaj, vjeç 46, banues në fshatin Kutë dhe Hair Tefik Hazeraj, vjeç 30, banues në fshatin Aranitas, të cilët u shtruan në spital, shoferi u ndalua, çështja po hetohet.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
PILO SHANTO
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 12 GUSHT 1982, KU NJOFTOHET PËR AKSIDENTIN E RËNDË AUTOMOBILISTIK NË RRUGËN KIR-PREKAL-SHKODËR, KU HUMBËN JETËN 28 VETA, DHE U PLAGOSËN 36 PERSONA TË TJERË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 12.8.1982
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 191
SHKODRA
Më datën 10.8.1985, shoferi Kol Engjëll Çurshoi, vjeç 51, banues në Shkodër, me automjetin “Skoda” me targa SH 29–73, gjatë rrugës Kir-Prekal-Shkodër, midis Kirit dhe Prekalit, ka takuar autobusin e linjës Dukagjin-Shkodër, i cili ishte me defekt dhe pasagjerët e tij i merr në “Skoda”. Gjatë rrugës në vendin që korrespondon me shtyllën e tensionit të lartë, Nr. 390, makina batohet duke rënë nga një lartësi 40 m. në lumin Kir, ku gjetën vdekjen 28 veta dhe u plagosën e 36 të tjerë, që janë jashtë rrezikut dhe ndodhen në spital.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
BAUDIN KAZANI
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 1 PRILL 1986, KU NJOFTOHET PËR AKSIDENTIN E RËNDË AUTOMOBILISTIK NË RRUGËN FUSHË – BULQIZË, KU HUMBËN JETËN 4 PERSONA
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 1.4.1985
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 76
DIBRA
Më 30.3.1985, automjeti “Skoda” autobot me targë DI 89-89 me rimorkio që drejtohej nga shoferi Gani Aqif Elezi, vjeç 48, në rrugën Fushë-Bulqizë në vendin e quajtur Shoshaj, i ka dalë spinoti i rimorkios i cili shkëputet nga makina dhe godet duke lënë të vdekur Qazim Xheladin Përkolën, Arben Ramiz Përkolën, vjeç 17, Hysen Ramadan Dedën, vjeç 26, dhe Jonus Tahir Përkolën, vjeç 41, banues në Fushë-Bulqizë, punëtorë në minierën e kromit, Shoferi u ndalua.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
BAUDIN KAZANI
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 28 JANAR 1986, KU NJOFTOHET PËR AKSIDENTIN E RËNDË AUTOMOBILISTIK NË RRUGËN KLOS – MAT, KU HUMBËN JETËN 5 PERSONA DHE U PLAGOS NJË TJETËR
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 28.1.1986
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 22
BURRELI
Më datën 27.1.1986, shoferi Ali Mehmet Kuka, vjeç 26, me makinën “Varshavë” të Frontit Demokratik të rrethit Mat, duke udhëtuar nga Klosi për në Mat, në vendin e quajtur Përroi i Keçit, nga akulli rrëshqet dhe bie në greminë nga një lartësi 15 metra, merr zjarr makina. Nga kjo gjetën vdekjen shoferi dhe Luljeta Ferit Kuka, Dylber Mehmet Kuka, Agron Mehmet Juka, Besnik Mehmet Kuka, dhe është plagosur Violeta Zaimi.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
BAUDIN KAZANI
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 26 TETOR 1988, KU NJOFTOHET PËR AKSIDENTIN E RËNDË AUTOMOBILISTIK NË RRUGËN KRASTË QAFA E BUALLIT KU HUMBËN JETËN 4 PERSONA DHE U PLAGOSËN DISA TË TJERË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 26.10.1988
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 255
BURRELI
Më datën 25.10.1988, në rrugën Krastë - Qafa e Buallit, ka dalë automjeti “ZIS” me targë MT 56-361, që drejtohej nga Shefki Sela, e për pasojë vdiq vetë shoferi dhe shtetasit Sulejman Rustem Bushi, vjeç 56, Xhavit Dalip Suçi, vjeç 30, Idriz Kalaveri, vjeç 37, nënkryetar kooperative dhe u plagos rëndë Xhelal Muceku, vjeç 25, minator, kurse personat e tjerë ndodhen jashtë rrezikut. Në vend shkoi grupi operativ.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
BAUDIN KAZANI
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 22 NËNTOR 1989, KU NJOFTOHET PËR AKSIDENTIN E RËNDË AUTOMOBILISTIK NË RRUGËN E HIMARËS KU HUMBËN JETËN 2 VETA DHE 21 TË TJERË MË PAS, NGA RRËZIMI I DY HELIKOPTERËVE
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 23.XI.1989
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 278
VLORA
Më datën 22.XI.1989, ora 14.30, në vendin e quajtur Ura e Kudhësit, rrëzohet autobusi i Institutit të Lartë Bujqësor Tiranë, me 17 studentë e pedagogë të vitit të pestë, ku për rrjedhojë u vranë dy persona, shoferi Ali Riza Omuri dhe studenti Albert Luigj Shakaj dhe u plagosën rëndë edhe 4 persona të tjerë. Të gjithë këta u çuan në spitalin e Himarës. Në orën 18.10, janë nisur nga Himara në interval kohe 5 minuta nga njeri tjetri, dy helikopterë që kishin shkuar nga Tirana për të tërhequr të plagosurit.
Pesë minuta më vonë, banorët e fshatit Vuno kanë dëgjuar zhurmë dhe kanë parë flakë sipër fshatit. Ky ishte helikopteri i parë që u përplas. Brenda në helikopter ishin 12 persona, nga të cilët 3 ekuipazhi, 4 studentë dhe 5 të personelit mjekësor (3 nga Tirana, 2 nga Himara). Në kërkim të helikopterit të dytë, u sinjalizua nga posta kufitare Dhërmi dhe PSV–ja e Ushtrisë rreth orës 21.00, se në Qafë e Llogorasë u pa një flakë dhe mendohet të jetë helikopteri i dytë, i cili ka brenda 9 persona.
Rreth këtij helikopteri po bëhen hetime për vendin ku është rrëzuar dhe nxjerrjen e viktimave. Deri tani si shkak kryesor mendohet të jetë era e fortë dhe mjegulla e dendur. Nga të dy helikopterët, kanë qenë këta persona: Thoma Plasa, pedagog nga Tirana, Ilirjana Ibrahimi, studente nga Berati, Elida Hyseni, studente nga Tepelena, Taip Lloçi, student nga Durrësi, Donika Ferra, studente nga Fieri, Zef Suli, student nga Lezha, Xhelal Ndreu, student nga Peshkopia, Agim Qarri, mjek nga Tirana, Kujtim Hysi, mjek nga Tirana, Suzana Floqi, mjeke nga Tirana, Dionis Nakuçi, mjek nga Tirana, Dhimitra Rjeka, infermiere nga Tirana, Mefail Metollari, mjek ushtarak i Brigadës së Himarës, Piro Pulo, ndihmësmjek i spitalit në Himarë, dhe ekuipazhi i dy helikopterëve, Agron Galanxhi, pilot, Veledin Resuli, pilot, Vangjel Postoli, pilot, Tafil Zego, pilot, Enver Haka, mekanik, Pandeli Zhupa, mekanik.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
RAKIP LELI