Lidhje


Ministri Malaj: Ulja e akcizës do të zbatohet kur çmimi i naftës kalon mbi 220 lekë

 

Ulja e akcizës me 20% të karburantet do të aplikohet nëse çmimi i naftës do të arrijë mbi 220 lekë për litër.

 

Në konferencën për shtyp Ministri i Financave, Petrit Malaj për herë të parë sqaroi se ulja e akcizës 20% të nafta do të aplikohet automatikisht nëse Bordi i Transparencës vendos që çmimi tavan i shitjes me pakicë të jetë mbi 220 lekë.

 

Ministri Malaj shpjegoi se kjo do të sjellë ulje të çmimit me 8 lekë për litër dhe nëse çmimi vendoset 221 lekë do të arrijë 213 lekë për litër pas uljes se akcizës.

 

“Mekanizmi do jetë i tillë në momentin, në momentin që Bordi i Transparencës do të përcaktojë që çmimi i tregtimit me pakicë do jetë 221 lekë, automatikisht në atë moment merret vendimi që çmimi i shitjes do jetë 221 lekë minus reduktimin e akcizë 20%, që përkon me përafërsisht 8 lekë, pra do të jetë 213 lekë.

 

Kjo do bëhet me baza ditore, kur çmimi kalon mbi 220 lekë, do kemi një reduktim të çmimit me pakicë me 8 lekë. Kur çmimi do jetë nën 220 lekë, do jetë çmimi që ka përcaktuar Bordi”, deklaroi Malaj.

 

Për vendimin e qeverisë për uljen me 20% të akcizës, Shoqata e Hidrokarbureve më herët pohoi se do të sjellë ulje të çmimit 8 deri 10 lekë për litër.

 

Drejtues të Shoqatës së Hidrokarbureve vlerësuan se efekti i rishikimit të akcizës të ulja e çmimeve është minimal në një kohë kur çmimet e tregtimit të karburanteve në bursë po rriten ndjeshëm. /monitor

XS
SM
MD
LG