9 vende të BE ngrenë dyshime për Shqipërinë/ Ministri Hoxha: Negociatat nuk janë bllokuar
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar ndaj raportimeve se negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian janë futur në një fazë frenimi, duke mohuar kategorikisht se procesi është bllokuar.
Në një intervistë për Euronews Albania, Hoxha u shpreh se disa vende anëtare kanë ngritur pyetje shtesë, por kjo sipas tij është pjesë normale e procesit të integrimit dhe nuk përbën pengesë reale për avancimin e negociatave.
Reagimi i tij vjen pasi u raportua se në diskutimet e zhvilluara më 1 prill në strukturat e Këshillit të BE-së, nëntë shtete anëtare – përfshirë Gjermaninë, Holandën, Austrinë, Greqinë dhe Bullgarinë – kanë shprehur rezerva dhe kanë ngritur çështje konkrete që lidhen me klimën e biznesit, të drejtat e pronësisë dhe pakicat.
Sipas ministrit, këto nuk janë bllokada, por kërkesa për sqarime shtesë, duke theksuar se procesi i integrimit është kompleks dhe kërkues. Ai shtoi se Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm, duke plotësuar dhjetëra kritere dhe duke fituar besimin e Komisionit Europian për të kaluar në fazën e ardhshme të negociatave.
Hoxha nënvizoi se vendimmarrja finale mbetet në dorën e shteteve anëtare, të cilat kanë të drejtë të bëjnë pyetje dhe të kërkojnë më shumë garanci, por insistoi se kjo nuk do të thotë se Shqipëria është ndalur në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.