Rrëshket Ferit Hoxha: “Nuk e di si do t’ia kishim bërë pa Greqinë, po na ndihmojnë shumë!”
Ministri i për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Euronews Albania me moderator Thimi Samarxhiu lidhur me procesin e integrimit dhe raportet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Në intervistën e tij, Hoxha u ndal edhe në raportet me Greqinë, të cilat sipas tij në këto momente janë nga më të mirat e pasura ndonjëherë.
“Unë po ju them se marrëdhëniet që kemi sot me Greqinë janë marrëdhëniet më të mira që kemi pasur ndonjëherë në këto 35 vite. Ka një dëshirë të ndarë nga të dy palët për të ecur përpara. I kemi provuar të tëra, kemi pasur edhe tensione, kemi pasur edhe keqkuptime, kemi pasur edhe situata kur ia kemi bërë edhe më të vështirë njëri-tjetrit. Sot kemi një dakordësi për t’ia bërë më të lehtë njëri-tjetrit. Greqia është vend anëtar, ne kemi parasysh, por Greqia po na ndihmon dhe është ndër mbështetësit e mirë të Shqipërisë, në procesin e negociatave; po të mos donte Greqia, asnjë kapitull nuk hapej. Mjafton një vend dhe vendet siç e dimë. Edhe ajo që kam biseduar unë me homologun grek, pa treguar ndonjë gjë që mbase nuk ka nevojë. Kemi një dakordësi për të avancuar sa më shpejt dhe sa më mirë dhe në mënyrë substanciale të gjitha ato çështje, me një kuadër të përgjithshëm që e ka përmendur Kryeministri disa herë dhe e vetmja dakordësi që kemi është të ulemi në punë. Greqia merr presidencën në gjysmën e vitit 2027. Ne do bëjmë ç’është e mundur që kjo të jetë sukses për Shqipërinë dhe për Greqinë.” – tha Hoxha.