Apartamenti i sekuestruar i Adriatik Llallës kthehet në qendër për të rinjtë
Apartamenti i sekuestruar i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i dënuar për “fshehje të pasurisë” është kthyer në qendër për të rinjtë. Bëhet fjalë për apartamentin në Durrës, që iu sekuestrua së bashku me 4 sipërfaqe toke, në 22 mijë metra katrore. Lajmin e bëri me dije, Ministri i Brendshëm Taulant Balla. “Mesazhi që japim sot është që pronat e sekuestrua nga korrupsioni sot janë vënë në dispozicion të të rinjve, dhe jo vetëm të rinjve të Durrësit, të cilët ta zhvillojnë këtë Qendër sepse e shikoj që është një qendër multi-funksionale.
Kështu që në këtë aspekt dua t’i urojë të rinjtë e Durrësit ta gëzojnë këtë shtëpizë të re”, e mbylli fjalën e tij Balla.
Llalla, i cili ishte arratisur nga vendi u ndalua në Itali më dhjetor të vitit 2021.
Ish kreu i Prokurorisë Shqiptare Adriatik Llalla duhet të vuajë dënimin me dy vite burg.
Vendimi, i formës së prerë u dha sot (22 shtator) nga Gjykata e Posaçme e Apelit, kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, për ish-kryeprokurorin duke e dënuar përfundimisht me 2 vite burg.
Gjithashtu Llalla për 5 vjet përjashtohet nga funksionet publike, pasi e gjeti fajtor për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”./euronews.al