Lidhje


Shpallet në kërkim policor ndërtuesi i pallatit të djegur, Armand Lilo

 

Ndërtuesi i pallatit të djegur në Tiranë, Armand Lilo është shpallur në kërkim nga policia ndërsa katër persona janë arrestuar pas zjarrit që përfshiu një pallat pranë Farmacisë 10 në Tiranë një ditë më parë.

 

Mes të arrestuarve është edhe menaxheri i marketit, i cili ndodhej në katin e parë, nga ku dyshohet se nisi zjarri që më pas përpiu të gjithë fasadën e pallatit. Në pranga ka rënë edhe administratori I pallatit dhe dy persona të tjerë.

 

Deri në këto momente bëhet fjalë për 71 apartamente të dëmtuar, ndërkohë që po verifikohet se sa prej tyre janë djegur plotësisht dhe sa pjesërisht.

 

Kompania Arlis ka reaguar duke thënë se objekti është ndërtuar në përputhje me lejen e ndërtimit dhe punimet e kryera në godinë janë kontrolluar dhe certifikuar nga organet kompetente.

 

“Megjithatë, shoqëria “Arlis Ndërtim” shpk pavarësisht se nuk mbart asnjë përgjegjësi ligjore, por në kuadër të përgjegjësisë sociale si kompani, si dhe angazhimit të saj për të qenë pranë njerëzve që e kanë besuar dhe banorëve të prekur, merr përsipër me shpenzimet e saj, rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe rindërtimin e të gjithë apartamenteve të dëmtuara duke i kthyer në gjendjen fillestare, pra në të njëjtat kushte që banorët e kanë marrë apartamentin me çelësa në dorë në momentin e dorëzimit”, njofton firma që ka ndërtuar pallatin pranë QSUT-së.

XS
SM
MD
LG