Rama takoi Mohammed bin Zayed Al Nahyan, mesazh solidariteti nga Abu Dhabi
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Abu Dhabi me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi takimin si vëllazëror, duke theksuar se “për paqedashësit dhe ndërtuesit vullnetmirë të së ardhmes, më e mira është e gjitha përpara”.
Sipas njoftimit të qeverisë shqiptare, vizita e kryeministrit në Emiratet e Bashkuara Arabe u zhvillua për të shprehur solidaritetin vëllazëror me vendin mik dhe me presidentin e tij, në një periudhë të ndjeshme për rajonin e Gjirit.
Rama u shpreh i bindur se Emiratet do të dalin më të forta nga kjo situatë, pavarësisht sfidave që lidhen me zhvillimet e fundit në rajon, përfshirë tensionet që burojnë nga konflikti me Iran.
Kryeministri ndau gjithashtu pamje nga takimi në Abu Dhabi, duke përsëritur mesazhin e mbështetjes dhe duke e cilësuar marrëdhënien mes dy vendeve si të qëndrueshme dhe miqësore.
Vizita e Ramës vjen në një moment kur vendet e Gjirit Arabik po përballen me një situatë të tensionuar gjeopolitike, ndërsa Tirana zyrtare ka shprehur mbështetjen e saj për partnerët strategjikë në rajon.