Lidhje


BE i jep dritë jeshile Melonit në Shqipëri – kampet e emigrantëve marrin bekim, por me një kusht që mund të rrëzojë gjithçka!

 

Qendrat e ndalimit të migrantëve që Italia ka ngritur në Shqipëri kanë marrë një miratim të pjesshëm nga nivelet më të larta juridike të Bashkimit Europian, por me një kusht thelbësor: respektimin e plotë të të drejtave të njeriut.

 

Një opinion i fundit nga një këshilltar i Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian, edhe pse jo detyrues, i jep një avantazh politik qeverisë së Giorgia Meloni, e cila prej dy vitesh është përballur me sfida ligjore për planin e saj për të përpunuar dhe deportuar azilkërkues jashtë territorit italian.

 

Sipas këtij opinioni, ngritja e qendrave të tilla nuk bie ndesh me ligjin europian, për sa kohë që standardet e mbrojtjes për migrantët respektohen në çdo fazë të procesit.

 

Në terren, megjithatë, shifrat tregojnë një realitet shumë më modest nga ambicia fillestare. Qendra italiane në Gjadër, një nga pikat kyçe të marrëveshjes me Shqipërinë, ka strehuar rreth 90 persona në muajin shkurt, niveli më i lartë i arritur deri më tani, por ende shumë larg objektivit prej 3 mijë aplikimesh në muaj që kishte artikuluar qeveria italiane.

 

Vetë Meloni reagoi publikisht, duke e konsideruar opinionin si një konfirmim të drejtimit të saj politik. Në një postim në rrjetin X, ajo deklaroi se ky zhvillim provon “vlefshmërinë” e qasjes së qeverisë së saj, ndërsa sulmoi atë që e quajti “interpretimet ligjore të detyruara dhe të pabazuara”, që sipas saj kanë sjellë “dy vite të humbura”.

 

Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë, e firmosur në vitin 2023, parashikon ngritjen e qendrave të ndalimit dhe deportimit në territorin shqiptar. Fillimisht, këto struktura ishin konceptuar për azilkërkues nga vende të konsideruara të sigurta, gjatë kohës që shqyrtoheshin kërkesat e tyre. Por më pas, Roma e zgjeroi përdorimin e tyre edhe për migrantët, kërkesat e të cilëve janë refuzuar dhe që presin deportimin.

 

Zgjerimi ka ndezur kritika të forta nga organizatat ndërkombëtare. Amnesty International ka paralajmëruar se të drejtat e azilkërkuesve mund të “kufizohen rëndë”, duke ngritur dyshime mbi standardet reale që do të zbatohen në këto qendra jashtë territorit të BE-së.

 

Nga ana juridike, Nicholas Emiliou argumenton se ligji europian nuk e ndalon një shtet që të zhvendosë përpunimin e rasteve të azilkërkuesve të refuzuar jashtë kufijve të tij. Por ai vendos një vijë të qartë të kuqe: këto struktura duhet të garantojnë të njëjtat të drejta si brenda BE-së, përfshirë aksesin në avokat, përkthim dhe mbështetje për grupet vulnerabël, si të miturit.

 

Bashkimi Europian po shkon drejt formalizimit të një politike të re për menaxhimin e migracionit. Në tryezë janë të ashtuquajturat “qendra kthimi” jashtë territorit të BE-së, një model që po shtyhet fort nga disa shtete anëtare. Ministrat e Gjermanisë dhe Holandës kanë konfirmuar se synimi është që ky mekanizëm të jetë gati deri në fund të vitit.

 

Megjithatë, fjala e fundit i takon vetë gjykatës. Edhe pse në praktikë vendimet shpesh ndjekin opinionet e avokatëve të përgjithshëm, kjo nuk është një rregull i detyrueshëm. Dhe në një çështje kaq të ndjeshme, ku përplasen politika migratore dhe të drejtat e njeriut, çdo detaj mund të bëjë diferencën.

 

Kur firmosi paktin me Melonin, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se shqiptarët janë në borxh me Italinë që i priti ata në eksodin e viteve 90.

 

“Qysh nga fillimi ne nuk do ta bënim këtë marrëveshje me asnjë vend tjetër të BE-së sepse ka një ndryshim, të madh dhe një ndryshim historiko-kulturor dhe gjithashtu edhe emocional që lidh Shqipërinë me Italinë dhe shqiptarët me italianët. Nuk besoj që ne nuk do të jemi në gjendje që në vitet që do vijnë për të parashikuar vitet që mund të kemi përpara për të paguar atë borxhin që kemi drejt Italisë, dhe popullit të Italisë, për atë që kanë bërë për ne, nga dita që kemi mbërritur në këtë anë të bregut. Nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet.”, tha ai.

 

Marrëveshja më vonë mori bekimin nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si një shembull i “të menduarit ndryshe” në trajtimin e çështjes së emigracionit. Por grupet e të drejtave të njeriut thonë se kjo përbën një precedent të rrezikshëm dhe paraqet një shkelje të detyrimeve të Italisë sipas ligjit ndërkombëtar.

 

Italia parashikon të shpenzojë 670 milionë euro në 5 vjet për këtë projekt që deri tani është konsideruar i dështuar./Lapsi.a

XS
SM
MD
LG