Konsumi i naftës në kufijtë e Maqedonisë trefishohet, 200 mijë litra në ditë blihen nga shqiptarët
Pikat kufitare të karburantit në Maqedoninë e Veriut kanë parë së fundmi një trefishim të shitjeve të karburantit, për shkak të kërkesës së shtuar nga vendet fqinje, kryesisht Shqipëria dhe më pak Greqia.
Sipas të dhënave zyrtare nga qeveria maqedonase, të siguruara nga “Monitor”, përmes gazetarëve korrespondentë, konsumi ditor i të gjitha llojeve të karburanteve është rritur në 2 milionë litra.
Këtë shifër e ka konfirmuar dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në daljet publike.
Nga konsumi total, 10% i atribuohet qytetarëve të huaj, kryesisht nga Shqipëria dhe nga Greqia, sipas të dhënave zyrtare. Kjo do të thotë se rreth 200 mijë litra në ditë karburant konsumohen nga të huajt. Konsumi ditor është rritur nga 1.5 milionë litra në ditë në 2 milionë litra së fundmi, sipas burimeve zyrtare.
Sipas informacionit të konfirmuar, konsumi ditor në pikat e karburantit në kufijtë veriorë, jugorë dhe perëndimorë është trefishuar. Këto janë pika në kufi me doganat e Dibrës së Madhe dhe Prespës.