Lidhje


Biba mbyll hetimin ndaj perandorisë spitalore të Allajbeut: Dominim në treg po, abuzim jo!

 

Autoriteti i Konkurrencës, i drejtuar nga Denar Biba, ka përfunduar hetimin paraprak ndaj dy prej operatorëve më të mëdhenj të shëndetësisë private në Shqipëri, American Hospital (Spitali Amerikan) dhe International Hospital (Spitali Hygeia), që të dyja në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu.

 

Procedura hetimore ishte hapur në prill të vitit 2025 dhe u mbyll në korrik të po atij viti, por vendimi është bërë publik vetëm së fundmi, çka ka ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe mënyrën e funksionimit të institucionit.

 

Sipas dokumentit zyrtar, të dy spitalet konsiderohen aktorë dominues në tregun privat spitalor në vend, duke kontrolluar një pjesë të rëndësishme të shërbimeve të specializuara dhe të avancuara mjekësore.

 

Në qendër të hetimit ishte dyshimi për pozitë dominuese dhe mundësia e abuzimit me këtë pozicion, për shkak se këto institucione ofrojnë shërbime që mungojnë në sistemin publik, si PET-CT, transplantet e veshkave, ndërhyrjet komplekse kardiovaskulare dhe trombektomia mekanike.

 

Po ashtu, nën vëzhgim ishte edhe mënyra si funksionon tregu përmes kontratave me FSDKSH (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor), duke ngritur diskutime nëse kjo krijon avantazh të padrejtë dhe kufizon konkurrencën reale në sektor.

 

Raporti i Autoritetit pranon se tregu karakterizohet nga përqendrim i lartë, barriera të forta hyrjeje dhe mungesë reale alternativash për pacientët, sidomos në disa shërbime specifike ku këto spitale mbeten praktikisht të pazëvendësueshme.

 

Megjithatë, Komisioni i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se nuk janë gjetur prova konkrete për abuzim me pozitën dominuese. Sipas argumentimit zyrtar, çmimet për shërbimet e mbuluara nga FSDKSH janë transparente dhe të njëjta për pacientët, çka sipas tyre nuk justifikon masa ndëshkuese.

 

Për këtë arsye, hetimi është mbyllur pa sanksione, ndërsa është vendosur vetëm një periudhë monitorimi njëvjeçare për të ndjekur zhvillimet në treg.

 

Vendimi ka nxitur kritika për mungesë të një reagimi më të fortë institucional, sidomos duke pasur parasysh ndjeshmërinë e sektorit të shëndetësisë private dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që ai ka mbi qytetarët. Publikimi i vonuar i vendimit ka shtuar më tej debatet mbi mbikëqyrjen reale të një prej tregjeve më të rëndësishme në vend.

XS
SM
MD
LG