Lidhje


Gaz nga SHBA në Shqipëri - Ç’ka pas marrëveshjes 6 miliardë $ që u firmos nga Rama

 

Qeveria shqiptare firmosi këtë të martë një marrëveshje me kompaninë amerikane të gazit “Venture Global Inc” dhe “Aktor LNG USA”, e cila është një degë strategjike e grupit grek Aktor, e krijuar posaçërisht për të menaxhuar tregtinë dhe importin e Gazit Natyror të Lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara drejt Europës Juglindore. Kjo kompani shërben si urë lidhëse midis prodhuesve amerikanë të energjisë dhe tregut ballkanik, duke u fokusuar në operacionet logjistike dhe tregtare të gazit.

 

Marrëveshja 6 miliardë USD u firmos nën bekimin e kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores së SHBA në Athinë, Kimberly Guilfoyle.

 

Në ceremoninë e rastit u thanë fjalë të mëdha se është një “hap i rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike”, por shumë pak gjëra konkrete u zbuluan. U fol se projekti përfshin një “hub” në Vlorë, por pa dhënë më shumë detaje.

 

Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se marrëveshje është 20-vjeçare dhe i jep mundësinë kompanisë “Aktor LNG USA” për të eksportuar gaz të lëngshëm në Shqipëri që do të sjellë kompania amerikane “Venture Global Inc”. Kjo e fundit thotë në faqen e saj zyrtare se është një “ofrues afatgjatë dhe me kosto të ulët i gazit natyror të lëngshëm të prodhuar në Amerikë”.

 

Marrëveshja 20-vjeçare me Shqipërinë parashikon që “AKTOR LNG USA” do të furnizojë kompaninë shtetërore shqiptare “ALBGAZ” me 1 miliard metra kub gaz në vit, duke filluar nga viti 2030. Të ardhurat e vlerësuara për të gjithë kohëzgjatjen e marrëveshjes arrijnë në 6 miliardë euro.

 

Nuk dihet ende si do ta përdorë Shqipëria gazin që do të marrë nga SHBA kur duhet se rrjeti i gazifikimit në vendin tonë është pothuajse inekzistent. “Albgaz Sh.a. administron rreth 500 km tubacione magjistrale të transportit të gazit të ndërtuar para 40 vitesh, me teknologji tashmë të vjetëruar, ku masat mbrojtëse nga korozioni janë minimale” – thuhet në faqen zyrtare të saj.

 

“AKTOR ENERGY USA” nënshkroi edhe sot edhe një Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë për të kryer studime mbi zhvillimin, ndërtimin dhe funksionimin e një qendre të integruar të energjisë, e cila do të përfshijë një Termocentral me gaz natyror në Shqipëri, me një kapacitet prej afërsisht 380 MW. Projekti mbështetet nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara.

 

Alexandros Exarchou, Kryetar dhe Drejtor Ekzekutiv i Grupit AKTOR, deklaroi: “Sot ndërmorëm një hap shumë të rëndësishëm drejt zbatimit të Korridorit Vertikal, një iniciativë strategjike e hartuar nga qeveria amerikane që aspiron t’i ofrojë Evropës siguri energjetike përmes LNG-së amerikane.

 

Marrëveshjet tona, të cilat janë mbështetur fuqimisht nga Këshilli Kombëtar i Sovranitetit të Energjisë (NEDC) i Shtëpisë së Bardhë dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së, mund të zhbllokojnë potencialin e madh të Korridorit Vertikal në dobi të Evropës. Jemi të emocionuar që marrim pjesë në këtë bashkëpunim transatlantik midis qeverive të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke shfrytëzuar degët tona në Shtetet e Bashkuara për zbatimin e tij.”

XS
SM
MD
LG