Vërtetë nuk janë në të njëjtën forcë politike, por islamofobinë e kanë
Ish-ambasadori Agim Nesho ka zgjedhur së fundmi të bëjë një vlerësim publik për romanin “Jam Mysliman” të Ben Blushit, duke e cilësuar atë si një vepër të rëndësishme që trajton çështje thelbësore të shoqërisë moderne dhe që e vendos autorin në një nivel të lartë letrar. Në analizën e tij, Nesho e paraqet librin si një reflektim mbi përplasjen e qytetërimeve, mbi frikën mes komuniteteve fetare dhe mbi rrezikun që sjell instrumentalizimi politik i fesë, sidomos i Islamit politik.
Sipas tij, Blushi arrin të bëjë dallimin mes besimit fetar dhe islamizmit politik, duke sugjeruar se problemi nuk qëndron te feja si besim personal, por te përdorimi i saj si ideologji ndarëse dhe tensionuese. Ai shton se shoqëria moderne nuk duhet të mbetet peng e normave të vjetra fetare, por duhet të ecë drejt emancipimit social dhe kulturor.
Në pamje të parë, kjo mund të duket si një analizë letrare apo filozofike. Por në thelb, ajo rikthen një narrativë të vjetër dhe të rrezikshme në hapësirën publike shqiptare: idenë se identiteti mysliman është një problem që duhet shpjeguar, justifikuar dhe mbajtur nën kontroll, që të mos kthehet në pengesë për modernitetin.
Dhe pikërisht këtu nis problemi.
Ben Blushi me romanin e tij “Jam Mysliman” dhe Agim Nesho me entuziazmin e tij kritik ndaj këtij libri, në fakt ndajnë shumë më tepër sesa një pëlqim letrar: ndajnë të njëjtin lexim problematik të Islamit dhe të identitetit mysliman në Shqipëri.
Nesho e paraqet romanin si një vepër që trajton “përplasjen e qytetërimeve”, frikën mes komuniteteve dhe rrezikun e instrumentalizimit të fesë. Ai lavdëron Blushin për dallimin që bën mes besimit fetar dhe islamizmit politik, duke sugjeruar se ky i fundit është burimi i ndarjeve dhe tensioneve, ndërsa besimi në vetvete përfaqëson paqe.
Por problemi nis pikërisht këtu: kur Islami trajtohet vazhdimisht si një territor që duhet justifikuar, filtruar dhe ndarë nga vetvetja për t’u bërë i pranueshëm për “modernitetin”. Kur një roman me titull “Jam Mysliman” nuk lexohet si reflektim mbi identitetin, por si një alarm kulturor për rrezikun që paraqet feja në hapësirën publike, atëherë nuk kemi më thjesht kritikë letrare, por paragjykim të strukturuar.
Agim Nesho flet për nevojën që shoqëria moderne të mos mbetet peng e normave të vjetra fetare. Kjo tingëllon elegante në formulim, por selektiviteti është i dukshëm: ky standard zakonisht aplikohet me zell vetëm ndaj Islamit. Askush nuk e ngre me të njëjtën energji pyetjen për ndikimin e ortodoksisë politike greke, për aleancat fetaro-politike në rajon, për lidhjet e establishmentit politik shqiptar—si në qeveri ashtu edhe në opozitë—me shtetin sionist dhe fetarisht ekstrem të Izraelit, apo për instrumentalizimin e krishterimit në projekte nacionaliste.
Kur Islami shihet si problem për t’u menaxhuar dhe jo si pjesë organike e identitetit shqiptar, kjo nuk është debat filozofik. Kjo është islamofobi e rafinuar, e veshur me gjuhë elitare.
Ben Blushi këtë e ka bërë prej kohësh, duke e vendosur Islamin shpesh si barrë historike dhe si pengesë për qytetërimin perëndimor të shqiptarëve. Agim Nesho, me këtë vlerësim, nuk bën gjë tjetër veçse i jep vulë intelektuale të njëjtit paragjykim.
Vërtet nuk janë në të njëjtën forcë politike. Njëri vjen nga politika liberale e tranzicionit, tjetri nga establishmenti diplomatik dhe konservator. Por kur vjen puna te paragjykimi ndaj identitetit mysliman shqiptar, gjuha ndryshon pak, ndërsa thelbi mbetet i njëjtë.
Sepse islamofobia nuk ka gjithmonë nevojë për thirrje brutale. Ndonjëherë ajo vjen e veshur me kostum diplomatik, me recension letrar dhe me fjalë të bukura për qytetërimin.
Statusi i Agim Neshos:
Nuk ka Profet ne vendin e tij
Lexova librin e Ben Blushit “Jam Mysliman”, një libër që e ngre autorin në një nivel të lartë të letërsisë botërore, ku cështjet kryesore të zhvillimit të shoqërisë njerëzore trajtohen me penën e aftë dhe mendimet e qarta në Shqipërinë e ditëve tona.
Duke qenë një shkrimtar i formuar me kulturë të gjerë dhe një penë të shkëlqyer që di të portretizojë personazhet e jetës me mendimet, emocionet, besimet e tyre të cilat në kohën tonë formohen dhe përpunohen lehtësisht nga rrjetet sociale, ideologjia, feja dhe manipulohet nga institucionet dhe njerëzit që kërkojnë pushtet.
I formuar për të ngritur debatin në nivel filozofik, i aftë dhe provokues për të ngritur problematikën e mendimeve të kundërta dhe guximtar për të gjetur zgjidhje ndoshta për dicka që vetë autori vuan të gjejë të vërtetën, Blushi trajton në libër cështjen e përplasjes së civilizimeve të zhvilluara me kulturë të ndryshme besimi, të cilat shikohen si antagoniste me njëra-tjetrën dhe të papranueshme për tu integruar së bashku. Këtë antagonizëm Blushi e sjell në Tiranë në një shtet multi-fetar, me harmoni midis tyre por me mosbesim dhe frikë nga shoqëria, se njëra prej tyre duke respektuar institucionet e saj (sheriatin) mund të prishë balancat, të rrezikojë të ardhmen e tyre perëndimore (mospranimi i luftës së Skënderbeut në mbrojtje të civilizimit perëndimor) duke e kthyer vendin drejt një shoqërie primitive dhe të errët.
Lufta e deritanishme e Perëndimit, që kërkon të ruajë civilizimin e tij të ngritur mbi bazën e kristianizmit dhe armiqësor në pranimin e grupimeve myslimane, apo mediokriteti i disa të tjerëve për të selektuar dhe zgjedhur komunitetin bektashi si shembull, për të bërë ndryshimin ndaj myslimanëve të tjerë, Blushi jep përgjigjen e tij se myslimanët janë njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë, një komunitet i respektueshëm, por është islamizmi politik që krijon ndarjen dhe mospranimin e tyre. Islami politik është luftë, urrejtje, dominim ndërsa myslimanizmi është paqe, vllazërim, kulturë.
Filozofia e Blushit është e qartë që kur instrumentalizohet feja për qëllime politike, justifikim të pushteteve teokratike, bota do të pësojë regres si në kohën e inkuizicioneve kristiane ashtu edhe islamit politik. Blushi shqetësohet kur shikon regresin e Shqipërisë që për hir të besimit tjetërsohen disa vlera të shoqërisë që do ta largojnë atë gjithmonë e më shumë nga progresi dhe e ardhmja. Ai insiston që shoqëria moderne nuk mund të mbetet peng e normave dhe traditës fetare, por duhet të bazohet në normat e reja që i ka pranuar zhvillimi social e kulturor i shoqërisë që duhet të jetë “feja jonë e re”.
Blushi, me romanin “Jam Mysliman”, vazhdon të mbetet shkrimtari më i mirë shqiptar pas viteve ’90, por futet dhe në grupin e shkrimtarëve botërore duke lartësuar letërsinë shqiptare.