Salianji dorëzon kandidaturën për kreun e PD - Mesazhi i fortë për Berishën
Ervin Salianji ka depozituar pranë selisë së Partisë Demokratike kandidaturën e tij për drejtimin e forcës politike, në një proces që përfundon këtë mesditë. Dokumentacioni është dorëzuar përmes një personi të autorizuar, ndërsa ai ka shoqëruar garën edhe me një platformë të detajuar politike dhe organizative për të ardhmen e PD-së.
Në dokumentin e tij politik, Salianji vlerëson rolin historik të Sali Berishës, duke theksuar se “meritat duhet t’i njihen përjetësisht”, por njëkohësisht shton se koha e tij në drejtimin aktiv politik ka përfunduar, duke e konsideruar si një faktor që, sipas tij, nuk ndihmon më bashkimin dhe modernizimin e opozitës.
Në qendër të platformës së Salianjit qëndron ideja e transformimit të Partisë Demokratike në një forcë moderne, të hapur dhe fituese, e aftë të sjellë rotacion politik dhe të mundë Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme.
Ai thekson se PD duhet të rikthehet te vlerat themeluese, duke u pozicionuar si promotore e lirisë, shtetit të së drejtës, integrimit europian dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, partia duhet të synojë një “kapërcim cilësor” që e kthen atë në forcë qeverisëse dhe në një alternativë të besueshme për qytetarët.
Një pjesë e rëndësishme e platformës lidhet me riorganizimin e brendshëm të PD-së. Salianji propozon:
zgjedhjen e kryetarit me parimin një anëtar një votë
kufizim mandatesh në drejtimin e partisë
hapje të listave të kandidatëve për deputetë
përfaqësim të detyruar për gra, të rinj dhe diasporën
rritje të rolit të anëtarësisë në vendimmarrje
Ai kërkon gjithashtu që partia të mos jetë “parti individi”, por një organizatë masive me përfshirje të gjerë.
Platforma vendos theks të veçantë te Forumi Rinor dhe Forumi i Gruas, duke i cilësuar si shtylla të rëndësishme elektorale. Parashikohet rritje e përfaqësimit të grave në 40% dhe përfshirje më e madhe e të rinjve në listat zgjedhore.
Salianji e konsideron aktualisht përfaqësimin e tyre të pamjaftueshëm dhe kërkon riorientim të plotë të këtyre strukturave.
Një tjetër shtyllë e platformës është fuqizimi i degëve lokale të PD-së dhe decentralizimi i buxhetit, duke u dhënë më shumë autonomi strukturave në terren.
Ai propozon gjithashtu vendosjen e një sistemi të qartë meritokracie, ku performanca elektorale të ketë pasoja direkte në drejtimin e strukturave të partisë.
Salianji kërkon që PD të kalojë nga një “parti proteste” në një “parti qeverisëse”, me komunikim modern dhe të unifikuar politik.
Në platformë theksohet edhe nevoja për bashkimin e opozitës si kusht për rotacion politik, duke argumentuar se fragmentimi opozitar dobëson mundësinë për ndryshim.
Në dokument, mbështetja për SPAK cilësohet si e pakushtëzuar, si pjesë e forcimit të shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.
Gjithashtu, integrimi në Bashkimin Europian dhe partneriteti strategjik me SHBA-në vendosen si bosht i politikës së jashtme të PD-së, të cilat Salianji i konsideron prioritete kombëtare.
Nga ana tjetër duhet shtuar se dokumentacioni fizik i cili shkoi në orët e para të paradites nëpërmjet përfaqësuesit ligjor të Ervin Salianji, Oresti Berberi, nuk u dorëzua për shkak se në seli nuk ndodhej asnjë përfaqësues.