Aksidenti tragjik me pasojë vdekjen e 2 fëmijëve, Hita pezullon drejtuesit e Policisë Durrës
Pas aksidentit të rëndë me pasojë vdekjen e 2 fëmijëve në Durrës, drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave zinxhirin drejtues të policisë së Durrësit:
Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.
“Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast”, bëhet me dije në një njoftim të policisë.
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në vend të Tafës është komanduar përkohësisht Ervin Hodaj.