Lidhje


Zgjrim për "Rilindjen"

Nga Fatmir Baci
 
 
Mendoj se vetë termi “Rilindje” përbën një problem jo pak të ngatërruar, racionalisht të pamundur e aq më pak të besueshëm. Që në tingullin e parë fjala mbart një premtim që ngjan madhështor, ndërsa në përmbajtje fsheh një konfuzion të denjë për seminare të tëra filozofie politike, antropologjie kulturore dhe psikologjie kolektive. Sa më gjatë të soditet, aq më shumë fiton tiparet e një metafore që ka humbur adresën e vet, një koncepti që endet në kërkim të objektit që do të duhej ta justifikonte. Në njëfarë mënyre, “Rilindja” ngjan me ato valixhet e harruara në stacionet e vjetra; mbajnë etiketa udhëtimesh të shumta, ndërsa askush nuk di më kujt i përkasin.
 
 
Në rrafshin fizik, bëhet fjalë për një absurd banal. Ligjet e natyrës shfaqin një këmbëngulje pothuajse kokëfortë ndaj rendit të tyre dhe nuk tregojnë ndonjë entuziazëm të veçantë për eksperimentet retorike. U përpoqa ta imagjinoj se Edi Rama mund të rilindte sërish dhe, të them të drejtën, mu duk mjaft makabre për ta kthyer atje nga ka dalë pa pasoja serioze, për të simuluar kështu një mundësi fizike të rilindjes. Vetë ideja krijon vështirësi logjistike që do ta lodhnin edhe administratën më optimiste. Nuk jam i sigurt se vetë protagonistët e këtij akti të mundshëm do të pajtoheshin me një veprim të tillë, aq më tepër kur çdo proces lindjeje zakonisht kërkon një dakordësi minimale nga pjesëmarrësit dhe një kujtesë selektive nga spektatorët.
 
 
Madje, po të merrej seriozisht si projekt praktik, do të lindnin pyetje që i tejkalojnë kapacitetet e çdo ministrie. Kush do të certifikonte rilindjen? Cili institucion do të administronte procedurën? A do të pajisej subjekti me dokumente të reja, apo do të vazhdonte me të vjetrat, duke shënuar në ndonjë rubrikë burokratike se personi në fjalë është një version i përditësuar i vetvetes? Vetëm formularët që do të kërkoheshin për një operacion të tillë mjaftojnë për të shuar çdo entuziazëm metafizik.
 
 
Në rrafshin ideor, jam tërësisht skeptik se diçka e tillë është e realizueshme qoftë edhe me ndihmën e fantashkencës, pasi asnjë ide njerëzore nuk ka njohur një përsëritje apo rilindje as në thelb e as përciptazi. Idetë udhëtojnë, transformohen, maskohen, ndërrojnë emra, veshje dhe sloganë, marrin hua nga njëra-tjetra dhe kthejnë borxhe me interes subjektiv, ndërsa ruajnë gjurmët e kohës që i ka prodhuar. Historia e mendimit ngjan më shumë me një lumë që mbledh degëzime të reja sesa me një maternitet ku konceptet paraqiten periodikisht për të lindur përsëri. Edhe kur një ide rikthehet në skenë, ajo mbërrin e ngarkuar me kujtime, plagë, korrigjime dhe iluzione të reja. Për këtë arsye, pretendimi për rilindje ideore ngjan me përpjekjen për të hyrë dy herë në të njëjtën fjali dhe për të shpresuar që kuptimi të mbetet i pandryshuar.
 
 
Filozofia e historisë flet për vazhdimësi, ndërprerje, transformime, kriza dhe kapërcime. Ajo ruan një rezervë të admirueshme ndaj nocioneve që premtojnë fillime absolute. Çdo epokë mbart sedimentet e epokave të mëparshme, njësoj si çdo qytet mban nën trotuaret e veta shtresat e qyteteve të dikurshme. Njeriu ecën mbi to pa i parë, ndërsa arkeologjia vazhdon të buzëqeshë me qetësinë e saj profesionale. Edhe konceptet bëjnë të njëjtën gjë; ndërtojnë kate të reja mbi themele të vjetra dhe pastaj sillen sikur e kanë shpikur gravitetin.
 
 
Në rrafshin konceptual, “Rilindja” është një gënjeshtër që kudërbon llahtarshem, me të cilën ndillet pjesa më patetike e skllavit diletant, drejt një mundësie që shërbehet me të shkuarën parake të aktit të lindjes dhe ndezullinë shpresën se, po të krijohej mundësia e “rilindjes”, skllavit në fjalë do t’i jepej mundësia që të lindte fisnik. Këtu koncepti fiton funksionin e një karameleje metafizike të mbështjellë me letër politike. I premtohet njeriut një fillim i ri pa u marrë me barrën e rrugës që e solli deri aty. I serviret ëndrra e një kredie ekzistenciale pa interes, ku e shkuara fshihet me gomë dhe karakteri shpërndahet me dekret. Në këtë pikë, “Rilindja” shndërrohet në një fabrikë shpresash të përdorura, të ripaketuara me kujdes dhe të vendosura në vitrinë si mall i sapoardhur.
 
 
Ky mekanizëm ushqehet nga një psikologji e njohur, ngase njeriu i vogë dëshiron shpesh një biografi pa pasojat e biografisë së vet. Dëshiron fitore pa disiplinë, prestigj pa meritë, madhështi pa mundim dhe, kur është e mundur, një histori të re pa shqetësimin e kujtesës. Në këtë treg të dëshirave, “Rilindja” paraqitet si ofertë sezonale. Premton atë që çdo shpirt i papërgatitur dëshiron të dëgjojë; mundësinë që fati të ndryshojë me një deklaratë dhe realiteti të reformohet me një slogan.
 
 
Vetë nocioni mbështetet mbi një keqkuptim të vjetër njerëzor; mbi dëshirën që origjina të ketë pushtet më të madh se përgjegjësia. Kjo dëshirë ushqehet nga bindja se një lindje tjetër do të zgjidhte atë që nuk u zgjidh në të parën. Në imagjinatën politike kjo merr trajtën e një populli që pret të zgjohet i ndryshuar vetëm sepse ka ndryshuar tabela mbi derë. Në imagjinatën personale merr trajtën e individit që pret fisnikëri nga kalendari, mençuri nga slogani dhe dinjitet nga reklama.
Një pjesë e madhe e historisë politike moderne duket sikur është ndërtuar mbi besimin se ndryshimi i emrit prodhon ndryshimin e substancës. Partitë ndërrojnë emërtime, institucionet ndërrojnë logo, programet ndërrojnë kopertina dhe publiku ftohet të sodisë spektaklin si dëshmi transformimi. Kjo ngjan me një aktor që ndryshon kostumin pesë herë gjatë shfaqjes dhe pret që publiku të harrojë fytyrën. Mirësjellja e spektatorit mund të jetë e pafundme, kujtesa e tij zakonisht ruan disa zakone të pakëndshme.
 
 
Në asnjë rrethanë “Rilindja” nuk është një akt që ndodh, pra nuk ndodh as në procesin fizik, as fiziologjik, as mental e as shpirtëror. Jeta njeh lindje, zhvillim, pjekuri, kalbje, transformim, kujtesë dhe ringritje. Secili prej këtyre proceseve ka peshën e vet ontologjike dhe kërkon kohën e vet. Vetë qenia njerëzore rritet duke mbajtur mbi vete historinë e saj, njësoj si pema që zgjeron trungun duke ruajtur rrathët e viteve të mëparshme. Asnjë dru nuk fiton madhështi duke harruar pyllin prej nga ka dalë.
 
 
Përvoja njerëzore njeh pendesën, kthesën, përmirësimin, shërimin, maturimin, ripërtëritjen dhe ringritjen. Këto procese kanë një dinjitet që buron nga përballja me realitetin. Secili prej tyre kërkon kohë, përpjekje dhe përgjegjësi. “Rilindja”, përkundrazi, paraqitet si një shkurtore metafizike përmes së cilës historia ftohet të dorëzohet përballë marketingut.
 
 
Aq më tepër që këtë sugjerim, “rilindjen”, e bën dikush i cili statusin e Ringjalljes Hyjnore kërkon ta zëvendësojë me “rilindje” tokësore. Këtu koncepti fiton një ambicie që tejkalon kufijtë e politikës dhe hyn në territorin e mitologjisë. Ringjallja, si kategori teologjike, i përket një rendi ku vepron vetëm Absoluti. “Rilindja” politike, përkundrazi, i përket botës së posterave, fushatave dhe konferencave për shtyp. Distanca ndërmjet këtyre dy horizonteve është aq e madhe saqë edhe metaforat më elastike rrezikojnë të këputen gjatë rrugës.
 
 
Në këtë pikë, nocioni fiton diçka nga karakteri i miteve të lashta. Premton transformime të jashtëzakonshme me mjete krejt të zakonshme. Kërkon të prodhojë transcendencë me procedura administrative, epokë të re me kabinet të ri dhe njeri të ri me dekor të ri. Edhe alkimistët mesjetarë, të cilët kërkonin të prodhonin ar nga metale të zakonshme, ruanin një raport më modest me kufijtë e realitetit.
 
 
Për pasojë, sa herë që dëgjoj fjalën “Rilindje”, më krijohet përshtypja se kam përballë një projekt që kërkon të shesë mrekulli me shumicë, ndërsa furnizohet me materiale krejtësisht tokësore. Më ngjan me një dyqan që reklamon eliksirin e përjetësisë dhe, pas banakut, shet bojë për fasada. Entuziazmi i shitësit mbetet mbresëlënës, buzëqeshja e tij po ashtu, ndërsa produkti vazhdon t’u përkasë ligjeve të zakonshme të gravitetit, kohës dhe konsumit. Pikërisht aty nis ironia e madhe e konceptit; sa më shumë premton lindje të reja, aq më qartë dëshmon moshën e vjetër të iluzioneve njerëzore.
 
 
*Shkrimi është i vjetër, i vitit 2013 , vit në në cilin Rilindja erdhi në pushtet
XS
SM
MD
LG