Lidhje


Makineria e manipulimit të Rilindjes në veprim për të mbrojtur investimin abuziv në Sazan dhe Zvërnec

Afera e zbarkimit të dhëndrit të Donald Trumpit në Shqipëri po provon edhe një herë se sa trushplarëse është fuqia e propagandës së rilindjes. Në shumicën e studiove televizive që kanë diskutuar këtë çështje janë shfaqur herë personazhe naivë, herë personazhe qesharakë dhe herë të tjerë qëllimkëqinj që e kanë bërë pa pikë gajle të zezën të bardhë. Lapsi.al që i ka monitoruar ato, ka vëzhguar një delir idiotesk. Për ta ilustruar ne kemi marrë një shembull të vetëm. Si janë pasqyruar në debatet e mbrëmjes shkrimet e New York Times, Newsweek dhe Frankfurter Allemegne Zeitung.

 

Kush i ka lexuar ato – tezat kryesore të të cilave i ka përkthyer dhe Lapsi.al-, e ka vënë re se ka shumë nota kritike dhe dyshuese. Aty aludohet për korrupsion, konfikt interesi dhe investime që bëhen në këmbim të favoreve politike.

 

Po pyetja është se si ia përciellin këto mesazhe publikut ata që janë të ftuar në debate, në ‘prime time’? Skandali i parë i takon emisionit të Top Channel, Top Story të ditës së hënë. Aty që e ftuar një gazetare e lajmeve të këtij televizioni, nga ato që shfaqen rrallë në debatet e orës 9, e që pikërisht për këtë arsye duhet të jetë e kujdesshme deri në skrupolozitet për të lënë një imazh të mirë në publik. Por po të shohesh se ç’tha Kristi Gongo vë duart në kokë. Pasi mburi pa asnjë mëdyshje këtë investim gjigand, ajo lëshoi edhe frazën e papritur: “Përmendja nga New York Times se në Shqipëri do të investojë dhëndri i Donald Trump e bën vendin më të njohur në sytë e botës”, deklamoi ajo me mburrje (shiko videon poshtë).

 

Eshtë e vështirë të thuhet nëse Gongo se ka lexuar fare artikullin, e ka lexuar dhe se ka kuptuar, apo thjesht e interpreton ashtu si i thonë. Por një gjë është e sigurtë: ky spekullim i pastër kaloi pa asnjë ndërhyrje në studio, as nga moderatorja Grida Duma, as nga të pranishmit. Gjithçka u la të merrej si e vërtetë dhe askush nuk përmendi në bisedë një detaj kritik nga e përditshmja njujorkeze.

 

Edhe më zi u shfaq një tjetër i ftuar, që rrallë del në ‘prime time’, Vasil Bedini i shoqatës së turizmit të Vlorës. Pasi i thurri hymn krenërisë shqiptare të lartësuar këto vite, zhvillimit mbresëlënës të turizmit dhe pasi shau kritizerët e punës së qeverisë ai vazhdoi:“Në vendin tonë po vjen një zotëri (Jared Kushner/shënim lapsi.al), për të cilin po flasin gjithë gazetat e botës dhe po shfaqin interes mediat botërore” tha me një vetësiguri të habitshme Bedini. Fati qe që studioja e Eni Vasilit ishte e ekuilibruar dhe aty të paktën ndërhyri Endi Shabani që ia ktheu: “Nuk e di nëse kupton anglisht, po mediat botërore nuk po flasin për mirë” (video poshtë).

 

Mjaftojnë këto dy episode, për të ilustruar shumë të ngjashëm të tyre, për të kuptuar se edhe me investimin e dhëndrit të Trump, Jared Kushner dhe ish ambasadorit Grenell, po ndiqet e njëjta teknologji që u bë me portin e Durrësit për Alabarin. Edhe atëhere flitej për madhështinë e kompanisë EMAAR, që nuk u shfaq kurrë, për të fshehur faljen e tokës dhe zhvendosjen 500 milionë euroshe të portit të mallrave.

 

Historia po përsëritet por këtë herë deri në spekulime vulgare duke i shitur edhe artikuj si ato të New York Times, Newsweek dhe Frankfurter Allemegne Zeitung, si pozitive për imazhin ë Shqipërisë./Nga Lapsi.al

XS
SM
MD
LG