25 vjet "luftë kundër terrorit": si u bë Islamofobia politikë zyrtare
Nga Mobashra Tazamal per The Bridge Initiative
Një çerek shekulli pas 11 shtatorit, "Lufta kundër Terrorit" nuk ka marrë fund. Ajo thjesht ka evoluar. Ajo që nisi si përgjigje ndaj një sulmi u kthye në një arkitekturë të qëndrueshme dyshimi, e cila e shpalli kërcënim sigurie vetë identitetin musliman.
Më 11 shtator 2001, 19 anëtarë të organizatës militante transnacionale joshtetërore al-Kaida rrëmbyen katër avionë komercialë udhëtarësh në Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një sulmi të koordinuar kundër vendit. Rrëmbyesit i përplasën dy avionë në kullat e Qendrës Tregtare Botërore në Nju Jork dhe një në Pentagon, në Arlington të Virxhinias. Avioni i fundit kishte si shënjestër Shtëpinë e Bardhë, por udhëtarët rezistuan dhe rrëmbyesit e rrëzuan atë në një arë në zonën rurale të Pensilvanisë. Gjithsej humbën jetën 2.977 veta. Ishte sulmi më vdekjeprurës i një aktori të huaj në tokën amerikane që nga Pearl Harbor-i (1941).
Zyrtarët, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara, George W. Bush, e cilësuan sulmin si akt lufte. Tri ditë pas sulmit, Kongresi miratoi thuajse njëzëri Autorizimin për Përdorimin e Forcës Ushtarake (AUMF), duke i dhënë presidentit dhe degës ekzekutive pushtet të pakufizuar për të përdorur forcën. Pesë ditë pas miratimit të këtij ligji historik, presidenti Bush iu drejtua kombit me një fjalim ku parashtroi përgjigjen e SHBA-së ndaj sulmeve: Luftën Globale kundër Terrorit.
Parametrat e kësaj lufte ishin të gjerë: ajo përfshinte çdo komb apo grup që nuk qëndronte krah Amerikës në këtë përballje kundër “terrorizmit”, term i papërcaktuar mirë dhe i turbullt. Lufta ishte pa kufij dhe pa afat, dhe, në vend që të përcaktonte një armik të qartë, fjalimi i presidentit Bush e kornizoi konfliktin e armatosur në terma qytetërimorë, duke e shndërruar në një përballje ekzistenciale mes “së mirës” dhe “së keqes”. Megjithëse presidenti Bush pohonte se lufta nuk ishte kundër Islamit, por kundër “terroristëve” që praktikojnë “një formë periferike të ekstremizmit islamik, të hedhur poshtë nga dijetarët muslimanë dhe nga shumica dërrmuese e klerikëve muslimanë”, retorika dhe politikat që pasuan i panë rregullisht të gjithë muslimanët përmes lentes së dyshimit dhe e paraqitën Islamin si fe që nxit dhunën. Ky kornizim ka ndikuar dhe ka formësuar ndjeshëm veprimet e Amerikës gjatë 25 vjetëve të fundit dhe ka luajtur rol kyç në futjen e Islamofobisë në rrymën kryesore dhe në globalizimin e saj sot.
Pas 11 shtatorit, disa ngjarje, politika dhe projekte kyçe formësuan mënyrën se si Amerika e kuptonte terrorizmin dhe se kush ishin terroristët. Shumë prej tyre, megjithatë, nuk mbështeteshin në analizë rigoroze me arsyetim shkencor dhe metodologji të shëndosha; ato u ngritën mbi stereotipe thellësisht raciste e të dëmshme për Islamin, muslimanët dhe arabët, shumica e të cilave datojnë që nga koha e Kryqëzatave. Vetë presidenti Bush e iu referua kësaj trashëgimie kur iu drejtua popullit amerikan disa ditë pas sulmit, duke e cilësuar “luftën kundër terrorizmit” si një “kryqëzatë”. Kryqëzatat u zhvilluan midis shekujve XI dhe XIV dhe ishin një varg fushatash ushtarake fetare mes të krishterëve të Evropës Perëndimore dhe muslimanëve, me synim kontrollin e vendeve të shenjta në Tokën e Shenjtë. Shumë studiues dhe udhëheqës fetarë e tregojnë pikërisht këtë periudhë si atë në të cilën lindën stereotipet dhe klishetë islamofobike e orientaliste. Kryesoret ishin se muslimanët (të barazuar shpesh me arabët) ishin të dhunshëm, seksualisht të shthurur, misogjinistë, heretikë dhe të paqytetëruar, dhe se Islami ishte fe e rreme që nxiste dhunën e sundimin. Ky skenar shekullor është saktësisht ai që ringjalli retorika e pas 11 shtatorit.
Lufta kundër terrorit dhe ligjërimi i “kundërterrorizmit”
Nënrrymat fetare dhe përdorimi i terminologjisë frikëndjellëse të “terroristëve”, “ekstremistëve”, “fundamentalistëve” dhe “radikalëve” e paraqitën këtë konflikt jo si luftë mes dy grupeve politike, por si përballje qytetërimore dhe ekzistenciale. Kështu, çdo veprim i ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara justifikohej me pretekstin se bëhej fjalë për mbrojtjen e drejtë të qytetërimit perëndimor nga një armik barbar e fanatik, i vendosur ta shkatërronte. Ky ligjërim ka luajtur rol vendimtar në justifikimin e politikave çnjerëzuese e të dhunshme dhe është eksportuar anembanë globit. Është me rëndësi të theksohet, megjithatë, se ndërsa Lufta kundër Terrorit ngriti skeletin institucional rreth Islamofobisë dhe qeverisjes së subjektit musliman, format sistemike e ndërpersonale të racizmit antimusliman nëpër botë (qoftë në Evropë, qoftë në Jugun global) marrin ngjyrim dhe ndikohen nga konteksti lokal, historitë dhe gjeopolitika.
Në vitet dhe dekadat pas 11 shtatorit, narrativa mbizotëruese i ka konsideruar muslimanët kolektivisht përgjegjës për 11 shtatorin dhe për çdo akt dhune të mëpasshëm me autorë muslimanë, duke i paraqitur si nga natyra të prekshëm ndaj terrorizmit dhe duke e cilësuar vetë Islamin si fe që nxit dhunën. Kjo klimë nxori në skenë një industri të tërë artizanale ekspertësh të vetëshpallur të “kundërterrorizmit”. Këta “ekspertë” ua shitën “ekspertizën” e tyre për Islamin dhe terrorizmin agjencive federale e lokale të zbatimit të ligjit, duke fituar drejtpërdrejt nga programet e granteve të Departamentit të Sigurisë Kombëtare. “Kërkimet” dhe analizat e tyre ndihmuan në ndërtimin dhe mbajtjen në këmbë të programeve e politikave të tëra të mbështetura mbi një premisë raciste.
Ligjërimi u ashpërsua ndërsa qeveria amerikane ndërmerrte masa të paraqitura si përgjigje ndaj sulmeve të 11 shtatorit. Këto veprime përfshinin, por nuk kufizoheshin, në pushtimin amerikan të Afganistanit në tetor 2001, ngritjen e burgut ushtarak në Guantanamo në vitin 2002, pushtimin e Irakut në vitin 2003 (luftë agresioni e nisur mbi akuza të rreme e të manipuluara), përdorimin e dorëzimeve të jashtëzakonshme dhe të torturës, burgjet e fshehta të CIA-s, institucionalizimin e luftës me dronë dhe destabilizimin e vendeve të tëra, që solli migrim masiv dhe kriza refugjatësh. Në një raport të shtatorit 2021, projekti “Kostot e Luftës” vlerësoi se të paktën 37 milionë “njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre në tetë luftërat më të dhunshme që ushtria amerikane ka nisur ose në të cilat ka marrë pjesë që nga viti 2001”. Në një artikull të vitit 2023 për revistën NYU Review of Law & Social Change, Azadeh Shahshahani dhe Divya Babbula arritën në përfundimin se “Lufta Globale kundër Terrorit u ka shkaktuar dëme të qëndrueshme individëve, komuniteteve, burimeve natyrore, infrastrukturës dhe ekonomive të vendeve të shënjestruara”.
Brenda vendit (në SHBA), pushteti i zgjeruar i qeverisë solli pranimin e pakontrolluar dhe jokritik të programeve e politikave të “kundërterrorizmit”, të cilat e shihnin një segment të caktuar të popullsisë (arabët dhe/ose amerikanët muslimanë) përmes lentes së dyshimit. Prezumimi ishte: fajtor derisa të provohet i pafajshëm. Ky sekuritizim i Islamit dhe i muslimanëve u shpreh përmes politikash si Sistemi Kombëtar i Regjistrimit të Hyrje-Daljeve për Sigurinë (NSEERS), krijimi i një Baze të Dhënash për Filtrimin e Terrorizmit (ku 98 për qind e personave në listë janë muslimanë), listës së ndalimit të fluturimit (mbi 99 për qind e personave në listë janë muslimanë), përdorimi i informatorëve dhe i kurtheve policore në fabrikimin e çështjeve të “terrorizmit”, survejimi i xhamive, i organizatave muslimane dhe i amerikanëve muslimanë, burgosja e muslimanëve me pretekstin se lidheshin me “terrorizmin”/ekstremizmin, si dhe zgjerimi i akuzave penale (bie fjala, “mbështetje materiale”) mbi bazën e të cilave gjykoheshin muslimanët. Gjatë dy dekadave të fundit, rezultati ka qenë gërryerja e mbrojtjeve kushtetuese për muslimanët dhe arabët, intensifikimi i militarizimit të policisë, si dhe krijimi e ngurtësimi i industrisë artizanale të “kundërterrorizmit”, e cila ka qenë çelësi i furnizimit me shkencë të rreme për të justifikuar politika të rrënjosura në racizëm.
Ngritja e industrisë së Islamofobisë
Para influencuesve të sotëm të rrjeteve sociale ishin blogerët islamofobë të pas 11 shtatorit, zërat e të cilëve luajtën rol të rëndësishëm në formësimin e perceptimit dhe të opinionit publik ndaj Islamit e muslimanëve. Krahas mediave që i portretizonin muslimanët si ekstremistë, terroristë dhe radikalë, kjo industri zërash e organizatash fabrikoi kërcënime dhe histeri rreth një rreziku të supozuar e të sajuar që gjoja vinte nga Islami dhe muslimanët. Zëra si Pamela Geller dhe Robert Spencer fituan popullaritet e famë të keqe, sidomos në të djathtën, ndërsa retorikën e tyre islamofobe e kornizonin si fushatë jetike për mbrojtjen e Amerikës dhe të amerikanëve. Industria e islamofobisë, siç ka ardhur e është identifikuar, përfshinte blogerë e shkrimtarë si Geller-i dhe Spencer-i, por edhe grupe mendimi, rrjete mediatike, politikanë, organizata të bazës dhe aktivistë. Frymë kësaj i jepnin fondet e këshilluara nga donatorët dhe organizatat bamirëse, të cilat kanalizuan miliona dollarë për të mbajtur e për të ndërtuar këta zëra. Islamofobia u bë taktikë politike kyçe: politikanët pretendonin se kërcënimi më i madh ishin Islami, muslimanët dhe terrorizmi, dhe se vetëm ata mund ta ndalnin. U bë gjithashtu strategji fitimprurëse dhe e leverdishme zgjedhore, e ndërtuar mbi çnjerëzimin e miliarda njerëzve.
Në atmosferën e pas 11 shtatorit, një pjesë e kësaj industrie u mbivendos me industrinë artizanale të ekspertëve e komentuesve të vetëshpallur të “kundërterrorizmit”. Këta zëra promovuan logjikën islamofobe për përfitim personal dhe shpesh financiar. Disa i paraqitën përvojat e tyre të pretenduara si “ish-radikalë” ose “ish-ekstremistë” si kredencialet mbi të cilat mbështetej ekspertiza e tyre. Këta zëra priteshin rregullisht në rrjetet kryesore mediatike dhe mbështeteshin nga qeveritë për të dhënë shpjegime shkencërisht të pabaza, sidomos pas ndonjë sulmi të dhunshëm me autor musliman. Shumë prej tyre i përdorën argumentet e veta për të mbështetur politikat e “luftimit të ekstremizmit të dhunshëm”, të ngritura mbi idenë se konservatorizmi fetar islam i bënte individët më të prirur për të kryer dhunë. Këta zëra i ka shumëfishuar dhe argumentet e tyre i ka legjitimuar një aparat më i gjerë, brenda të cilit gjuha e “terrorizmit” dhe e “ekstremizmit” është zbatuar dhe vazhdon të zbatohet thuajse ekskluzivisht për krime të kryera nga muslimanë, duke prodhuar pikërisht ato të dhëna që përdoren pastaj për të justifikuar pretendimin racist se muslimanët janë nga natyra të prirur ndaj dhunës. Është një lak rrethor.
Kostoja e luftës
Ndonëse shifrat reale ka gjasa të jenë më të larta, projekti Kostot e Luftës i Universitetit Brown vlerëson se afër një milion njerëz kanë vdekur në luftërat e pas 11 shtatorit si pasojë e dhunës së drejtpërdrejtë luftarake. Nga mbi 940.000 të vlerësuar, thuajse 50 për qind ishin civilë të vrarë në Irak, Afganistan, Siri, Jemen dhe Pakistan midis viteve 2001 dhe 2023. Lufta kundër Terrorit nuk kufizohet te bombat dhe sulmet me dronë. Siç e ka analizuar projekti Kostot e Luftës, ajo vazhdon të shkaktojë vdekje e plagosje si pasojë e shkatërrimit që lufta u ka sjellë ekonomive, shërbimeve publike, infrastrukturës dhe mjedisit. Projekti konstaton se rreth 3,6 deri 3,8 milionë njerëz kanë vdekur tërthorazi në zonat e luftës pas 11 shtatorit, duke e çuar bilancin e përgjithshëm të viktimave në të paktën 4,5 deri 4,7 milionë, dhe numri vazhdon të rritet. Sa u përket kostove monetare, një raport i vitit 2021 i projektit Kostot e Luftës konstatoi se 20 vjet luftërash pas 11 shtatorit i kanë kushtuar SHBA-së rreth 8 trilionë dollarë.
Sot, lufta kundër terrorit e pas 11 shtatorit është zgjeruar në mënyrë eksponenciale, duke përfshirë operacione dhe angazhime në mbi 78 vende. Projekti Kostot e Luftës thotë se ajo përfshin “sulme ajrore kundër objektivave militante, përballje luftarake me militantë, drejtimin e stërvitjeve ushtarake dhe eksportimin e një modeli të militarizuar kundërterrorizmi në dhjetëra vende përmes ‘trajnimit dhe asistencës’”. Kjo ka ndodhur falë narrativave, taktikave dhe mbrojtjeve institucionale islamofobe që iu dhanë autoriteteve në ditët pas 11 shtatorit. Ajo që iu paraqit publikut si e vetmja mënyrë për të mbrojtur Amerikën përballë një sulmi, është shndërruar prej një çerek shekulli në armë për të nisur fushata terrori e represioni kundër miliona civilëve të pafajshëm anembanë globit.
Administrata Trump dhe sulmet e saj ndaj komuniteteve të margjinalizuara
Logjika islamofobe e pas 11 shtatorit varet nga premisa se identiteti i një personi mund të jetë çështje sigurie. Pas sulmeve, shteti e cilësoi identitetin musliman si kërcënim. Në dekadat në vijim, ky argument racist është përdorur, promovuar dhe institucionalizuar nga zëra e autoritete në Shtetet e Bashkuara dhe anembanë globit. Një çerek shekulli më vonë, arkitektura e tij mbetet në këmbë, por është zgjeruar për t’i paraqitur si kërcënim edhe identitete të tjera.
Administrata Trump e thithi industrinë e Islamofobisë në rrymën kryesore, ndërsa racizmi anti-musliman u bë platforma e politikave të administratës së parë. Bashkë me vetë Donald Trumpin, të emëruarit e lartë ndanin bindjen e përbashkët se Islami dhe muslimanët janë rrezik për Shtetet e Bashkuara. Jo vetëm kaq: shumë prej tyre kishin lidhje me industrinë e Islamofobisë dhe rolet e tyre në qeveri u lejuan zërave e pikëpamjeve periferike të kalonin nga blogjet e platformat e rrjeteve sociale në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë. Ndërsa disa ishin të lidhur me industrinë e Islamofobisë (bie fjala, Mike Pompeo), të tjerë ishin drejtpërdrejt pjesë e saj (bie fjala, Stephen Miller). Nuk është për t’u çuditur, pra, që në mandatin e tij të parë Donald Trumpi i veçoi Islamin dhe muslimanët si çështjen kryesore të politikave, duke demonizuar vazhdimisht besimin dhe komunitetin dhe duke gërryer mbrojtjet kushtetuese përmes diskriminimit të një popullsie për shkak të besimit të saj. Shprehja më domethënëse e kësaj ishte Ndalimi Musliman.
Precedentët ligjorë të pas 11 shtatorit i hapën rrugën sulmeve ndaj komuniteteve emigrante nga administrata Trump, si në mandatin e parë, ashtu edhe në të dytin. Komunitetet emigrante me ngjyrë janë cilësuar herë pas here kërcënim për sigurinë kombëtare, çka ka sjellë militarizimin e autoriteteve federale, të cilat i janë përgjigjur këtij “kërcënimi” të sajuar me një dhunë që i përngjan shumë më tepër operacioneve kundërterroriste sesa punës së përditshme policore. Këtë e kemi parë më qartë te mënyra se si ICE ka terrorizuar komunitete anembanë vendit, duke sjellë arrestime fëmijësh dhe madje disa vdekje. Pjesa më e madhe e kësaj është lejuar të ndodhë falë zgjerimit të autoritetit ekzekutiv që pasoi 11 shtatorin, i cili i dha presidentit pushtetin për të “përcaktuar, ndaluar dhe deportuar njerëz” që i quan “terroristë”.
25 vjet më vonë
Një çerek shekulli më vonë, gjuha dhe infrastruktura e Luftës kundër Terrorit mbeten fort në vend, mjaftueshëm elastike sa të zgjerohen sipas vullnetit të një autoriteti presidencial që mund të shpallë njëanshëm kërcënim një komunitet të margjinalizuar, me pak ose aspak mbikëqyrje e llogaridhënie. Polarizimi ekstrem, pranimi dhe kremtimi i Islamofobisë si këndvështrim legjitim, si dhe kostoja në rritje e jetesës u kanë dhënë politikanëve hapësirë për të përshkallëzuar retorikën e tyre paragjykuese, duke e bërë një komunitet të tërë kokë turku për të mbuluar dështimet e veta institucionale dhe përfitimet personale të korruptuara. Sot kemi anëtarë të Kongresit që thonë haptazi pa asnjë pasojë se qentë janë të preferueshëm ndaj muslimanëve dhe se “muslimanët nuk i takojnë shoqërisë amerikane”. Kjo nuk do të pranohej dhe nuk do të tolerohej kurrë (dhe me të drejtë), po të bëhej fjalë për pjesëtarë të cilitdo komunitet tjetër. Komunitetet muslimane në Shtetet e Bashkuara dhe anembanë globit vazhdojnë të përballen çdo ditë me pasojat e 11 shtatorit, ndërsa besimi i tyre demonizohet rregullisht dhe ata që janë në pushtet vazhdojnë t’i dehumanizojnë.
Një përgjigje refleksive, hakmarrëse, ndaj vdekjes së mijëra amerikanëve u fry si ortek në dekada lufte e dhune të pafund jashtë vendit, duke vrarë miliona muslimanë, dhe në gërryerjen e të drejtave e lirive civile brenda vendit. Sot ajo ka prodhuar një degë ekzekutive pa fre, në timonin e së cilës qëndron një udhëheqës autoritar i përqendruar në gërryerjen e mbrojtjeve kushtetuese. Mund të kenë kaluar 25 vjet nga ajo ditë e tmerrshme, por pasgoditjet vazhdojnë ta çojnë Amerikën në një udhë të rrezikshme, gjithnjë e më larg premtimit të saj themelues për një komb demokratik e pluralist për të gjithë qytetarët e vet.