Lidhje


Integriteti i autoritetit fetar përballë pushtetit, servilizmit dhe zullumit

Nga Adnan Qaka
 
 
Përmendet se njëri nga udhëheqësit ishte falur pas një imami, i cili e kishte zakon të lexojë Kur’an gjatë në namaz. Udhëheqësit dikur i humbi durimi, prandaj, i frustruar, e shau imamin para masës, e më pas kërkoi nga ai që të mos lexonte më tepër se një varg të Kur’anit brenda një rekati të namazit. Sigurisht se nënçmimi para masës është tepër shqetësues dhe urdhri i udhëheqësit ishte akoma më shqetësues, po durimi i imamit sfidoi të gjitha këto, prandaj, në vend të reagimit, zgjodhi mënyrën tjetër dhe deshi t’i jepte një leksion udhëheqësit që s’do ta harronte në të gjallë të tij. Në namazin e akshamit, udhëheqësi ishte prezent dhe po priste se çfarë do të bënte imami. Do të lexonte si zakonisht gjatë apo do të shkonte sipas urdhrit të udhëheqësit.
 
 
Imami filloi namazin dhe, në rekatin e parë, pas Fatihasë, lexoi vetëm këtë ajet (varg): “O Zoti ynë, ne iu bindëm parisë sonë dhe eprorëve tanë, por ata na shmangën prej rrugës së drejtë.” (Kur’ani, El-Ahzab, 33:67). Në rekatin e dytë, pas Fatihasë, imami lexoi gjithashtu vetëm një ajet, e në përzgjedhjen e tij ishin këto fjalë: “O Zoti ynë, atyre jepu dënim të dyfishtë dhe mallkim të madh!” (Kur’ani, El-Ahzab, 33:68). Kësaj radhe, udhëheqësi ishte edhe më i frustruar me imamin, ndonëse ky i fundit kishte vepruar sipas porosisë së udhëheqësit, sepse këto dy ajete të shkurtra flisnin për liderët që i shmangin njerëzit nga rruga e drejtë, prandaj edhe pasuesit e tyre kërkojnë nga Zoti që liderëve t’ua dyfishojë ndëshkimin. Pas përfundimit të namazit, shenjat e frustrimit dhe turpit shiheshin haptazi në fytyrën e udhëheqësit, mirëpo ç’të bënte dhe ç’të thoshte, kur vetë e kishte urdhëruar imamin të lexonte vetëm një ajet dhe ai ashtu edhe bëri. Ai iu drejtua imamit me këto fjalë: “O ti imam, zgjate sa të duash dhe lexo ç’të duash, me përjashtim të këtyre dy ajeteve që i lexove!”
 
 
Në historinë islame ka disa raste të njohura kur dijetarët nuk iu nënshtruan pushtetarëve, por qëndruan të palëkundur në të vërtetën dhe e thanë hakun, duke e vendosur bindjen ndaj Allahut mbi frikën nga njerëzit dhe pushteti. Ata e dinin se pushteti është i përkohshëm, ndërsa fjala e drejtë dhe përgjegjësia para Allahut mbeten. Në këtë frymë përmendet edhe një qëndrim i atribuar Shejh Muhamed Metwally el-Sha'arawit përpara ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak, në vitin 1995, ku ai shprehet me fjalë të drejtpërdrejta dhe pa hipokrizi: “Zotëri President, unë qëndroj në prag të kësaj bote, duke pritur takimin tim me Zotin tim, dhe nuk do ta takoj Zotin tim me fjalë hipokrizie, as nuk do ta justifikoj arrogancën time me guxim të rremë. Por të gjithë duhet ta dinë: mbretëria i përket Allahut; Ai ia jep kujt të dojë, dhe askush nuk mund të komplotojë kundër Tij, e as askush nuk mund ta marrë atë që Ai ka caktuar. Kujtdo që Allahu i jep një përgjegjësi, Ai e ndihmon në të; nëse ai është i drejtë, drejtësia e tij do të sjellë dobi dhe do të përhapet, ndërsa, nëse është i padrejtë, Allahu do ta bëjë padrejtësinë të shëmtuar në sytë e njerëzve dhe do t’i bëjë njerëzit ta urrejnë shtypësin, edhe nëse ai është sundimtari.” Është sikur el-Sha'arawi t’i dërgonte një mesazh çdo njeriu që mban një pozitë pushteti: “Mos e kërko atë; ji ai që kërkohet, sepse ai që e kërkon një pozitë mund të sprovohet me të, ndërsa ai që kërkohet për një përgjegjësi, le ta kërkojë ndihmën e Allahut për ta përmbushur atë.” Dhe takimin e mbyll me fjalë të fuqishme: “Nëse ju jeni fati ynë, Allahu ju dhëntë sukses; e nëse ne jemi fati juaj, Allahu ju ndihmoftë ta përballoni atë që duhet.” Ky është një qëndrim që simbolizon guximin, dinjitetin dhe sinqeritetin; jo servilizëm ndaj pushtetit, por përgjegjësi para Allahut; jo frikë nga njerëzit, por respekt për të vërtetën. Njerëzit vijnë e shkojnë, pushtetet ngrihen e bien, por fjala e thënë me të drejtë dhe me sinqeritet mund të mbetet gjatë në kujtesën e njerëzve.
 
Fatkeqësisht, sot hoxhallarët shqiptarë, shumica dërrmuese e tyre, janë servilë, jo idealistë, përfitues dhe jo përparimtarë. Unë i çmoj personalisht ata që kanë integritet të lartë intelektual dhe moral, por më shqetëson fakti se i injorojnë ata besimtarë që nuk kanë pozitë dhe pasuri, sidomos kur janë edhe intelektualë. Në vazhdimësi rreshtohen për zullumqarët, mashtruesit dhe përfituesit dhe janë anues tek të fortit dhe tek ata që nuk kanë vlera, sidomos tek ata që janë injorantë dhe të nënshtruar ndaj bindjeve të tyre fetare. Kjo është një dukuri që meriton të kritikohet pa frikë dhe pa servilizëm, sepse misioni i autoritetit fetar nuk mund të jetë t’i shërbejë pushtetit, pasurisë dhe pozitës, por së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Një hoxhë, një imam apo një dijetar fetar që ka integritet të lartë intelektual dhe moral nuk duhet ta masë njeriun sipas pozitës që ka, pasurisë që posedon apo ndikimit që ushtron, por sipas karakterit, dijes, ndershmërisë dhe kontributit të tij për të mirën. Është veçanërisht e dhimbshme kur një besimtar i zakonshëm, i cili nuk ka pozitë dhe pasuri, injorohet, ndërsa një individ me pushtet, ndikim apo pasuri pritet me respekt, nderohet dhe i kushtohet vëmendje e veçantë. Edhe më e rëndë është kur intelektuali i pavarur, ai që mendon, analizon dhe nuk pranon verbërisht çdo autoritet, shihet si i pa vler, ndërsa injoranti dhe i nënshtruari, vetëm pse është i bindur ndaj autoritetit fetar, trajtohet si më i pranueshëm. Një qasje e tillë e deformon vetë kuptimin e autoritetit fetar dhe e shndërron fenë nga një forcë e emancipimit moral dhe intelektual në një mekanizëm konformizmi dhe nënshtrimi. Më shqetësuese akoma është kur disa prej tyre, në vend që të jenë zëri i atyre që nuk kanë zë, vazhdimisht rreshtohen përkrah zullumqarëve, mashtruesve dhe përfituesve, duke u afruar me të fortët dhe duke i anashkaluar të dobëtit.
 
 
Kjo nuk është thjesht dobësi personale; është një problem serioz moral, sepse kur autoriteti fetar e humb pavarësinë përballë pushtetit, ai rrezikon të bëhet pjesë e mekanizmit që legjitimon padrejtësinë. Feja nuk ka nevojë për figura që u përkulen të fortëve dhe bëhen të ashpra me të dobëtit; ajo ka nevojë për njerëz me karakter, dije, guxim dhe integritet, njerëz që nuk e shesin të vërtetën për një afërsi me pushtetin, për një përfitim personal apo për një pozitë shoqërore. Historia e imamit që, brenda kufizimit që i ishte vendosur, zgjodhi pikërisht dy ajete që ia kthyen urdhrin udhëheqësit në një pasqyrë morale, është një shembull i fuqishëm se si inteligjenca, durimi dhe integriteti mund të jenë më të forta se konfrontimi i drejtpërdrejtë. Imami nuk e sfidoi udhëheqësin me britma, nuk e ofendoi dhe nuk u përplas me të; ai thjesht e la fjalën e Kur’anit të fliste. Dhe pikërisht aty qëndron fuqia e saj. Udhëheqësi kërkoi që imami të mos lexonte më shumë se një ajet, ndërsa imami ia tregoi pasojën morale të bindjes ndaj udhëheqësve që i largojnë njerëzit nga rruga e drejtë. Kjo na kujton se autoriteti i vërtetë nuk qëndron domosdoshmërisht te ai që ka pozitë, pushtet apo pasuri, por te ai që ka guximin të ruajë të vërtetën përballë pozitës, pushtetit dhe pasurisë. Prandaj, hoxhallarët shqiptarë, sikurse çdo autoritet tjetër moral e intelektual, duhet të jenë të parët që e kritikojnë servilizmin, korrupsionin moral, mashtrimin, përfitimin dhe nënshtrimin e verbër. Ata duhet të jenë përkrah të dobëtit kur i forti e shtyp, përkrah intelektualit kur ai injorohet për shkak të pavarësisë së mendimit, përkrah njeriut të ndershëm kur ai nuk ka pasuri e pozitë dhe kundër zullumqarit, edhe kur zullumqari është i fuqishëm. Sepse nëse një autoritet fetar është i guximshëm vetëm përballë të dobëtit, por i heshtur përballë të fuqishmit, atëherë problemi nuk është më vetëm te mungesa e guximit, por te vetë integriteti i tij moral. Autoriteti fetar duhet të jetë ndërgjegje e shoqërisë, jo dekor i pushtetit; duhet të jetë mbrojtës i së vërtetës, jo zëdhënës i interesave të të fuqishmëve; duhet të jetë burim i përparimit intelektual dhe moral, jo instrument i injorancës, nënshtrimit dhe konformizmit. Dhe pikërisht për këtë arsye, ata pak hoxhallarë që kanë integritet të lartë intelektual dhe moral, që nuk përkulen para pasurisë, pozitës dhe pushtetit, që nuk i injorojnë besimtarët pa pozitë e pasuri dhe që guxojnë ta kritikojnë të padrejtën pavarësisht se kush e ushtron atë, meritojnë respekt të veçantë. Sepse në fund, ajo që e përcakton madhështinë e një figure fetare nuk është numri i njerëzve që i binden, as afërsia e saj me të pasurit dhe pushtetarët, por aftësia për të qëndruar drejtë atëherë kur është më e lehtë të përkulesh.
XS
SM
MD
LG