Lidhje


Surpriza Franceze: Aleanca e majtë që fiton zgjedhjet/Analizë

Përkundër sondazheve dhe parashikimeve të javëve të fundit në Francë, aleanca e majtë, "Fronti i ri Kombëtar" mori numrin më të lartë të vendeve në Asamblenë e Përgjithshme. Rassemblement National që parashikohej fitues, sipas llogaritjeve është renditur partia e tretë. Drejtuesi jozyrtar i Frontit të majtë, Jean-Luc Mélenchon e deklaroi veten fitues dhe tha se "pasioni republikan" ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm. Deri para një jave parashikohej një fitore e ekstremistëve të djathtë. "Populli e pengoi këtë", brohoriti Jean-Luc Mélenchon, kreu i partisë radikale të majtë, "Franca e papërkulshme" para përkrahësve.

 

Presidenti Macron tani duhet të vendosë për një kryeministër nga e majta e Frontit të ri Kombëtar. Aleanca e majtë nuk e ka shumicën absolute në palrament, dhe është e varur nga një koalicion me partinë "Ensemble" të Emmanuel Macron. "Është një lehtësim i jashtëzakonshëm për njerëzit në Francë", iu drejtua Jean-Luc Mélenchon, përkrahësve të tij në Paris. Si në Paris edhe në shumë qytete të mëdha, aleanca e majtë mori shumicën e vendeve.


E djathta ekstreme nuk e priste vendin e tretë

 

Kreu i partisë ekstreme të djathtë, Rassemblement National (RN), Jordan Bardell dhe themeluesja e partisë, Marine Le Pen kishin përgatitur një festë të madhe fitoreje. Por në vend të kësaj pati fytyra të zhgënjyera në një festim pas zgjedhjeve në periferi të Parisit, Kreu i Rassemblement National (RN), Jordan Bardella tha se RN humbi, sepse e majta dhe presidenti Macron i hynë një "koalicioni të panatyrshëm". Në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare, e majta dhe partia e Macronit në shumë qarqe dërguan vetëm një kandidat të përbashkët për të penguar shumicën për RN. Kjo llogari që doli me sukses e zemëron Bardellan. "Votuesit janë të zhgënjyer", tha ai. RN mbetet alternativa e vetme kundrejt një politike të majtë dhe centriste.

 

Partia e Macronit forca e dytë

 

Presidenti Macron që mbrëmjen zgjedhore e kaloi në Pallatin Elize rrezikoi shumë me këtë manovër politike, por nuk humbi gjithçka. Macron pas rezultatit të dobët zgjedhor të partisë së tij në zgjedhjet europiane shpalli zgjedhje të parakohshme. Pas raundit të dytë vërtet ai pengoi marrjen e pushtetit nga e djathta ekstreme, por në vend të kësaj duhet të punojë tani me një të majtë pjesërisht ekstreme. Megjithatë partia e tij u rendit e dyta. Në përgjithësi edhe analistët kishin pritur një fitore të ndjeshme të Rassemblement National (RN).



Zgjedhjet në Francë shënuan një rekord pjesëmarrjeje të dielën (07.07.) me 67%. Duket se vendimi i papritur i Macron i mobilizoi francezët. Gesine Weber, analiste për Francën në "German Marshall Fund", tha për Deutsche Welle, se Emmanuel Macron me ngjitjen në pushtet në vitin 2017 është larguar shumë nga votuesit. "Ne e shohim, se francezët janë tërësisht të pakënaqur me politikën e tij. Plani i tij dhe projekti politik për të krijuar një forcë të re politike në qendër që të dobësojë skajet politike nuk funksionoi."

 

Në mediat franceze është cituar një këshilltar i presidentit Macron me fjalët. "Macron e jep çelësin për pushtetin politik tek deputetët. Ai nuk është më në Elize." Presidenti francez do të jetë i bllokuar deri në fund të mandatit të tij pas këtyre zgjedhjeve. Kushtetuta e parashikon përqëndrimin e pushtetit tek presidenti. Por në praktikë kjo mund të ndryshojë tani. Do të ketë një bashkëpunim të detyruar të presidentit me një qeveri, që e ka shumicën nga një fuqi tjetër politike. Vetë Emmanuel Macron e ka përjashtuar dorëheqjen. Ai mbetet përgjegjës për politikën e jashtme dhe mbrojtjen. Politikën e brendshme dhe ekonomike mund ta përcaktojë një qeveri nën drejtimin e një kryeministri të majtë. Kryeministri në detyrë, Gabriel Attal nga partia e Macron "Ensemble" ofroi që të dielën në mbrëmje dorëheqjen./DW

 

XS
SM
MD
LG