Lidhje


Kolapsi që na rikujtoi brishtësinë e botës tonë dixhitale

Nga Andrea Muratore, Il Giornale

 

Shërbimet bankare nga Afrika e Jugut deri në bursën e Londrës janë të paralizuara. Grupime të mëdha mediatike, nga Korporata e Transmetimeve Australiane deri tek Associated Press dhe Sky News UK, nuk janë në gjendje të transmetojnë vazhdimisht lajme.

 

Është ndërprerë trafiku në shumë aeroporte të botës, nga Singapori në Amsterdam. Linja ajrore si ‘KLM” dhe ‘Ryanair;, dhe kompani hekurudhore anembanë botës, janë të paafta të gjurmojnë regjistrimin dhe udhëtimin e pasagjerëve. Spitalet në SHBA dhe Britaninë e Madhe, e kanë shumë të vështirë të komunikojnë me serverët e tyre.

 

Globalizimi në kolaps të përkohshëm

 

Bllokimi i shërbimeve të Microsoft në të gjithë botën, i shkaktuar nga kriza e kompanisë së sigurisë kibernetike Crowdstrike, e cila prodhoi probleme kaskadë për pajisjet e grupit që zotëron sistemin Windoës, origjina e të cilit nuk është identifikuar ende, ofron në kohë reale një leksion të rëndësishëm strategjik.

 

Sot paradite një pjesë e rëndësishme e globalizimit siç e njohim ne, shkoi përkohësisht me pushime, për shkak të një goditjeje që e goditi superstrukturën dixhitale të një bote materiale, e cila bazohet shumë tek një arkitektura teknologjike komplekse. Shoqëritë tona janë të ndërlikuara, edhe para se të jenë komplekse.

 

Dhe një krizë e vetme në një marrëdhënie të vetme midis një gjiganti të teknologjisë dhe ofruesit të shërbimit, arrin të shkaktojë brenda pak orësh pasoja në mbarë botën. Sepse efektet e goditjes u përhapën nga Australia deri në pjesën tjetër të botës.

 

Falcon, softueri që fajësohet për kolapsin

 

Toby Murray, profesor i asociuar në Shkollën e Informatikës dhe Sistemeve të Informacionit në Universitetin e Melburnit në Australi, shpjegoi për britaniken Daily Telegraph ,se pas kësaj ngjarjeje të rëndë fshihet një përditësim i sistemit me një gabim nga ana e Crowdstrike: “CrowdStrike Falcon ka lidhje direkte me këtë kolaps të rëndë”- vuri në dukje Murray. Falcon është “softuer kompleks që monitoron kompjuterët në të cilët është i instaluar, për të zbuluar ndërhyrjet (hakerimet) dhe për t’iu kundërpërgjigjur atyre”. Falcon, thekson më tej eksperti “është pak si softueri antivirus:ai përditësohet rregullisht me informacione rreth kërcënimeve më të fundit në internet (që të mund t’i zbulojë ato më mirë).

 

Sigurisht, ne e dimë se përditësimet e antivirusit kanë shkaktuar probleme edhe në të kaluarën. A është e mundur që ndërprerja e sotme të jetë shkaktuar nga një përditësim i gabuar i Falcon, pyet profesori. E kemi të bëjmë me një gabim njerëzor? Një mori skedarësh dixhitalë të kompromentuar?

 

Një sulm hakerash? Një gabim të lindur nga ndërprerja e internetit pas përfundimit të procesit të përditësimit, ndoshta për shkak të problemeve të rrjetit me kabllot nën det apo mekanizmat e transmetimit? Gjithçka është e mundur, madje me më shumë se një arsye. Por kjo ngjarje nxjerr në pah brishtësinë tonë:sa më komplekse të jenë shoqëritë dhe të bazohen në teknologji të avancuara, aq më shumë goditja ndaj sistemeve të centralizuara nxjerr në pah brishtësinë e tyre.

 

Sfidat që sjell teknologjia

 

Teknologjia e përparuar i ka zgjidhur problemet kryesore në botën tonë, duke e reduktuar ndjeshëm kohën e komunikimit, kostot e shërbimit dhe barrierat ekonomike, produktive dhe sociale. Por në të njëjtën kohë, në rast krize, ajo rrezikon të krijojë valë goditjesh në zinxhir, sidomos nëse nuk menaxhohet përmes një mekanizmi koherent që i shton kësaj shtirjeje të gjerë një qëndrueshmëri të sistemeve.

 

Për shembull, që një kompani e madhe të mos varet nga një sistem i vetëm, por të ketë kopjet rezervë të informacionit të saj më të rëndësishëm. Pra gjithçka që garanton mbijetesën. Sidomos duke pasur parasysh faktin se ekonomia e jo-materiales është në fakt… shumë e prekshme.

 

Kabllot, qendrat e të dhënave, qendrat kompjuterike:dëmtimi fizik i njërës prej tyre, mund të krijojë probleme me një efekt kaskadë. Ajo që shkroi filozofi Raffaele Alberto Ventura në fillim të pandemisë Covid-19, vlen edhe për teknologjinë:”Rreziqet gjithnjë e më të shumta që duhet të menaxhohen nga shoqëria moderne, nuk janë “shpikje” por produkte të vërteta të saj, edhe pse pavullnetshme”.

 

Në atë kohë flitej për shndërrimin e qendrave të mëdha spitalore, të cilave u ishte besuar siguria shëndetësore, në qendra të përhapjes së virusit në fillim të pandemisë. Tani mund të flasim për problemin që lind nga mbështetja totale të jetës sonë të përditshme tek interneti. Gjë që e shohim të pasqyruar tek postimet e atyre që në këto orë, habiten kur zbulojnë se mund të bëjnë check-in edhe me një biletë prej letre për të vazhduar udhëtimin e tyre me avion.

 

Sisteme të forta dhe të komplikuara

 

“Sistemi teknologjik, prodhon individë të varur nga teknologjia”- shprehej Ventura kur fliste për krizën sociale të nxitur nga pandemia e Covid-19 dhe të përkeqësuar nga infodemia (një vërshim i informacioneve) e përhapur nga media.

 

Duke arsyetuar se ”kjo makineri nuk mund të përballojë dot asnjë ‘rënie të tensionit’ pa rrezikuar miliona njerëz që jetojnë në simbiozë me të, qoftë ata të shtruar në spitale, apo që jetojnë qendrat e mëdha urbane. Kjo do të thotë gjithashtu, që jemi të varur në mënyrë indirekte nga mënyra e prodhimit, e cila gjeneron pasurinë e nevojshme për ta financuar këtë tekno-strukturë që na mban gjallë”.

 

Një interpretim që ka shumë kuptim, sidomos tani që ‘rënia e tensionit’ është reale dhe jo metaforike, për të na kujtuar kërcënimin që nga vjen nga avari si kjo e sotmja. Ata që kanë synime dashakeqe dhe që synojnë ta përsërisin këtë në mënyrë të vetëdijshme, do ta studiojnë me shumë kujdes këtë ngjarje./GazetaTema

XS
SM
MD
LG