Lidhje


“Kosi arkaik” i djegieve të periudhës komuniste dhe aloe vera e “modernizmit pa identitet”

Nga Alban Gorishti

 

Kujtoj me nostalgji kohën e kaluar, kur si të vegjël shkonim në plazh dhe kaq shumë qëndronim të ekspozuar në diell saqë dukeshim si copa pëlhurash të kuqe, njësoj si ajo që përdoret në arenat  e ndeshjeve me dema për të tërhequr vëmendjen e kësaj kafshe që "manipulohet" kaq shumë nga e kuqja.  E ndërsa mbrëmja mbërrinte duhej i vetmi "ilaç" që të qetësonte dhimbjet dhe djegiet e pësuara gjatë ditës, kosi i cili shpesh huazohej tek ndonjë komshi apo i afërt.  Edhe pse efekti i këtij trajtimi popullor donte orë të tëra të shfaqte ndonjë përmirësim, gjatë kohës së kësaj kure duhet të qëndronim shtrirë ku përveç dhembjeve detyroheshim të dëgjonim edhe qortimin e të afërmve, të cilët na qortonin për shkak të kohës së madhe të ekspozimit në diell. Por i tërë ky qortim më dukej pa sens për aq kohë sa privimi i posedimeve dhe mungesa e një orientimi paraprak nuk shërbenin si zbutës të ndonjë gabimi të mundshëm.

 

Sot u skuqa përsëri për shkak të ekspozimit në diell, kjo më kujtoi pikërisht atë kohë të kaluar, në të cilën kur e mendoj  më duket sikur ishim pikërisht ne ajo copë pëlhure ndërsa sistemi me tërësinë e 'arkaikes së huazuar' kishte marrë formën e një demi të ndezur nga ngjyra e kuqe e lëkurës sonë të brishtë, por jo për shkak të ndonjë torture fizike por për shkak të territ informativ dhe pamundësisë që ishte pasojë e privimit shpirtëror, e ky i fundit shkaktoi edhe kufizimin e posedimeve më bazike. Kështu kësaj radhe tashmë nuk aplikova recetën e kujtimeve të vjetra por diçka më inovative dhe shumë herë më efektive. Në ballkonin tim rritet një bimë aloe vera e cila ka efekt antiinflamator të fuqishëm, ndaj sapo e aplikova në trupin tim nxehtësia dhe djegia u lehtësuan menjëherë.

 

Por çfarë ndodhi? Vallë a nuk ka pasur informim të duhur në kohën e komunizmit? A nuk ka pasur bimë 'çudibërëse' si kjo që rritet në ballkonin tim? Padyshim që ka patur madje edhe me bollëk, por nuk ka patur interesim dhe informacion holistik. "Arkaikja e huazuar'" nga e kaluara me të tillë nivel informimi tashmë e ka futur këtë bimë në shishe plastike duke e përzierë me lloj lloj esencash dhe produktesh duke e shndërruar informacionin bazik në luks dhe lehtësi, kështu që nëse do të aplikosh këtë "eliksir"  paraprakisht atëherë ekspozimi i gjatë nuk do të shkaktonte aspak djegie të mundimshme.

 

Ky dallim në informacion dhe dobi është një nga pikat kulmore të këtij post modernizmi, teksa vjetërsia mendore dhe apatia strukturore e sistemit të vjetër e bënte të pamundur shfrytëzimin teknologjik të informacioneve revolucionare. Ndaj ajo që stimulon kjo kohë bollëku në të cilën jetojmë , edhe pse thelbësisht utilitare, e mbyt shijen e thjeshtësisë me të cilën perceptoheshin gjërat përgjatë kohës që lamë pas. Ajo që do dëgjosh sot nga shumë prej poseduesve të këtyre komoditeteve është mungesa e lumturisë dhe ngushtimi i ndjenjës së ngopjes, kjo edhe pse e pashpjegueshme për shumë individë ka qenë një fenomen i kuptueshëm për shumë religjoz. Ajo që pengon shtimin e lumturisë dhe ngopjen e shqisave është një urë midis materiales dhe shpirtërores përgjatë të cilës janë vendosur balancat e asaj që pasuron shpirtin pa varfëruar trupin apo anasjelltas. Bekimi, bereqeti do të thotë, zhvillim , lumturi dhe bollëk në shumësinë e të mirave, qofshin materiale por edhe abstrakte.

 

Një nga fenomenet moderne asgjesuese të bekimit sasior dhe cilësor, aq të domosdoshëm për njerëzit, është edhe mashtrimi dhe të betohesh rrejshëm për të tregtuar suksesshëm, kjo në kohën e modernitetit është bërë një fenomen udhëzues i shumë prej shoqërive moderniste. Ndërsa shpallja është privilegj i perceptimit të drejtë, ndaj pejgamberi a. s ka thënë : Mashtrimi, betimi rrejshëm e shet mallin por e asgjeson bekimin, bereqetin e shitblerjes".

 

Realisht besoj se kjo është një pikë kryesore në largësinë që njerëzit ndjejnë nga njeri tjetri dhe nga posedimet e tyre. Krahasimisht me kohën e mëparshme pesha e sprovave dhe vështirësive shpirtërore e ka zhvlerësuar kohën dhe ia ka humbur peshën kryesore afërsisë sociale. Kjo kohë post moderniste është përmendur edhe në hadithe profetike, në njërin prej tyre përmendet se koha do të zhvlerësohet duke kaluar shumë shpejt saqë :"... Një orë do të jetë aq sa është koha e djegies së një fije palme të tharë...".

 

Sot flitet për koncepte si investime strategjike, turizëm elitar apo numër turistash teksa “cilësia e largësisë” sociale ka tjetërsuar çdo lloj qiellëze. Shijet e vjetra, të cilat kujtesa i rikthen në kërkim të vetperceptimit, duket sikur lëshojnë antitrupa për të minimizuar çdo lloj tjetërsimi postmodernist në tentativë për të ruajtur alkiminë e dikurshme e cila e “kthen kohën ” në periudhën e ndjesive të forta strukturuese të personalitetit dhe komunitetit identifikues.

 

Ajo që më kujtohet po ashtu nga ai sistem ishte edhe koha dhe raporti i saj me njerëzit e kohës, më kujtohet se babai im ngrihej shumë shpejt 5-6 të mëngjesit për të qenë në punë rreth orës 7-të apo diç më vonë. Faktikisht ngritja shpejt ishte edhe pasojë e veprimtarive të shumta vullnetare të cilat i detyruan njerëzit e kohës të pinin “konjakun e hidhët” të atj sistemi që sa hapnin sytë. Kështu kur hyra në islam lirshmëritë kohore ishin me të vërtetë skalitëse (shpirtërisht), kështu shpesh krahasoj zgjuarjen herët të prindit tim me atë të cilën sot e veproj përditë (faljen e mëngjesit) por kuptohet për shkaqe tërësisht të ndryshme dhe një klimë shpirtërore me objektiva shumë herë më të qartë se ajo kohë e cila i rudhi shpirtrat dhe trupat. Sot gjithsesi modernizmi i ka sprovuar shpirtrat, qoftë të atyre që arritën ushqimin bio të komunizmit por edhe të atyre që përqafuan jetën shpirtërore religjoze si antipod i çdo ateizmi arkaik apo modern. Zgjimi sot herët për të përkujtuar Zotin herët në mëngjes për shumë fetar është bërë i vështirë, kjo pasi teknologjia progresiste qenka shumë më e rëndë për shpirtin sesa diktati i proletariatit. Nëse sot shpesh fetarëve i del gjumi vetëm pasi dielli shndrrit fuqishëm kupën qiellore, njerëzve si babai im që u skalitën në komunizëm i del gjumi vazhdimisht në të njejtën orë edhe pse pleqëria ka rrudhur ndjenjat e tyre.

 

Por si ka mundësi që “thirrja” e komunizmit të jetë më dëgjuar sesa ajo e Zotit? -do të thonin disa.Faktikisht kjo ka të bëjë me deformimet intelektuale dhe psikologjike nga periudha e “robërimit” komunist, teksa thirrja komuniste imponoi thjesht akte të pavarura nga dëshira apo vullneti njerëzor, përzierja e një modernizmi ekstrem me lirinë e të aplikuarit të fesë kërkon vetëdijësim dhe reforim të vazhdueshëm kulturor pa harruar se shpirti bie “rrob” ndaj komoditetit më shpejt seç mundet të bjerë ndaj ndonjë sunduesi apo sistemi despotik. Ndaj edhe Musai u urdhërua të endej 40 vite në shkretëtirë me popullin që dikur ishin rrob të faraonit në mënyrë që kjo të prodhonte njerëz të lirë me vetëdije dhe karakter të qëndrueshëm, në mënyrë që rëndesa e së kaluarës të prodhonte lehtësi kulturore dhe pastrim vetjak në të ardhmen. Ndaj gjenerata e njerëzve të lirë më pas atyre të robëruar realizoi këtë reformim të domosdoshëm kulturor në kushte shumë të vështira jetësore duke pozicionuar ardhmërinë e një brezi të tërë, e kjo jo vetëm nëpërmjet pushtetit fizik por mbi të gjitha nëpërmjet përsiatjes së thuktë psikologjike. Ata që sunduan mbi Xhalutin, sunduan sepse patën mentalitetin e tillë dhe jo sepse zotëruan armët e fuqishme për ta bërë këtë, këtë e kuptojmë nëpërmjet fjalës dhe punës së tyre, ata thanë: “E kur ai (Taluti) e kaloi atë së bashku me ata që ishin besimtarë, thanë: ‘Ne sot nuk kemi fuqi kundër Xhalutit dhe ushtrisë së tij.“Po ata që ishin të bindur se do ta takonin Allahun thanë: “Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e Allahut kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha!” Allahu është me durimtarët.''

 

Kujtoj po ashtu periudhën e viteve 90-të, ndarjen midis robërisë dhe lirisë, dyndjen e njerëzve nëpër portet e qytetit tim teksa afër tij unë si fëmijë “shijoja”diellin përcëllues të kohës verore i cili më dukej sikur ishte i ndarë në dy pjesë një pjesë që shndriste për ne që ishim në buzën e detit  dhe një tjetër që shndriste për ata që rrezikuan shumëçka duke hipur shpesh në ato që u quajtën anijet e vdekjes. Koha më dukej ndryshe në kurrizin e atyre gjigantëve prej hekuri, asokohe nuk i kisha infot që kam sot por gjithnjë kam menduar se një njeri i cili zhvishet nga dimensioni shpirtëror bëhet negativ në jetë. Sakaq, shoh pas kaq shumë vitesh në njejtat plazhe dhe përkujtoj të njejtat emocione, por ndjej një dobësi në fushën e energjisë emocionale e kështu mendja ime shkon në këto 30 vite tranzitive në të cilat shumë shpirtra janë robëruar dhe dorëzuar, mekur dhe njollosur, tjetërsuar dhe shfuqizuar. Kjo sepse njerëzit harruan “kosin e komunizmit” duke u zhytur në preparatet e modernizmit duke e zbrazur shpirtin nga “e shenjta” dhe kultivimi dashamirës i traditave më afër të natyrshmes. Kështu njerëzit robëruan njëri tjetrin ndaj mes bijëve të një shoqërie robërish nuk ka as solidarizim dhe as bashkëveprim social, madje për shkak të komplekseve që kanë mbartur sapo i jepet mundësia e ushtrimit të ndonjë posti bëhet tiran ndaj të tjerëve.

 

Ajo që ka qenë sfida e çdo qytetërimi vazhdon të jetë edhe për ne sfidë, socialja dhe individi, a mundet të marrim pozitiven e çdo shoqërie për të ushqyer kuptimin tonë të saktë dhe a mundet të mos ndikohemi nga autokracitë, individualizmat konsumiste për të qenë sa më afër së shenjtës, duke ndjerë shijen e dobishme të eventeve pozitive të së kaluarës? Duke menduar për ato kohë dhe fllad veror më sillet ndërmend ajeti Kuranor në të cilin përshkruhen kohët e këqia dhe kohët e mira nëpërmjet detit, anijeve dhe atmosferës së lirisë apo robërisë. Aty thuhet: "Ai (Allahu) ua bëri të mundshëm udhëtimin në tokë e në det, deri kur jeni në anije që lundrojnë me ta (me udhëtarët) me anë të një ere të lehtë dhe janë të lumtur me të (me erën e lehtë), ia beh një erë e fortë dhe nga të gjitha anët rrethohen nga valët dhe binden, se janë të shkatërruar, e lusin Allahun pa kurfarë përzierje pagane (duke thënë): “Nëse na shpëton nga kjo (katastrofë), ne do të jemi gjithnjë falënderues!” Junus 22

 

 

 

 

 

 

XS
SM
MD
LG