Enis Sulstarova: “Kthimi në fenë e të parëve”, si ideologji e shpërbërjes së kombit
Nga Enis Sulstarova/
“Feja e të parëve”
E ashtuquajtura “Lëvizje e Deçanit” kërkon braktisjen e fesë islame në emër të identitetit shqiptar, me moton “ose je shqiptar, ose je mysliman”. Në kishën katolike të Llapushnikut në Drenas po pranohen konvertime të familjeve të tëra apo grupeve të organizuara, që deklarojnë se motivi nuk është përdëllimi fetar, por “kthimi në fenë e të parëve” të shqiptarëve, që supozohet se është ajo katolike (edhe pse ndarja e dy kishave ka ndodhur shekuj pas përhapjes së krishterimit në provincat ilire të Perandorisë Romake). Një fushatë e ngjashme ka ndodhur në Shqipëri në vitet e para të tranzicionit paskomunist.
Asaj i prinin intelektualë që deri dje kishin mbrojtur me zell ateizmin zyrtar e dekada më parë mund të kishin marrë pjesë në aksionet për prishjen e xhamive, kishave e teqeve. Tani, të njëjtët propagandonin për një fendërrim masiv të shqiptarëve në krishterim, në emër të “rikthimit në Europë”. Frymëzues i tyre u bë Ismail Kadareja. Duke përdorur autoritetin e tij si shkrimtar i njohur e intelektual publik, ai shprehej se pas një tranzicioni të ateizmit të imponuar nga shteti komunist, rifitimi i lirisë fetare do të sillte të mirën e rikonvertimit masiv në katolicizëm, proces që do të bëhej për shkak të tërheqjes së parezistueshme të Perëndimit dhe që do të ishte mbyllje e kapitullit “lindor” të historisë së kombit shqiptar. Shkrimtarë, kritikë letrarë e gazetarë më pak të njohur, si Neshat Tozaj, Aurel Plasari, Kiço Blushi, Ben Blushi etj., jepnin argumente se shumëfetaria e shqiptarëve ishte e dëmshme dhe duhej kaluar në njëfetari, se Shqipërinë, për shkak të ringjalljes së fesë islame, në Paris po e quanin “depo e municionit islamik” etj. Fendërrimi i dëshiruar prej tyre nuk ndodhi. Konvertime në krishterim pati në vitet 1990-të, por përfituese ishin kryesisht kishat protestante, të përfaqësuara nga qindra misionarë të zellshëm që zbarkuan në atë kohë në Shqipëri për të peshkuar shpirtra me anë të kurseve të gjuhës angleze. Shumica dërrmuese e besimtarëve mbetën të lidhur me tri fetë tradicionale e historike. Vite më vonë, Kadareja e pranoi që e kishte pasur gabim, edhe pse në krijime letrare, ese e intervista vijoi ta mbronte idenë se katolicizmi është feja e lidhur me rrënjët e identitetit shqiptar dhe është një derë e hapur drejt Perëndimit, ndërsa identiteti europian i shqiptarëve rrezikohet vetëm prej elementeve joeuropiane që mund të gjenin strehë te islami shqiptar.
Fendërrimi masiv nuk pati në Shqipëri, por islamofobia në mesin e intelektualëve dhe politikanëve shqiptarë ushqehej për shkak të orientalizmit – konceptimit të identitetit kombëtar shqiptar si një “arratisje nga Lindja” – që kishte frymëzuar jo pak intelektualët shqiptarë që nga koha e Rilindjes Kombëtare. Një rrjedhojë e orientalizmit ka qenë trajtimi i katolicizmit si fe autoktone dhe i islamit si një fe e importuar dhe sipërfaqësore. Një tekst që e shpreh fare mirë këtë është fjalimi i Presidentit të Shqipërisë, Afred Moisiu, në Forumin e Oksfordit në Londër në vitin 2005, me temën e tolerancës fetare te shqiptarët. Aty krishterimi cilësohet si fe burimore, kurse islami si fe e pushtuesit. Sipas Moisiut, të gjithë shqiptarët janë të krishterë, sepse po të gërvishtet cipa e hollë e islamit, poshtë tij shfaqet thelbi i krishterë i identitetit shqiptar! Edhe pse fjalimi i Moisiut nuk bënte thirrje për fendërrim, nga kjo mënyrë e argumentimit nënkuptohet se ata myslimanë që vendosin “të kthehen” në krishterim, do të jenë më afër “burimit” identitar, do të jenë shqiptarë të vërtetë, që kanë hedhur tutje mbetjen e pushtuesit. Pak a shumë siç po krenohen tani ata që po konvertohen në grupe në disa kisha katolike të Kosovës dhe që po u bëhet jehonë në mediat masive. Kur rishtarët katolikë që sapo kanë dalë nga pagëzimi thonë se u kthyen në “fenë e të parëve”, nuk duket sikur kanë gjetur rrugën e vërtetë për të adhuruar Zotin, por duket pothuaj si një sakrificë që po bëjnë për identitetin shqiptar, për “shqiptarinë”.
Në histori njihen përpjekje të herëpashershme për “kthim në identitet”, me anë të spastrimit të elementeve kulturore që nuk mbahen si autentike, sepse janë shtuar nga pushtues apo janë huazuar nga kultura të tjera. Mirëpo, rimarrja e identitetit të mëparshëm të dëshiruar nuk është e mundur, ngaqë identitetet kolektive formohen për një kohë të gjatë dhe evoluojnë me kalimin e kohës, duke iu përshtatur rrethanave. Ndërhyrjet e qëllimta për rigjenerim kulturor, fetar etj., në emër të një të shkuare ideale (“të të parëve tanë”), zakonisht sjellin sinteza të reja kulturore për t’iu përshtatur kushteve dhe nevojave të kohës së tashme. Siç ka vënë në dukje historiani Erik Hobsbaum [Eric Hobsbawm], shumë nga traditat që i respektojmë për hir të vjetërsisë së tyre, në fakt janë të shpikura gjatë epokës moderne (edhe pse shpikja nuk është plotësisht shpikje, ngaqë nuk mund të krijohet nga hiçi një traditë e një bashkësie njerëzore të caktuar, pa përdorur motive, mite, simbole apo rituale që kanë domethënie për anëtarët e bashkësisë në fjalë). Për të ardhur te tema e artikullit tonë, lëvizja në Kosovë që kërkon nga shqiptarët braktisjen e islamit, shpik një traditë të katolicizmit si fe autentike e shqiptarëve, sepse gjoja të parët tanë iliro-arbër qenkan konvertuar në krishterim në mënyrë të vullnetshme, duke hequr dorë nga besimet pagane të mëparshme. Lihet e nënkuptuar se islami ndër shqiptarët është përhapur prej dhunës dhe shtrëngesave të tjera të pushtuesve osmanë. Ky mit i “fesë së të parëve” nuk përmend faktin se krishterimi u bë fe zyrtare e Perandorisë Romake dhe se besimet pagane u luftuan jo vetëm me anë të misionarizmit, por edhe me hekur e me zjarr. Madje, edhe misionarizmi shpeshherë synonte fillimisht konvertimin vullnetar të sundimtarëve, të cilët më pas e bënin krishterimin fe të detyrueshme për të sunduarit. Historia e krishterimit përmban si të krishterët që kryqëzoheshin e i hidhnin në mes të kafshëve të egra, si të krishterët që digjnin paganët e heretikët, si të krishterët e mëvonshëm që, të frymëzuar prej papëve, ndërmerrnin kryqëzata kundër çifutëve dhe myslimanëve. Gjithashtu, të konvertuarit deklarojnë se veprimi i tyre motivohet nga shqiptaria, mirëpo etnonimi “shqiptar” u përhap pikërisht në kohën e islamizimit masiv, sepse i përgjigjej nevojës për t’u vetidentifikuar folësit e shqipes që jetonin në Perandorinë Osmane dhe që u përkisnin feve të ndryshme, sikurse sot. Për dallim, arbëreshët, të shkëputur prej trungut etnik para islamizimit, e ruajtën etnonimin e mëparshëm.
Shqiptaria si fe civile
Të sapokonvertuarit besojnë se hynë në grigjën e katolicizmit në emër të shqiptarisë, mirëpo një shqiptar i krishterë na ka lënë porosinë që të mos shikojmë për nga kisha e xhamia, sepse feja e shqiptarit është shqiptaria. Vargjet e Pashko Vasës janë kuptuar si një thirrje për bashkimin rreth idesë së kombit dhe për të mos lejuar përçarjen dhe grindjen midis shqiptarëve për arsye të përkatësive të tyre fetare. Kumti i tyre nuk ishte që shqiptarët të zëvendësojnë fetë tradicionale me adhurimin e kombit, por ato janë një shprehje e përqendruar e përpjekjeve të rilindësve për themelimin e “fesë civile” të shqiptarëve. Sociologu Robert N. Bellah ka argumentuar se në shoqërinë amerikane ekziston një fe civile, që është e pavarur prej feve, kishave të ndryshme të krishtera, por edhe prej vetë dhe shtetit. Feja civile amerikane përmbledh një sërë besimesh fetare, simbolesh dhe ritualesh publike, që janë formuar gjatë historisë së Amerikës dhe që interpretohen në trajtë transcendentale për të mbajtur në këmbë kohezionin shoqëror. Në studime të tjera, Bellah-u dhe disa kolegë të tij kanë dalë në përfundimin se feja civile është një dukuri universale, sepse në shumë vende shteti ose kombi legjitimohen duke i veshur me një përmasë transcendentale. Feja civile mund të përfshijë elemente nga feja kryesore e një vendi ose mund të shfaqet si thellësisht laike e kundërklerikale, siç ka ndodhur në Francë pas revolucionit të vitit 1789. Shqiptaria, si një fe civile, ekziston në sajë të aftësisë së shqiptarëve për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin në sferat private e publike, pavarësisht përkatësive të tyre fetare. Jo më kot, kur shqiptarëve u kërkohet që ta arsyetojnë ose shpjegojnë këtë aftësi, rëndom përgjigja e tyre e vetvetishme është parulla “feja e shqiptarit është shqiptaria”, duke treguar se vargu i Vaso Pashës është kthyer në një normë të brendshme.
Për t’u kthyer te poema “O moj Shqypni”, poeti burimin e mjerimit të shqiptarëve të kohës së tij e gjente te përçarja e tyre: “Ndër nji qind çeta jeni shpërnda/ ca thonë kam fe, ca thonë kam din; njeni: ‘Jam turk’, tjetri: ‘latin’/ do thonë: ‘Jam grek’, ‘shkje’ – disa të tjerë,/ por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë”. Del e qartë nga këto vargje se Vaso Pasha nuk e problematizonte fetarinë e shqiptarëve në vetvete, por tendencën që identiteti fetar të shërbente si baza e vetëpërcaktimit identitar të shqiptarëve. Ai i akuzonte klerikët e lidhur me qendra të huaja të pushtetit për propagandën dhe ndikimin e tyre negativ ndaj kohezionit të kombit shqiptar: “Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,/ për me ju damun me ju vorfnue”. Që shqiptaria nuk e zëvendësonte besimin fetar, por projektohej si një fe civile, krahas besimeve monoteiste, kuptohet nga mënyra se mbyllet poezia: “Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë,/ kush mos na e preki, se desim t’tanë/ të desim si burrat që vdiqnë motit/ edhe mos marrohna përpara Zotit”. Atdheun dhe kombin poeti i vesh me një përmasë transcendentale, duke ua përmendur shqiptarëve zotimin para Zotit dhe këtë e bën në një mënyrë të thjeshtë dhe të pranueshme nga çdo shqiptar, i krishterë a mysliman qoftë. “Burrat që vdiqnë motit” i referohet paraardhësve historikë e mitikë të shqiptarëve (“të parët”), që identifikohen si të tillë prej përkatësisë etnike. Që nga Rilindja jonë kombëtare e deri më sot martirët e shqiptarisë kanë qenë nga të gjitha fetë.
Shqiptaria, si fe civile që ka në qendër atdheun dhe kombin, është besimi që i mbledh tok shqiptarët e feve të ndryshme, së bashku me ata laikë e ateistë. Disa dekada më vonë se Pashko Vasa, një poet tjetër shqiptar, kësaj radhe i përkatësisë ortodokse, do t’i kushtonte një poemë Kosovës së çliruar nga vargonjtë e Jugosllavisë së parë. “Poemin kosovar”, Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) do ta hapte me vargjet: “Jam kosovar/ E jam shqiptar:/ Zot e krenar,/ Zot e bujar/ mbi këtë Dhe,/ që e kam fe/ e përmbi fe:/ e kam Vatan!/ E kam Atdhe!” Shqiptaria lejon në trupin e saj infuzione nga fetë që historikisht kanë qenë të pranishme në mesin e shqiptarëve, por nuk identifikohet plotësisht me asnjërën prej tyre dhe as pranon që të diferencojë atë “më shqiptaren”. Shqiptaria është “mbi fe”, sepse kërkon kombëtarizimin e bashkësive fetare të shqiptarëve, me të cilin kuptohet që secili besim pranon shumëfetarinë e shqiptarëve dhe jep ndihmesën për vëllazërimin e tyre dhe për ruajtjen e bashkëjetesës fetare. Klerikët atdhetarë kanë dhënë shembullin duke bashkëpunuar ngushtë për të shmangur ndasinë dhe urrejtjen fetare dhe për të zhvilluar kulturën kombëtare, siç është shembulli i Kongresit të Manastirit për alfabetin e gjuhës shqipe. Edhe sot shqiptaria kërkon që secila bashkësi fetare të mbajë larg ato rrymat të skajshme brenda saj, të cilat ose e vendosin fenë para kombit dhe përhapin urrejtje ndaj bashkësive të tjera ose pretendojnë se vetëm besimi i tyre i shërben çështjes së kombit, ndërsa besimet e tjera e dëmtojnë atë.
Përderisa liria e besimit është një nga të drejtat e njeriut, është normale që disa, në kërkim të rrugës vetjake për te hyjnorja, të kalojnë nga një fe në një tjetër ose edhe në mosbesim. Mirëpo nëse fendërrimet e shqiptarëve bëhen në grupe të organizuara sipas një ideje jofetare, qoftë kjo edhe pandehma se po braktiset një fe kundërkombëtare dhe po përqafohet një fe kombëtare, atëherë feja po përdoret për një politikë që bie ndesh me bashkëjetesën fetare që mban të bashkuar shqiptarinë. Ata që përfshihen në këtë “lëvizje” në Kosovë, me dashje ose pa dashje po përhapin urrejtje midis shqiptarëve të feve të ndryshme, në këtë mënyrë duke i shërbyer asaj që Rexhep Qosja me të drejtë e ka quajtur “ideologjia e shpërbërjes” së kombit. Klerikët që po pranojnë apo nxisin konvertimet në emër të “fesë të të parëve”, Pashko Vasa do t’i quante priftën qi i kanë hutue disa shqyptarë e i kanë damun prej vllaznve të tyne.
Ky shkrim është publikuar fillimisht në numrin 161 të Revistën Shenja, Shtator 2024, me titullin: “Fe e përmbi fe”.