Veliaj shmang përgjigjet për veten, merret me Berishën
Që kur Prokuroria e Posatshme njoftoi se i kishte bërë kontroll banesës së tij, shtëpive të të vëllait dhe se i ka sekuestruar telefonin bashkëshortes, Erion Veliaj i është fshehur përballjes me mediat, qoftë kur e prisnin të premten vonë në Rinas, por makina e mori direkt e nga salloni VIP, qoftë kur hyri të hënën nga dera e pasme e PS. Të vetmet reagime ai i ka bërë në rrjetet sociale, një herë për të sulmuar gazetarët, ndërsa këtë të martë, për t’u marrë sërish me ta, por për të shenjestruar kryesisht Sali Berishën.
Në tekstin e botuar nga kryebashkiaku, ku nuk jepet asnjë spjegim se çfarë është gjetur në shtëpinë e tij, se pse u krye kontrolli, për çfarë dyshohet dhe si i përgjigjet akuzave, duket qartë se ka vullnet për ta nxjerrë problemin nga thelbi. Për këtë përdoret një teknikë e thjeshtë: ndyrja e fjalorit për të shkaktuar polemikë përmes epiteteve dhe sharjeve.
Në një numërim të shpejtë që i ka bërë Lapsi.al, aty përdoret 10 herë fjala “hienë”. Gjashtë herë fjala “korb” ndërsa teksti është i mbushur me togfjalësha si “kufomë e pakallur”, “jargë ligësie”, “çorbë e prishur”, “turinj të pistë etj”.
Pyetja është përse gjithë ky arsenal i shfrenuar? Një ditë më parë Sali Berisha bëri denoncim ekstravagant dhe pa e mbështetur në ndonjë provë konkrete. Ai deklaroi se në galerinë “Harabel”, që i përket Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë janë gjetur 230 mijë euro nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Berisha vuri theksin tek prezenca e djalit të Arta Dades, biznesmentit Alban Dabulla, duke pretenduar se ky i fundit ka bërë presione gjatë kontrolleve dhe ka kërcënuar me publikimin e materialeve kompromentuese për Olsi Ramën
“Dabulla shoqëroi Velicën (Ajolën) dhe ekipin e BKH-së në kontrollin që u bë në galerinë ‘Harabel’. Gjatë atij kontrolli janë gjetur 230 mijë euro të fshehura në galeri. Qytetari Dixhital e informoi Sali Berishën me kompetencë të plotë, në fakt BKH-ja Dixhitale, se aty u gjendën 230 mijë euro dhe se Dabulla lëshoi ultimatumin: guxoni, përmendni, fotografitë dhe regjistrimet e Olsit me Xibrakën bëhen publike brenda 3 orëve”.
Kereu i opozitës nuk i mbështeti me ndonjë fakt pretendimet se në zyrën e Ajola Xoxës u gjetën këto shuma parash të pa deklaruara. Por, të hënën në mbrëmje, për këtë temë foli në emisionin TPZ edhe gazetarja Klodiana Lala, e cila deri më tani ka dëshmuar se ka burimet më të besueshme brenda SPAK. Ajo nuk e konfirmoi shumën që lëshoi Berisha por pohoi se në zyrën e Ajolës u gjendën sasi parash. “Mund të konfirmoj që gjatë kontrollit në qendrën Harabel, është sekuestruar një shumë e konsiderueshme por nuk jam në gjendje të them nëse është e njëjta shumë që deklaron Sali Berisha”, deklaroi Lala.
Pra, çdo mendje e ftohtë do të donte të dinte të vërtetën rreth kësaj. Nëse do të vendoste të fliste, duke ruajtur të gjithë të drejtën për të mos e bërë, bazuar në pozicionin e vështirë ku gjendet, Veliaj duhet të jepte sqarime për akuzat konkrete. Me një fjali mund të thuhej se Berisha gënjen dhe tek Harabeli i Ajolës nuk është gjendur asnjë lek. Ose se janë gjetur para, po kishin filan origjinë dhe do përdoreshin për këtë qëllim. Në vend të një spjegimi kaq bazik kryebashkiaku u dergj në orteqe sharjesh për “jargët e ligësisë që ka kohë që s’me bëjnë asnjë përshtypje. Por, duke qenë se hetimi pasuror, që po kryen SPAK-u për mua, është kthyer në një çorbë të prishur për të gjithë të uriturit për hakmarrje dhe të humburit që duan të ndjehen fitimtarë, po i them edhe unë dy fjalë”.
Po të lexohet teksti i plotë, megjithëse premton se do të thotë dy fjalë, ai nuk tregon asgjë. Bën propagandën e zakonshme se mbështet hetimet e kolegëve dhe se PS ndryshe nga PD-ja ka sjellje të ndryshme ndaj prokurorisë së posatçme, por kaq.
Hutimi dhe konfuzioni i këtij “mbështetësi të SPAK” shfaqet dukshëm kur ai aludon se kontrolli në shtëpi iu bë pa vendim gjykate, madje se prokurorët (askush nuk e dinte përpos tyre) lajmëruan edhe gazetarët “hiena dhe korba” që të qëndronin poshtë shtëpisë së tij tek Kodra e Diellit për ta mediatizuar kontrollin e banesës.
E megjithëatë, pyetja mbetet: çfarë i intereson më shumë publikut, mendimet e Veliajt kundër Berishës, apo transparenca lidhur me hetimin ndaj njërit prej zyrtarëve që administron më shumë fonde publike. “Jargët”, “Kufomat”, “Varrëmihësit”, apo fati i parave të inceneratorit dhe 5 D?
Vetëm nëse e shtron kështu problemin i kupton më mirë dufet e përçarta të Veliajt dhe faktin se për ai bëri target Berishën për t’iu shmangur thelbit./Lapsi.al