Vëllav.rasja | E vërteta e “10 sekreteve të e.rrëta të Perandorisë Osmane”
Nga Samuel Laze
Një artikull pa autor dhe pa asnjë lloj reference i cili ka bërë aleate të gjitha gazetat shqipfolëse(!) po qarkullon duke mbajtur në dorë pishtarin e Donkishotit për të na treguar ne shqiptarëve “10 sekretet më të errëta të Perandorisë Osmane”. Edhe pse sipas parimit “serioziteti ndaj budallallëkut është budallallëk” ky shkrim pa autor mbase meritonte thjesht një injorim, duke qënë se ka fituar popullaritet dhe duke qënë se gazetat kanë marrë komandën e promovimit të tij, për t’i shpëtuar lexuesit e shkujdesur nga një kurth i mirëmenduar vendosëm t’i përgjigjemi në mënyrë shkencore, objektive dhe logjike në artikuj të veçantë.
Le ti marrim me radhë:
- Vëllavrasja
Akuza e ngritur:
“Sulltanët e hershëm osmanë nuk e praktikonin parimin e të drejtës së lindjes, ku djali i madh trashëgon gjithçka. Si rezultat, vëllezërit e ndryshëm nganjëherë pretendonin fronin dhe që ditët e para të saj, perandoria u mbush me pretendues, të cilët tentonin të gjenin strehë në shtetet e armikut dhe t’i shkaktonin probleme për vite me rradhë.
Kur Mehmet Pushtuesi rrethoi Kostandinopojën, xhaxhai i tij luftoi kundër tij që nga muret. Mehmeti e zgjidhi problemin me mizorinë e tij të zakonshme.
Kur mori fronin, ai ekzekutoi pjesën më të madhe të të afërmve meshkuj, duke përfshirë edhe një vëlla foshnjë që e mbyti në djep. Më pas, ai nxorri ligjin famëkeq: “Dhe cilitdo prej bijve të mi që do të marrë Sulltanatin, për hir të rregullit të botës, do i duhet të vrasë vëllezërit e tij. Shumica e Ulemave e lejojnë këtë. Pra, le të veprojë në këtë mënyrë”. Nga kjo pikë e tutje, çdo sulltan i ri duhej ta merrte fronin, duke vrarë të gjithë të afërmit e tij meshkuj.
Edhe pas raundit të parë të vrasjeve, të afërmit e sulltanit nuk ishin të sigurt. Sulejmani i Madhërishëm shikonte në heshtje nga prapa një dritareje, ndërsa djali i tij mbytej me një tel harku; djali ishte bërë shumë popullor mes ushtrisë dhe sulltani nuk ndihej i sigurt.”
Përgjigje:
Një nga çështjet më të rëndësishme, e cila bëhet shpesh-herë objekt bisede dhe kritike ndaj Perandorisë Osmane është çështja e vëllavrasjes apo siç njihet në terminologjinë historike “Eliminimi Politik”. Fillimisht duhet ta pranojmë se edhe kur bëhet fjalë për një individ i cili ka jetuar për 60 vite nuk mund të pretendojmë se ka qënë i pagabueshëm, atëherë, edhe kur bëhet fjalë për një shtet 6 shekullor, të pretendonim se nuk ka pasur asnjë gabim do të ishte utopike. Të përjashtuarit e vetëm nga gabimet dhe mëkatet janë pejgamberët. Edhe te pejgamberët ka veprime të pavullnetshme, të cilat janë inskenim nga ana e Zotit në kuadër të urtësisë, vullnetit dhe dhembshurisë hyjnore për t’i përcjellë një mesazh njerëzimit. Në gjuhën shkencore këto veprime njihen si zel’le. Përveç pejgamberëve askush tjetër nuk mund të jetë i pafajshëm. Nisur nga ky parim, edhe në shtetin osman, abuzimet në eliminimet politike kanë qënë të pranishme dhe rolin më të madh në këtë tragjedi e kanë luajtur pashallarët që rrethonin sulltanët me intrigat e tyre. Kështu mund të përmendim rastin e Muratit IV vrau 3 vëllezër, Mehmeti III vrau 19 vëllezër, Murati III vrau 5 vëllezër… Të gjitha këto ishin eleminime të panevojshme dhe të gabuara. Megjithatë, më poshtë do të arsyetojmë me fakte historike se për shakak të këtyre gabimeve nuk mund të kritikohet ky ligj-princip në themel.
E para: Ligji i Sulltan Fatihut nuk i detyronte sulltanët të eleminonin vëllezërit e tyre, por ishte një masë e vlerësuar si ehven-i sherr, e keqja më e vogël ndërmjet dy të këqijave. Fraza e paraqitur në akuzën e mësipërme është një përkthim i gabuar. Ja përmbajtja origjinale dhe përkthimi real:
‘‘Ve her kimseye evlâtlarımdan saltanat müyesser ola, Nizâm-ı Âlem için karındaşların katl eylemek münasiptir. Ekser ûlema dahi tecviz etmiştir. Anunla âmil olalar.’’
“Secilit prej bijve të mi të cilëve do t'ju hapet rruga e sulltanatit, për hir të rendit botëror është mundësi e pranueshme eleminimi i vëllezërve të tij. Shumica e ylemasë e ka shpallur xhaiz[1]. Të veprohet sipas kësaj.”
E dyta: Sikurse e përmendëm më sipër, masa e marrë nga Sulltan Fatihu ishte ehven-i sherr. Ligji i miratuar e kufizonte konfliktin brenda familjes së tij duke mos e përfshirë popullin në gjakderdhje. Po të shikojmë në historinë e Perandorisë Romake, lufta civile 20 vjeçare në Dinastinë Antonine,[2] lufta civile në kohën e Perandorit Commodous[3], lufta civile mes Vitellius dhe Vespasian[4], lufta civile e Sullas[5] nuk zënë as 1% në oqeanin e kuq të gjakut të shkaktuar nga përplasjet mes dinastive (mbi 20 dinasti) në historinë e kësaj perandorie, ndërsa Perandoria Osmane është e vetmja në histori e cila në 6 shekuj ka sunduar me një dinasti të vetme. Kuptimi i pashprehur i këtij ligji largpamës është që: “më mirë të vritet dikush nga familja ime sesa të kthehet populli në kasaphanë”. Cili politikan, drejtues shteti mund ta bëjë një sakrificë të tillë sot?! Kush mund të thojë “Më mire të vdesë fëmija im sesa 100 000 njerëz të tjerë?! Në mungesë të një ligji të tillë, shehzadet, pasardhësit e sulltanit, nëse do përplaseshin mes tyre - sikurse ka ndodhur - së bashku me mbështetësit e tyre do ndodhnin humbje të panumërta në njerëz dhe shteti do rrëzohej në një kohë të shkurtër. Kështu pra, bijtë e Sulltan Bajezitit, në përballjen e tyre për fron shkaktuan atë kohën e trazirave dhe mungesës së stabilitetit që njihet si devr-i fetret (1402-1413) ku u vranë shumë të pafajshëm.
E treta: Autori i akuzës shprehet se “Sulltanët e hershëm osmanë nuk e praktikonin parimin e të drejtës së lindjes, ku djali i madh trashëgon gjithçka.”. Ky është një fakt real deri në kohën e Sulltan Ahmetit I (sundimi 1603-1614) i cili solli në fuqi kriterin “ekber ve ershed” që nënkuptonte se froni duhej të trashëgohej nga djali më i madh (dhe që gëzonte shëndet mendor) i Sulltanit. Veçse ky ligj mund të sillte në fron persona shumë të moshuar dhe një dimesion i ligjit të Fatihut ishte ky që: drejtimin e shtetit duhet ta marrë personi më i aftë, më i fuqishëm dhe jo ai me moshë më të madhe. Janë të rinjtë ata që marrin nisma të mëdha, janë aktiv dhe inovator, ndërsa të moshuarit kanë një qeverisje disi pasive.
E katërta: Në lidhje me Sulltan Fatihun. Ai u ngjit në fron për herë të parë kur ishte 14 vjeç me urdhërin e babait të tij. Nisur nga mosha e vogël, pashallarët nuk e pranuan dhe kështu ai u detyrua të thërrasë sërish në fron babain e tij, Sulltan Muratin II. Kur arriti moshën 19 vjeçare erdhi sërish në fron dhe këtë herë ishte i zemëruar me pashallaët e tij të cilët e nënvlerësuan. Në këtë situatë të tensionuar pashallarët planifikuan një revolucion dhe rrëzim të Fatihut me synim që shtetin ta qeverisnin vetë në formën e një junte duke përdorur vëllain e Fatihut që ishte në djep. Kjo ishte një situatë e rrezikshme pasi me rënien e dinastisë, principatat e bashkuara nën flamurin osman do shpërndaheshin dhe do rinisnin rivalitetet dhe pëplasjet mes tyre. Sa humbje në njerëz mund të sillte diçka e tillë?! Në këtë situatë Fatihu nxorri ligjin e “Eleminimit Politik” dhe kështu “sherrin” e kufizoi brenda për brenda familjes së tij duke mos i lënë hapësirë përplasjeve civile. Në lidhje me eleminimin e foshnjes në djep historianët kanë mbajtur qëndrime të ndryshme, megjithatë nuk është gjetur asnjë fetva që e vërteton të ketë ndodhur diçka e tillë.
E pesta: Në lidhje me Sultan Sulejmanin dhe eleminimin e djalit të tij. Kanuni Sulltan Sulejmani ka drejtuar 13 ekspedita të mëdha ushtarake, ka marrë 350 kala dhe nuk është “sulltan haremi” siç paraqitet në filmin propagandistik “Muhteşem Yüzyıl”...
Sikurse tregon edhe historiani i shek. XVI, Ibrahim Peçevi[6], ishin përhapur fjalë për një kryengritje të mundshme nga ana e shehzade Mustafasë. Kanuniu fillimisht i kundërshtoi në mënyrë kategorike dhe i quajti të pavërteta por pas inspektimeve të kryera ndryshoi mendim dhe arriti në konkluzionin se edhe nëse vetë shehzade Mustafai nuk e mendonte diçka të tillë, ishte i sigurt një revolucion i planifikuar nga ushtarët.[7] Për më tepër ky inspektim u krye nga Sokollu Mehmet Pasha, një personalitet që ndershmëria e të cilit nuk vihej në diskutim.
Ndër të tjera, në familjen Osmane, mjekra ishte simbolikë e salltanatit. Sulltanët e kishin të ndaluar ta prisnin mjekrën (Ka vetëm dy përjashtime. Javuz Selimi dhe Vahdettini), ndërsa shehzadet, djemtë e sulltanit nuk mund të mbanin mjekër pasi një veprim i tillë konsiderohej si pretendim për tu bërë padishah. Shehzade Mustafai nuk e hoqi mjekrën edhe pas këshillimit të të atit (Sulltan Sulejmanit). Kjo gjë i rriste dyshimet.
Përveç kësaj eleminimi i shehzade Mustafasë nuk ndodhi siç përshkruhet nga autori anonim i cili në vend të referencave përdor sllogane subjektive “shikonte në heshtje nga prapa një dritareje, ndërsa djali i tij mbytej me një tel harku; djali ishte bërë shumë popullor mes ushtrisë dhe sulltani nuk ndihej i sigurt.” Eleminimi u krye në një çadër në të cilën shehzade Mustafai shpresonte të takonte babain e tij por aty e prisnin xhelatët. Megjithatë ekzekutimi i tij nuk u bë sepse i rrezikohej froni Sulltan Sulejmanit por sepse revolucioni i cili ishte planifikuar do shkaktonte me mijëra viktima dhe ndër të tjera do luftonte edhe karshi vëllezërve të tij. Nëse do zbatohej një plan i tillë, përveçëse do vdiste njëri nga bijtë e sulltanit, së bashku me të do vriteshin pafundësisht ushtarë, ndërsa ekzekutimi individual që u detyrua të aprovojë Sulltan Sulejmani ishte e keqja më e vogël e mundshme në atë situatë. Sigurisht që vrasja e shehzade Mustafait shkaktoi shumë trishtim në popull dhe ushtarët mbështetës të tij qëndruan dy ditë në grevë urie....
Megjithatë, sigurisht që Sulltan Sulejmani nuk ishte i lumtur për situatën e ndodhur. Kur i kërkuan fetvanë e kësaj meseleje, Shejhylislami i kohës Ebusuud Efendiu nga situata e vështirë e krijuar u shpreh në formë retorike që reflektonte trishtimin e tij, ndërsa Rustem Pashai, sadrazami i kohës, duke mos e kuptuar retorikën, kujtoi se iu drejtua atij me pyetje dhe iu përgjigj “Sigurisht që në këtë rast ekzekutohet.”. Menjëherë ndërhyri Sulltan Selejmani dhe i tha: “Sa lehtë që e thua ,sepse as djali dhe as shteti nuk është i yti, prandaj!”
[1] Xhaiz: je i lirë në veprim, sipas situatës. Nëse do e zbaton, nëse do jo. Këtë verdikt, sikur e përmendëm edhe në artikull e kanë dhënë si ehven-i sherr, mes dy alternativate të këqija, zgjidhet e keqja më e vogël.
[2] Edward Gibbon, The History of the Decline and Fall of the Roman Empire, vëll. I, fq. 98
[3] Po aty, fq. 128
[4] Po aty, fq. 140
[5] Theodor Mommsen, The History of Rome, vëll. II, fq. 383
[6] Ibrahim Peçevi, Peçevi Tarihi, Vëll. I, fq. 300
[7] Kadir Mısıroğlu, Osmanlı Tarihi, Vëll. I, fq. 119-125