Heshtja ndaj m.asakrave të I.zraelit ndaj gazetarëve është e rrezikshme për të gjithë
Një deklaratë për shtyp e 26 dhjetorit nga ushtria izraelite u përpoq të justifikonte një krim lufte. Ajo pranoi pa turp se ushtria dogji pesë gazetarë palestinezë në një makinë shtypi me mbishkrime të qarta jashtë spitalit al-Awda në kampin e refugjatëve Nuseirat, Rripi qendror i Gazës. Pesë viktimat ishin Ibrahim Sheikh Ali, Faisal Abu al-Qumsan, Mohammed al-Ladaa, Fadi Hassouna dhe Ayman al-Gedi. Ayman kishte mbërritur në spital me gruan e tij, e cila ishte gati të lindte fëmijën e tyre të parë; ai ishte duke vizituar kolegët e tij në automjet kur u godit.
Djali i tij lindi disa orë më vonë dhe tani mban emrin e babait të tij, i cili nuk u lejua të jetonte aq sa për të festuar lindjen e tij.
Deklarata e ushtrisë izraelite pretendonte se pesë palestinezët ishin "operativë që paraqiteshin si gazetarë" dhe se ata shpërndanin "propagandë luftarake" sepse punonin për TV Al-Quds Al-Youm, të lidhur me lëvizjen Palestineze të Xhihadit Islamik. Ushtria izraelite nuk pretendoi se ata në të vërtetë mbanin armë ose ishin përfshirë në ndonjë veprim të armatosur. Shumë botime perëndimore cituan deklaratën e ushtrisë izraelite sikur të ishte një pozicion objektiv dhe jo propagandë që zbardhte një krim lufte. Ata nuk arritën t'i sqaronin audiencës së tyre se sulmi ndaj gazetarëve, përfshirë gazetarët që mund të akuzohen për promovim të "propagandës", është një krim lufte; të gjithë gazetarët mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, pavarësisht nëse ushtrive u pëlqen apo jo raportimi i tyre.
Konventat e Gjenevës, neni 79 i Protokollit Shtesë, thekson se të gjithë gazetarët “të angazhuar në misione të rrezikshme profesionale në zonat e konfliktit të armatosur do të konsiderohen civilë … [dhe] do të mbrohen […] dhe pa cenuar të drejtën e luftës korrespondentët që janë të akredituar pranë forcave të armatosura”.
Duke shpërfillur plotësisht këto dispozita të së drejtës ndërkombëtare, ushtria izraelite e ka konsideruar gati një zbavitje vrasjen e gazetarëve palestinezë gjatë 15 muajve të fundit. Sipas Zyrës për Media të Qeverisë së Gazës, 201 janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori 2023. Të dhëna të tjera e cilësojnë numrin në 217. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) me bazë në Nju Jork, rreth 138 gazetarë palestinezë u vranë në Gaza dhe Bregu Perëndimor i pushtuar midis 7 tetorit 2023 dhe 31 dhjetorit 2024. Organizata përfshiu edhe pesë viktimat e sulmit të ushtrisë izraelite më 26 dhjetor në këtë numërim.
Reporterët pa Kufij me bazë në Paris e përshkruan vrasjen e gazetarëve nga Izraeli si "një gjakderdhje të paprecedentë" dhe Palestinën si "vendin më të rrezikshëm për gazetarët". CPJ gjithashtu e ka renditur Izraelin si një nga "burgosësit më të mëdhenj të gazetarëve". Izraeli jo vetëm që refuzon të njohë çdo punonjës mediatik palestinez si të mbrojtur, por gjithashtu ndalon gazetarët e huaj të hyjnë në Gaza.
Ka qenë vërtet shqetësuese që mediat ndërkombëtare kanë bërë pak për të protestuar kundër këtij ndalimi. Përveç një peticioni të nënshkruar nga 60 media gjatë verës, media ndërkombëtare nuk ka ndjekur vazhdimisht kërkesa të tilla për 15 muaj.
Nëse një organizate të madhe mediatike nuk i jepet akses në një vend të caktuar, një tregues i këtij ndalimi shpesh i bashkëngjitet raporteve të lajmeve si një formë proteste. Megjithatë, në rastin e Gazës, Izraelit i jepet një leje, veçanërisht nga mediat kryesore perëndimore, me njoftimet për shtyp izraelite që konisderohen rregullisht si fakte.
Kjo vetëkënaqësi e ka lejuar Izraelin të kontrollojë narrativën dhe të propagandojë versionin e tij se kjo është një luftë mbrojtëse e kryer nga "ushtria më morale" në botë brenda parametrave të ligjit ndërkombëtar.
Ndërsa ekspertët e Kombeve të Bashkuara, disa OJQ izraelite si B'Tselem, dhe çdo organizatë e madhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë denoncuar veprimet e Izraelit, media e vjetra vazhdojnë t'i ofrojnë atij besueshmëri. Në rastet e rralla ku organet perëndimore kanë hetuar pretendimet izraelite, siç bëri kohët e fundit The New York Times, gjetjet përsërisin në mënyrë dërrmuese raportet që mediat arabe dhe disa media të krahut të majtë izraelit kishin bërë muaj më parë, duke përshkruar krime të rënda që po kryheshin.
Një nga arsyet pse ne kemi arritur në pikën ku Izraeli, i vetëshpallur "e vetmja demokraci në Lindjen e Mesme", masakron gazetarët pa u ndëshkuar është sepse nuk u mbajt kurrë përgjegjës për intensifikimin gradual të dhunës kundër punonjësve të medias gjatë gjithë këtyre viteve.
Vrasja e gazetares palestinezo-amerikane Shireen Abu Akleh në Jenin në vitin 2022 është një rast i tillë. Ndërkohë që kishte mbulim dhe punë hetimore të kryer nga mediat perëndimore për vrasjen e saj, Izraeli u lejua tia hidhte paq duke thënë se ushtari përgjegjës do të mbante llogari. Ndërkohë që ai nuk u mbajt përgjegjës.
Ajo që duhet të kuptojnë kolegët tanë të huaj është se qëndrimi i Izraelit për të normalizuar vrasjen masive të gazetarëve kërcënon jo vetëm punonjësit e medias palestineze. Nëse një sjellje e tillë e neveritshme në zonat e luftës normalizohet, atëherë asnjë gazetar, pavarësisht çfarë pasaporte mban, nuk do të jetë i sigurt.
Është koha që komuniteti ndërkombëtar i medias të ndalojë së justifikuari Izraelin dhe t'i quajë veprimet e tij : krime lufte. Është koha që gazetarët në mbarë botën të solidarizohen me kolegët e tyre palestinezë dhe të kërkojnë llogari për ata që i kanë masakruar. Është koha që ata të kërkojnë veprime nga qeveritë e tyre duke i përkëthyer në sanksione të drejtpërdrejta ndaj Izraelit./aljazeera