Musk pretendon se 4.7 trilionë dollarë shpenzime amerikane janë zhdukur

Departamenti për Efiçiencën e Qeverisë (DOGE) ka deklaruar se ka identifikuar 4.7 trilionë dollarë në pagesa të Thesarit të SHBA-së që nuk mund të gjurmohen për shkak të mungesës së një kodi të rëndësishëm identifikues.
Organizata e udhëhequr nga Elon Musk, e cila ka për qëllim reduktimin e burokracisë dhe kontrollin e shpenzimeve federale, tha se shumë transaksione nuk kishin të përfshirë “Treasury Account Symbol” (TAS), një kod identifikimi që klasifikon të gjitha transaksionet e qeverisë federale.
Ky kod shërben për të lidhur pagesat e Thesarit me linjat specifike të buxhetit, duke lehtësuar raportimin në Departamentin e Thesarit dhe Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit për të siguruar që fondet përdoren sipas destinacionit të tyre.
“Simboli i Aksesit të Thesarit (TAS) është një kod identifikues që lidh një pagesë të Thesarit me një linjë buxhetore (proces financiar standard).
Në qeverinë federale, fusha TAS ishte opsionale për rreth 4.7 trilionë dollarë pagesa dhe shpesh lihej bosh, duke e bërë gjurmueshmërinë pothuajse të pamundur,” shkroi DOGE në platformën X të Musk të hënën mbrëma.
Për vitin fiskal 2024, i cili filloi më 1 tetor 2023 dhe përfundoi më 30 shtator 2024, shpenzimet federale arritën në 6.75 trilionë dollarë.
Ndërkohë, për vitin fiskal 2025, qeveria ka shpenzuar tashmë mbi 2.4 trilionë dollarë, sipas analizave të deklaratave mujore të Thesarit.
Shifra e raportuar nga DOGE për transaksionet e pamundura për t’u gjurmuar përbën gati 70 për qind të shpenzimeve totale të qeverisë federale vitin e kaluar.
Pas këtij zbulimi, përdorimi i detyrueshëm i kodit TAS është vendosur si një masë për të rritur transparencën mbi destinacionin e fondeve federale, sipas DOGE.
Duke shpërndarë njoftimin e organizatës, Musk falënderoi DOGE, Departamentin e Thesarit dhe Rezervën Federale për gjetjen e mospërputhjeve, duke theksuar se ky veprim do të sjellë “përmirësime të mëdha në ndershmërinë e pagesave të Thesarit.”/lapsi