Lidhje


“Ikje masive e trurit”, 40% e fuqisë punëtore të Shqipërisë ka ikur jashtë vendit

40% e fuqisë punëtore të Shqipërisë ka emigruar jashtë vendit për shkak të mungesës së perspektivës së punësimit të mirë dhe kërkimit për punë më të paguara. Në raportin e vitit 2024 të Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (IOM), thuhet se rreth 40% e fuqisë punëtore të Shqipërisë ka emigruar jashtë vendit, duke kontribuar edhe më tepër në fenomenin e "ikjes së trurit".

 

Raporti identifikon disa faktorë që ndikojnë në këtë fenomen, siç janë normat e larta të varfërisë, diferencat e pagave midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, korrupsioni, klientelizmi i konsiderueshëm dhe mungesa e mundësive të punësimit në vend. Këto kushte po i shtyjnë qytetarët shqiptarë, veçanërisht të rinjtë, të kërkojnë mundësi më të mira jetese dhe punësimi jashtë Shqipërisë.

 

Në raport thuhet se ky fenomen po ushtron presion të konsiderueshëm mbi industritë dhe ekonomitë vendase, të cilat po humbasin vazhdimisht punëtorë në sektorë të ndryshëm, si në ata me kualifikim të ulët ashtu edhe në ato që kërkojnë punëtorë me kualifikim të lartë. Sektorët që janë prekur më shumë nga largimi i fuqisë punëtore janë turizmi, bujqësia dhe shërbimet. Rënia e fuqisë punëtore po ndikon negativisht në këta sektorë, ku është bërë e vështirë mbushja e vendeve të punës dhe realizimi i prodhimit dhe shërbimeve të nevojshme për zhvillimin e ekonomisë vendase.

 

Raporti gjithashtu thekson se shumë të rinj shqiptarë po rrezikojnë jetën e tyre për të arritur në Evropën Veriore, sidomos në Mbretërinë e Bashkuar. Ata shpeshherë kalojnë Kanalin Anglez në varka të vogla ose gomone, duke rrezikuar sigurinë e tyre për të gjetur mundësi më të mira punësimi dhe jetese.

 

Raporti i IOM thekson se Shqipëria dhe Moldavia janë ndër vendet më të goditura nga largimi i fuqisë punëtore. Ky fenomen ka ndikime të mëdha në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin social të këtyre vendeve, duke kërkuar masa të menjëhershme për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mundësive të punësimit./JOQ

XS
SM
MD
LG