Lidhje


“Shqipëria po mbron një shtet që v.ret fëmijë” – Andi Bushati shpërthen ndaj qeverisë: “Qëndrim ekstremist pro-I.zrael, po bëheni më katolikë se Papa!”

Një përballje e ashpër është zhvilluar mes analistit Andi Bushati dhe ministrit të Jashtëm Igli Hasani gjatë emisionit “Top Story” në lidhje me qëndrimin e Shqipërisë për konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, si dhe për situatën humanitare në Gaza.

 

Bushati kritikoi ashpër qeverinë shqiptare për qëndrimin “ekstremist pro-Izrael”, duke e akuzuar se po mbyll sytë ndaj shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare nga ana e shtetit hebre. “Po shohim një holokaust të dytë. Izraeli po kryen akte që vetë izraelitët i quajnë genocid. Shqipëria po mbron sulmet preventive ndaj Iranit, që janë të ndaluara nga Karta e OKB-së dhe Protokolli i Gjenevës. Po bëhemi më katolikë se Papa,” – tha Bushati.

 

Ministri Hasani reagoi menjëherë, duke i quajtur komentet e Bushatit “deduksione personale” dhe theksoi se Shqipëria është në përputhje me qëndrimet e aleatëve perëndimorë.

 

“Nuk jemi Hezbollah, zotëri. Jemi në krah të vendeve demokratike. Qëndrimet tona janë të pandryshueshme, në unison me BE dhe SHBA. Ne nuk mund të justifikojmë agresionin e Iranit që ka sulmuar edhe Shqipërinë.” – u shpreh Hasani.

 

Redi Shehu ndërhyri duke ngritur pyetje për standardet e dyfishta të perëndimit:

 

“Kur godet Rusia, e dënojmë të gjithë. Kur e bën Izraeli, heshtim. Po flasim juridikisht.”

 

Bushati nguli këmbë se sulmet izraelite janë të dënueshme dhe se Shqipëria duhet të mbajë një qëndrim më të ekuilibruar, pa humbur sensit e të drejtës ndërkombëtare.

 

Debati ngjalli shumë reagime në rrjet, ndërsa çështja e pozicionimit diplomatik të Shqipërisë mbetet temë e ndjeshme në sfondin e një konflikti me përmasa globale.

XS
SM
MD
LG