Zvarritja e “bisedimeve për Paqe” është shkatërrim gje.nocidal për Gazën

Roald A. Hysa
Sjellja jonormale e Netanjahut tashmë e ka diskredituar atë në sytë e komunitetit ndërkombëtar, duke shkaktuar diversione herë në Liban, Siri apo Iran. Kryefjala është Gaza, pavarësisht sulmeve të ndryshme Gaza është lufta e papushuar për asnjë moment dhe që Netanjahu nuk ka minimumin e vullnetit për ta ndaluar. Shkatërrimi sistematik i Gazës dhe spastrimi i saj nuk ka pushuar për asnjë moment dhe ky është synimi final i Izraelit dhe Netanjahut njëkohësisht.
Sidoqoftë ka pasur vazhdimisht përpjekje për të ndërmjetësuar një armëpushim, kur tashmë situata është përkeqësuar dhe po shihet qartas, që kemi të bëjmë me një spastrim, ku të mos mbetet asnjë gjurmë nga Gaza. Edhe vetë Shtëpia e Bardhë ka shprehur shqetësimet e veta, ku një nga zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar, se:
- Presidenti Trump beson se lufta në Gaza është zvarritur dhe se luftimet janë bërë më të përgjakshme ditët e fundit.
- Presidenti Trump dëshiron, që luftimet të ndalen në mënyrë që të fillojnë negociatat për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve.
- Presidenti Trump gëzon një marrëdhënie të mirë me Netanyahun, por ai u habit nga bombardimi i #Sirisë dhe kishës në Gaza.
Presidenti Trump dëshiron që ndihmat të hyjnë në Gaza në mënyrë të sigurt.
Po ashtu Sekretari i Jashtëm Britanik David Lami ka deklaruar, se: Refuzimi i Izraelit për deklaratën e nënshkruar nga 31 vende mbi Gazën dëmton rëndë reputacionin e tij. Nënshkruesit përfshinin ministrat e jashtëm të rreth 20 vendeve evropiane, si dhe Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re, si dhe Komisionerin e BE-së për Barazinë, Përgatitjen dhe Menaxhimin e Krizave. Njëzet e tetë vende, përfshirë Francën, Belgjikën dhe Mbretërinë e Bashkuar, lëshuan një deklaratë të përbashkët të hënën duke thënë se lufta në Gaza "duhet të përfundojë tani" dhe se Izraeli duhet të zbatojë ligjin ndërkombëtar.
Ministrat e jashtëm që përfaqësonin bashkënënshkruesit thanë se "vuajtjet e civilëve në Gaza kanë arritur në thellësi të reja" dhe dënuan "ushqimin me pika të ndihmës dhe vrasjen çnjerëzore të civilëve, përfshirë fëmijët, që kërkojnë të plotësojnë nevojat e tyre më themelore për ujë dhe ushqim".
"Modeli i ofrimit të ndihmës nga qeveria izraelite është i rrezikshëm, nxit paqëndrueshmërinë dhe i privon banorët e Gazës nga dinjiteti njerëzor", thuhej në deklaratë. "Mohimi i ndihmës thelbësore humanitare nga qeveria izraelite për popullsinë civile është i papranueshëm. Izraeli duhet të përmbushë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar humanitar", thuhet aty.
Netanjahu dhe Izraeli po i zvarrisin qëllimisht bisedimet dhe po shkaktojnë një rrëmujë të vërtetë me komunitetin diplomatik, pikërisht për të shkaktuar sa më shumë dëme njerëzore dhe materiale që Gaza të mos e rimarri veten nga i gjithë ky shkatërrim gjenocidal. Një filozofi e thjeshtë shkatërrimtare, ku në funksion të saj është vënë e gjithë diplomacia ndërkombëtare izraelite, së bashku me ushtrinë e saj.