Lidhje


Enes ngriti zërin, por bota refuzoi ta dëgjonte

Nga Hasan Abu Kamar*

 

“Kam jetuar dhimbjen në çdo detaj të saj dhe e kam shijuar humbjen e dhimbjen vazhdimisht. Megjithatë, kurrë nuk jam hezituar të përcjell të vërtetën ashtu siç është, pa shtrembërim apo falsifikim. Zoti qoftë dëshmitar kundër atyre që heshtën e pranuan vrasjen tonë, dhe kundër atyre që na morën frymën, zemrat e të cilëve nuk u prekën nga mbetjet e shpërndara të fëmijëve dhe grave tona, e që nuk bënë asgjë për të ndaluar masakrën që populli ynë po përjeton prej më shumë se një viti e gjysmë.”

 

Kështu shkroi Anas al-Sharif në “testamentin” e tij, të përgatitur katër muaj para martirizimit. Ky u publikua në llogarinë e tij në rrjetet sociale disa orë pasi një sulm ajror izraelit e vrau atë, së bashku me gazetarët Mohammed Qreiqeh, Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa, pranë një tende mediatike afër Spitalit al-Shifa në qytetin e Gazës.

 

Anas al-Sharif ishte një nga heronjtë e Gazës. Ai ishte – pa dyshim – gazetari më i dashur për të gjithë ne. Njerëzit këtu në Gaza shpesh e urrejnë median. Ata i shohin gazetarët ose duke ekzagjeruar e duke na paraqitur si supernjerëz që përballojnë bombardime të pamëshirshme, mungesën e ushqimit e ujit, dhe humbjen e të dashurve; ose duke na demonizuar si “terroristë”, për të justifikuar vrasjen e familjeve tona dhe shkatërrimin e shtëpive tona.

 

Anas ishte ndryshe; ai nuk e shtrembëronte të vërtetën. Ishte njëri prej nesh: i rritur në kampet tona të refugjatëve, duke vuajtur bashkë me ne nën bomba e mes urie, duke vajtuar të afërmit, dhe duke refuzuar të largohej nga komuniteti i tij. Ai mbeti në Gaza, i palëkundur si një pemë ulliri, shembulli i gjallë i një palestinezi të vërtetë.

 

Anas filloi të raportonte për Al Jazeera që në fillim të gjenocidit, por shpejt u bë një fytyrë e njohur. Ai dhe Ismail al-Ghoul nuk ndaluan transmetimet nga Gaza veriore edhe kur përballeshin me kërcënime të vazhdueshme. Miqësia e tyre e ngrohtë dhe momentet qesharake e të trishta që ndanin na bënë të ndiheshim më afër tyre.

 

Pas martirizimit të Ismailit vitin e kaluar – Allahu e mëshiroftë – ndjemë se kishim humbur një vëlla të dashur, dhe na mbeti vetëm Anas. Muajin e kaluar, kur Anas u thye në lot drejtpërdrejt në kamera duke raportuar për urinë, njerëzit i thanë: “Vazhdo, Anas, mos u ndal, ti je zëri ynë.” Dhe me të vërtetë, ai ishte zëri ynë.

 

Shpesh e imagjinonim se kur të vinte fundi i gjenocidit, do ta dëgjonim të shpallej me zërin e Anas al-Sharif. Nuk kishte gazetar në botë më të denjë për ta shpallur atë moment se Anasi.

 

Për mua, Anas ishte më shumë se një reporter. Ai ishte frymëzim. Ishte arsyeja pse merrja përsëri lapsin sa herë humbisja shpresën se ajo që shkruaja mund të sillte ndryshim. E shihja Anasin duke raportuar pa pushim – i uritur apo i ngopur, në verë apo dimër, nën kërcënim vdekjeje apo i rrethuar nga kamera.

 

Ata nuk e meritonin lotin tënd, Anas! Nuk e meritonin vetësakrifikimin tënd që ata të dinin historinë tonë. Ata nuk dëgjojnë sepse nuk duan. Ti ngrite zërin, Anas, por po u flisje atyre pa ndërgjegje.

 

Do të doja që lufta të kishte mbaruar para se të bëheshe dëshmor, që të vija e të të gjeja në Gaza e të të thosha se zërat tanë kishin fituar, kishin mbërritur jashtë dhe kishin sjellë ndryshim. Do të të thosha se ti ishe shembulli im dhe puna jote më mbajti gjallë. Dhe nëse në atë çast do të buzëqeshje e do më quaje kolegun tënd, unë do të qaja nga gëzimi.

 

Raportimi yt mbaroi, Anas, por lufta gjenocidale jo. Sot, shohim të pafuqishëm okupatorin e ndyrë që mburret publikisht se të kishte në shënjestër – para gjithë botës – asaj bote me të cilën ti lute deri në frymën tënde të fundit.

 

Shtetet anembanë botës heshtin; për to, marrëveshjet ekonomike e interesat politike vlejnë më shumë se jeta njerëzore. Megjithatë, okupatori nuk do të na heshtë, Anas. Ai do që të vdesim pa zë, sepse zëri ynë, ndërsa ulërisim nga dhimbja dhe qajmë nga humbja, e shqetëson, i pengon nxitimin drejt gjenocidit.

 

Gaza nuk do të lindë më një tjetër si ti, Anas, as si shkrimtari dhe poeti Refaat Alareer, as si drejtori i spitalit Marwan al-Sultan. Okupatori po shënjestron më të mirët e më të ndriturit, ata që kanë ngritur zërin dhe i kanë treguar botës çfarë mund të bëjnë palestinezët me dinjitet dhe integritet. Por ne nuk do të heshtim pas këtyre vrasjeve të dhunshme. Edhe nëse e dimë se bota nuk do të na dëgjojë, do të vazhdojmë të flasim – sepse ky është fati dhe detyra jonë.

 

Ne, palestinezët e mbijetuar nga ky gjenocid, duhet të mbajmë trashëgiminë e martirëve tanë. Për mua, kjo do të thotë të flas, të shkruaj dhe të zbuloj krimet e këtij okupimi gjakatar e brutal … derisa të vijë dita që ëndërrove, Anas – dita kur ky gjenocid, më i tmerrshmi në historinë moderne, të marrë fund. Dita kur ti kthehesh në shtëpinë tënde stërgjyshore në al-Majdal dhe unë kthehem në fshatin tim, Yibna./ Al Jazeera

 

*Hassan Abo Qamar është një shkrimtar, aktivist dhe tregimtar i ri palestinez me bazë në Gaza, që ndan historitë e atyre që jetojnë nën luftë dhe rrethim.

XS
SM
MD
LG