Lidhje


Ashtu si Rusia edhe I.zraeli duhet të përjashtohet nga aktivitetet sportive ndërkombëtare

Bota e futbollit, po e kupton më në fund se heshtja nuk është përgjigjja e duhur ndaj luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza.

 

Nga Leyla Hamed “TRT Word”

 

Për vite me radhë, përgjigjja e futbollit evropian ndaj çështjes së Palestinës, është karakterizuar nga heshtja, shmangia dhe flamujt e ndaluar. Kur mbështetësit valëvisnin flamuj palestinezë në stadiume, ato shpesh hiqeshin sipas rregulloreve kundër “simboleve politike”.

 

Kur u vranë futbollistët në Gaza, deklaratat zyrtare - kur pati të tilla - u formuluan me një gjuhë të paqartë rreth “konfliktit” dhe “tragjedisë”. Mesazhi ishte i qartë: politika nuk kishte vend në futboll. Por kjo çështje shkon përtej politikës. Ajo që po ndodh në Gaza, është një katastrofë humanitare dhe futbolli nuk mund ta injorojë atë.

 

Javët e fundit, futbolli ka parë një valë gjestesh dhe vendimesh - nga klubet, federatat, ish-yjet

 

e këtij sporti dhe madje edhe qeveritë - që tregojnë se neutraliteti nuk është më një qasje e qëndrueshme. Gjatë dy viteve të fundit, grupet e mbështetësve e kanë imponuar këtë çështje në strukturat drejtuese të futbollit.

 

Pasi “Brigada e Gjelbër” bëri thirrje për solidaritet në vitin 2023 nga shkallët e stadiumit “Celtic Park” pati pankarta në mbështetje të palestinezëve. Flamujt palestinezë, u bënë një element i pandashëm në kulturën evropiane të futbollit, edhe kur rojet e sigurisë u përpoqën që t’i sekuestronin ato.

 

Që nga ajo kohë, kjo lëvizje vetëm sa është zgjeruar. Një letër e koordinuar nga organizata Sporti Skocez për Palestinën, ku kërkohet që FIFA dhe UEFA t’i tregojnë Izraelit “kartonin e kuq”, është nënshkruar deri tani nga më shumë se 7 milionë njerëz në të gjithë botën.

 

Javë pas jave, mbështetësit kanë treguar se heshtja nuk është më një opsion. Ajo që po shohim nuk është vetëm një deklaratë politike, por një kërkesë për njohjen e një përgjegjësie të përbashkët njerëzore. UEFA e ka pasur të vështirë të përballet me këtë presion.

 

Në finalen e superkupës në Udine në gusht, ajo shpalosi banderola me mbishkrimin “Ndaloni vrasjen e fëmijëve!” dhe njoftoi mbështetjen e saj për Palestinën. Megjithatë, edhe pse dy fëmijë palestinezë qëndruan në podium në ceremoninë e ndarjes së medaljeve, UEFA refuzoi që ta përmendte me emër agresorin, Izraelin.

 

Dhe ajo që dukej si një dhembshuri, u kritikua shumë shpejt si akt teatral në një përpjekje tjetër për t’u dukur neutral, ndërkohë që shmangej kërkimi i llogarisë ndaj një vendi anëtar të UEFA-s.

 

Spanja udhëheq ndryshimin e qasjes

 

Presidenti i La Ligas spanjoll, Javier Tebas, habiti shumë njerëz duke njoftuar se flamujt palestinezë do të lejohen brenda stadiumeve. Në Bilbao, Athletic Club shkoi më tej: shpalosi një banderolë në San Mames, u bashkua me UNRWA-n për të mbështetur fëmijët refugjatë, dhe njoftoi zhvillimin e një miqësoreje historike midis Palestinës dhe ekipit bask në nëntor, me të ardhurat e destinuara për ndihmat humanitare.

 

Dhe protestat nuk janë të kufizuara vetëm tek futbolli. Në garën çiklistike La Vuelta a Espana (Xhiron e Spanjës) të këtij viti, pjesëmarrja e ekipit izraelit, Premier Tech, u prit me thirrje të përhapura për bojkot përgjatë gjithë itinerarit. Tifozët në mbarë Spanjën, kanë treguar se sporti nuk mund të mbetet indiferent përballë vuajtjeve njerëzore në Gaza.

 

Qeveria spanjolle ka shkuar edhe më tej. Më 15 shtator, kryeministri Pedro Sanchez bëri thirrje që Izraelit t’i ndalohet pjesëmarrja në të gjitha aktivitetet sportive ndërkombëtare, duke pyetur: “E pse u përjashtua Rusia pas pushtimit të Ukrainës, dhe nuk po përjashtohet Izraeli pas pushtimit të Gazës?”.

 

Madje ai e ka lënë të hapur edhe bojkotin e Spanjës në botërorin e vitit të ardhshëm, nëse do të marrë pjesë edhe Izraeli. Diku tjetër, Federata Norvegjeze e Futbollit njoftoi se do të dhurojë për Palestinën të gjitha të ardhurat nga ndeshja e saj kundër Izraelit, një hap që kalon nga simbolizmi tek mbështetja materiale.

 

Në Itali, Shoqata Kombëtare e Trajnerëve kërkoi pezullimin e Izraelit, duke përmendur sërish precedentin e Rusisë. Solidariteti publik ka qenë i dukshëm: gjatë protestave mbarëkombëtare të këtij muaji pro Palestinës, ish-portieri i kombëtares italiane Walter Zenga shprehu hapur mbështetjen e tij.  

 

Rreziqet do të rriten kur Italia të presë Izraelin në Udine në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës, teksa priten protesta të mëdha. Por tensioni nuk kufizohet vetëm tek ekipet kombëtare. Në futbollin e klubeve, Maccabi Tel Aviv do të përballet sot me Aston Villan në Britani në kuadër të Ligës së Konferencës.

 

Duke pasur parasysh atmosferën aktuale, ndeshja ngre shqetësime serioze në lidhje me sigurinë

 

e tifozëve dhe potencialin për trazira. Përleshjet e dhunshme që shoqëruan ndeshjen Ajax - Maccabi Tel Aviv në Amsterdam pak muaj më parë, janë një kujtesë e fortë se sa problematike mund të bëhen përballje të tilla.

 

Përgjigja e Amsterdamit ka shkuar më tej. Këshilli i qytetit, miratoi së fundmi një mocion për ta shpallur Maccabi Tel Aviv “të padëshiruar” në qytet, duke argumentuar se klubet izraelite që janë bashkëpunëtorë në pushtim ose racizëm nuk duhet të mirëpriten.

 

Ishte një hap mbresëlënës: një kryeqytet evropian, shprehej se pjesëmarrja në sport nuk mund të jetë neutrale kur shkelen të drejtat e njeriut. Dhe pastaj është kultura. Në Londër, ish-futbollisti i famshëm i Manchester United dhe kombëtares franceze, Eric Cantona, kritikoi ashpër hipokrizinë e organeve drejtuese të futbollit për zbatimin selektiv të sanksioneve.

 

Fjalët e tij patën jehonë, sepse pasqyronin atë që tifozët e dinin tashmë: neutraliteti nuk është i vërtetë. Siç i tha trajneri i Palestinës, Ihab Abu Jazar, për të përditshmen italiane La Gazzetta dello Sport: “Të stërvitësh sot Palestinën është një formë rezistence. Në këtë mënyrë, ne mbajmë gjallë shpresën dhe frymëzojnë rezistencën e popullit”.

 

Këtë javë, sekretarët e përgjithshëm të UEFA-s do të takohen në Marbella të Spanjës për të “përafruar qëndrimet” në lidhje me Izraelin. Vetë mbledhja nuk mund të vendosë sanksione,

 

por 55 federatat e pranishme mund të hartojnë një qëndrim të përbashkët për ta përshkallëzuar çështjen në Komitetin Ekzekutiv.

Fakti që Izraeli tani është në axhendë, tregon se sa larg ka shkuar debati. Urgjenca është e pamohueshme. Suleiman Al-Obeid, i quajtur dikur edhe si “Pele i Palestinës” u vra në gusht ndërsa priste në radhë për ndihma ushqimore. Trajneri i Palestinës, Abu Jazar, raporton se më shumë se 280 objekte sportive janë shkatërruar, teksa janë vrarë 774 figura të sportit palestinez, lojtarë, trajnerë, staf i federatës etj.

Edhe zyrtarët brenda Izraelit, e pranojnë se sa i brishtë është bërë pozicioni i tyre. Shlomi Barzel, kreu i komunikimit në Federatën izraelit të Futbollit thotë: “Jam i befasuar që jemi ende pjesë e aktiviteteve ndërkombëtare. Në shumë aspekte, kjo është një mrekulli… Historikisht, vendet janë pezulluar për shumë më pak”.

Ai paralajmëroi se “një incident tjetër problematik në Gaza” mund t’i japë fund “në çast” pjesëmarrjes së Izraelit në garat ndërkombëtare, dhe e pranoi se në një votim të lirë në UEFA ose FIFA, Izraeli “nuk do të kishte mbijetuar”.

Parimi se “politika nuk ka vend në sport”, është tashmë dytësor në krahasim me parimin më urgjent: nuk mund të heshtet kur humbet apo rrezikohet jeta e njerëzve.

 

Fundi i neutralitetit

 

Parulla “politika nuk ka vend në sport” duket e vjetruar. Futbolli ka qenë gjithmonë politik, ndaj pyetja e vetme është përse konsiderohet politike mbështetja e humanizmit. Rusia u përjashtua nga garat ndërkombëtare brenda pak ditësh që nga fillimi i luftës së saj ndaj Ukrainës.

 

Ndërkohë, Izraeli vazhdon ende të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet sportive. Kur kreu i FIFA-s, Gianni Infantino, u përball me një anëtar të Aleancës për Paqe në lidhje me pezullimin e Izraelit nga ndeshjet eliminatore për Kupën e Botës, ai buzëqeshi me ironi, një gjest që tregoi indiferencën e futbollit, në një kohë që po vriten sistematikisht sportistët palestinezë dhe po shkatërrohet çdo lloj infrastrukture civile.

 

Futbolli nuk ka qenë asnjëherë neutral. Ai nuk ishte neutral kur Afrika e Jugut u përjashtua nga garat ndërkombëtare gjatë regjimit të Aparteidit. Nuk ishte neutral kur Jugosllavisë iu ndalua pjesëmarrje në evropian apo botëror, gjatë luftës së Beogradit kundër republikave që po shkëputeshin nga federata.

 

Dhe nuk ishte neutral as kur Rusia u përjashtua pas ofensivës së saj në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, ose kur UEFA i detyronte ekipet bjelloruse të luanin pa tifozë dhe në një vend neutral për shkak të ndihmës që Minsku i jep Moskës në luftë.

 

Secili prej këtyre vendimeve, krijoi një precedent: loja e futbollit nuk mund ta injorojë dhunën masive pa e implikuar veten. Të lejosh Izraelin të vazhdojë të luajë, ndërsa futbolli palestinez është masakruar nuk është neutralitet, por bashkëfajësi. Tifozët e kanë kuptuar tashmë këtë.

 

Ata kanë mbajtur nëpër duar flamuj palestinezë, kanë mbushur tribunat dhe e kanë vënë në qendër të vëmendjes këtë çështje. Ajo që mbetet të shihet është nëse FIFA dhe UEFA do të ndjekin shembullin e tyre, apo nëse ata do të mbahen mend përkrah atyre që qeshën me ironi dhe ngurruan të marrin masa kur një kulturë e tërë sportive u bombardua deri në shfarosje.

 

Historia i shkruan gjithmonë zgjedhjet që bën futbolli. Pyetja nuk është nëse sporti do të marrë një anë; ai tashmë e ka bërë këtë. Pyetja është nëse ai do të korrigjojë kursin, përpara se heshtja të bëhet një nga kapitujt më të turpshëm në historinë e kësaj loje të bukur.

XS
SM
MD
LG