Vajzat shqiptare, më të arsimuara se djemtë! Pabarazi në vendin e punës
Vajzat dhe gratë në Shqipëri po i tejkalojnë ndjeshëm djemtë në fushën e arsimit të lartë. Të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT, që i referohen vitit akademik 2023/2024, tregojnë se nga afro 28 mijë studentë të diplomuar, 66% janë vajza – një përqindje në rritje krahasuar me një vit më parë.
Sipas sociologëve, zgjedhja e vajzave për të ndjekur arsimin e lartë lidhet ngushtë me ndryshimin e rolit të gruas në shoqëri dhe me dëshirën për një të ardhme më të mirë.“Lidhen kryesisht me perspektivën për të ardhmen. Mendojnë se e ardhmja e tyre ndryshon nëpërmjet shkollimit. Lidhet edhe me mënyrën sesi ka ndryshuar perspektiva e gruas në shoqëri, e cila nuk shihet më si kontribuese vetëm brenda mureve të shtëpisë.”
Ndërkohë, djemtë po tërhiqen gjithnjë e më tepër nga rrugë të tjera për të siguruar të ardhura, si arsimi profesional, emigracioni apo punësimi informal, shpesh duke lënë pas dore arsimin e mesëm dhe atë universitar.
Jo vetëm në bankat e universiteteve, por edhe në sistemin arsimor si trupë mësimore, gratë përbëjnë shumicën. Në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm të lartë, 79% e mësuesve janë gra, krahasuar me 71% burra në vitet e mëparshme.
“Kjo ndodh sepse burrat zgjedhin rrugë të tjera që janë më të shpejta për të siguruar të ardhura. Edhe pse janë kryefamiljarë në pjesën më të madhe të rasteve, shkojnë drejt këtyre rrugëve. Në fushën e arsimit ka më shumë gra dhe vajza për shkak se kjo fushë ka qenë më keqpaguar.”
Të dhënat tregojnë një ndarje të qartë gjinore edhe në përzgjedhjen e fushave të studimit. Vajzat diplomohen kryesisht në:
Biznes, administrim dhe drejtësi, shëndetësi, shkenca sociale dhe gazetari. Ndërsa djemtë përqendrohen në: Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim, teknologji informacioni dhe komunikim, biznes dhe ekonomiks.
Ndërsa numri i vajzave të diplomuara vazhdon të rritet, sfida e barazisë gjinore në tregun e punës mbetet. Ekspertët theksojnë se, edhe pse gratë po investojnë më shumë në arsim, kjo nuk përkthehet gjithmonë në pozicione më të larta apo paga më të mira./joq