Tony Blair nuk do të mirëpritet në Gaza
Çdo britanik i emëruar në krye të Gazës, do të kishte jo pak kusure mbi shpinë, për shkak se Londra dha dikur dritën jeshile për krijimin e shtetit hebre. Megjithatë, pozita e ish-kryeministrit është edhe më e rënduar, sepse për shumë arabë, ai është një kriminel lufte, një partner i zellshëm në pushtimin e Irakut, me duart e lyera me gjakun e qindra mijëra irakianëve të vrarë...
Nga Paul Wood “The Spectator”
Gjatë një lufte të mëparshme në Gaza, po bisedoja me familje që kishin ikur nga luftimet, por vend strehimi i të cilave - një shkollë e OKB-së - ishte goditur nga një bombë me fosfor. Ne qëndruam përreth vendit dhe pamë atë që kishte mbetur nga njëra prej predhave…
Copat nxirrnin ende tym dhe shpërthenin në flakë nëse i shtyje me këmbë. Një burrë në moshë të mesme i veshur me një kostum të bërë copë e cikë nga shpërthimi ishte shumë i revoltuar, dhe jo vetëm me izraelitët. “Ju jeni fajtorë për këtë!” - tha ai, duke tundur gishtin para meje, ndërsa toni i zërit të tij po i bëhej më i lartë.
Ai e kishte me ne britanikët: “Ju dhe Deklarata juaj e Balfourit!”. Deklarata u bë në një letër të shkruar në vitin 1917 nga Arthur Balfour, atëherë Sekretar i Jashtëm së Madhe, që premtoi mbështetjen e Londrës për krijimin e një “shtëpie kombëtare” për popullin hebre në Palestinë.
Sot bisedat me palestinezët kanë një mënyrë për të përfunduar me Deklaratën e Balfourit; herë pas here Autoriteti Palestinez kërcënon që ta padisë Britaninë në organet ndërkombëtare.
Për këto arsye, Tony Blair nuk duhet të presë që të gjejë ndonjë gëzim të pakushtëzuar nga palestinezët mirënjohës, nëse ai merr sikurse edhe përflitet emërimin si administrator i përkohshëm i Gazës.
Çdo britanik do të kishte jo pak kusure. Megjithatë, Blair ka mbi shpinë jetët e humbura të shumë njerëzve. Për shumë arabë, ai është një kriminel lufte, një partner i zellshëm në pushtimin e Irakut, me duart e lyera me gjakun e qindra mijëra irakianëve.
Dhe palestinezët janë disa nga popujt e paktë në Lindjen e Mesme me kujtime të mira nga epoka e Sadamit. Tirani i Bagdadit e mbështeti gjithmonë kauzën e tyre, edhe nëse kjo ishte për arsye egoiste. Ndërkohë, zyrtarët palestinezë mendojnë se Blair u bë gjithnjë e më i anshëm ndaj Izraelit në vitet e tij si i dërguar special i Katërshes (OKB, SHBA, BE dhe Rusi).
Pavarësisht të gjithave, Blair mund të ketë sukses në drejtimin e Gazës. Ky është maksimumi që mund të pritet nga kushdo, duke pasur parasysh keqdashjen nga ekstremistët në të dyja anët, premtimet e paqarta dhe deri më tani të paplotësuara për ndihmë nga monarkitë e Gjirit, dhe shkallën e madhe të detyrës së rindërtimit të asaj që ka mbetur nga Gaza.
Blair i njeh të gjithë aktorët personalisht; ai ka punuar me ta për dekada - si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, si i dërguar i Katërshes, dhe së fundmi duke përfaqësuar veten dhe Institutin e tij Tony Blair (duke u pasuruar jashtëzakonisht shumë me këtë të fundit).
Nëse zyrtarët palestinezë nuk e pëlqejnë dhe aq, ata gjithsesi e respektojnë. Ai do të ishte një figurë e besueshme si kryetar i Autoritetit Ndërkombëtar Kalimtar të Gazës (GITA).
Megjithatë, në fillim duhet të ketë një marrëveshje për të drejtuar Gazën si një protektorat ndërkombëtar. Presidenti amerikan Trump është dakord, edhe pse nuk është e qartë nëse ai do të marrë resortet ndërkombëtare dhe statujën e tij gjigante prej ari, që dikur shpresonte se do të ishin pjesë e një “Rivierës së Gazës”.
Edhe monarkitë e Gjirit kanë dhënë disa deklarata inkurajuese. Çelësi do të jetë nëse Trump - dhe Blair - do të jenë në gjendje t’i bindin ata të paguajnë qindra miliarda dollarë të nevojshëm për rindërtimin e Gazës, për të furnizuar forcat paqeruajtëse, dhe për t’u siguruar që nuk do të ketë më sulme me raketa drejt Izraelit.
Udhëheqësi i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, thotë se është gati të marrë përsipër kontrollin e situatës, megjithëse kjo është e dyshimtë. Për momentin, shqetësimi i tij është nëse SHBA-të mund ta ndalojnë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, nga aneksimi i pjesëve me të mëdha të Bregut Perëndimor.
Blair nuk ka folur publikisht për planin, por nëse raportet e medias janë të sakta, kjo është sa skema e tij sa edhe e administratës Trump. Thuhet se instituti i tij ka filluar të punojë për “të nesërmen pas luftës”, sapo Izraeli dërgoi trupa në Gaza pas masakrës së 7 tetorit 2023.
Ajo që dimë deri tani mbi planin, vjen nga një rrjedhje informacioni në gazetën “Times of Israel”. Ajo shkruan se Blair nuk do t’i dëbojë palestinezët nga Gaza, siç e ka thënë me zë të lartë presidenti amerikan Trump. “Gaza është për banorët e Gazës”- i tha një burim gazetës. Thuhet se ekziston një “Njësi për Ruajtjen e të Drejtave të Pronës”, për të siguruar që çdo banor i Gazës që largohet nga Rripi, të jetë në gjendje të kthehet dhe të rimarrë pronën e tij. (Nëse banorët e Gazës i besojnë apo jo premtimeve, kjo është një çështje tjetër.)
Duke supozuar se Blair e merr këtë detyrë, problemi më i tij më madh do të ishte padyshim Hamasi. Ky i fundit e di se nuk mund ta drejtojnë më Gazën, por nuk e pranon largimin. Një zyrtar anonim i Hamasit deklaroi për gazetën britanike “The Independent”: “Asnjë palë nuk ka të drejtë të shpërbëjë asnjë fraksion palestinez”.
Një sondazh i kompanisë së njohur amerikane “Zogby” në maj, tregoi se më pak se 4 për qind e palestinezëve në Gaza duan që Hamasi të mbetet në krye; ndërsa 92 për qind e fajësojnë për atë që i ka ndodhur Gazës. Por, ndërsa Hamasi mund të ketë pak mbështetje, organizata është ende e armatosur.
Mund të jetë një gjë e mirë që selia e protektoratit të ri është planifikuar të jetë pak më tej kufirit në Egjipt, të paktën në ditët e para. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtete të tjera të pasura arabe, do të dërgojnë trupa dhe do të japin para vetëm nëse protektorati përmban premtimin e krijimit të një shteti palestinez.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e ka kaluar gjithë karrierën e tij politike duke u përpjekur ta pengojë krijimin e një shteti të tillë. Përpara se të ndodhë diçka, do të duhet të ketë një armëpushim, dhe pengjet e mbetura izraelite të kthehen në shtëpi.
Bisedimet e mëparshme për armëpushim dhe lirimin e pengjeve, kanë qenë të ngadalta dhe të vështira, duke dështuar herë pas here. Tani Netanyahu dhe Hamasi tani mund të gjejnë veten duke dashur të njëjtën gjë: të ndalojnë lejimin e protektoratit.
Nëse është kështu, presidenti amerikan Donald Trump, nxitoi kur tha se paqja është afër. Dhe Sër Tony Blair nuk duhet të matë ende perdet për zyrën e tij të re.
Shënim: Paul Wood ka qenë korrespondent i jashtëm i BBC-së për 25 vjet, në Beograd, Athinë, Kajro, Jerusalem, Kabul dhe Uashington. Ai është vlerësuar me shumë çmime, përfshirë dy çmime Emmy për mbulimin e luftës civile në Siri.