Kush janë kompanitë amerikane që po pastrojnë imazhin e njollosur të I.zraelit

Nga Arwa Mahdawi “The Guardian”
A bën zhurmë një pemë që rrëzohet në pyll, por askush nuk është aty për ta dëgjuar rënien? Me siguri e keni dëgjuar edhe më herët këtë pyetje paradoksale, por do t’iu të propozoja një përshtatje të saj: nëse është duke u zhvilluar një gjenocid, por ju i pengoni gazetarët e huaj që ta dokumentojnë atë, vrisni dëshmitarët kyç dhe shpenzoni qindra miliona dollarë për propagandë, a do të shqetësohet kush për këtë krim?
Qeveria e ekstremit të djathtë në Izrael dhe shumë aleatë të saj në Shtetet e Bashkuara, po vënë bast se përgjigjja është “Jo”. Ndërsa po shkruaj, Izraeli po e rafshon Gazën në fazën e fundit të asaj që shumë studiues të respektuar dhe organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, e kanë quajtur gjenocid.
Nga Gaza po vijnë më pak imazhe se sa duhet, sepse ushtria izraelite nuk i lejon gazetarët e huaj të hyjnë në territor, teksa ka vrarë shumë nga ata që punojnë nëterren. Në gusht, një ekip i televizionit Al Jazeera, u shënjestrua qëllimisht nga forcat izraelite.
Natyra i urren boshllëqet, por propagandistët i duan ato. Ndërsa Gaza digjet dhe çdo dëshmi e dorës së parë po pengohet qëllimisht, ekspertët e PR dhe marketingut të korporatave, po e rishkruajnë historinë në kohë reale.
Në fillim të shtatorit, Drop Site News, një organizatë që ka kryer një punë thelbësore në Gaza, raportoi se kompania amerikane e sondazheve Stagwell Global, e themeluar nga Mark Penn, ishte porositur nga Ministria e Jashtme Izraelite për ta ndihmuar Izraelin të pastrojë disi imazhin e tij në skenën globale.
Për ata që nuk e dinë Mark Penn, është anketuesi që e ndihmoi Bill Clinton të fitonte rizgjedhjen në detyrë në vitin 1996, dhe më pas ndihmoi Hillary Clinton të humbiste përballë Barack Obama-s në zgjedhjet paraprake të vitit 2008, duke përdorur një strategji të bazuar tek kombinimi i arrogancës me stereotipet raciste.
“E djathta e di që Obama nuk mund të zgjidhet president. Ndoshta ai do të fitonte vetëm kundër Attilës”- shkroi Penn gjatë fushatës, në të cilën e akuzoi Obamën se nuk ishte amerikan. (Stagwell Global ka deklaruar për Adweek se puna në Izrael po kryhet nga “një ekip i kufizuar”, dhe se agjencitë punojnë “mbi një spektër të gjerë politikash dhe çështjesh”. Javën e kaluar, një zëdhënës i tha PRWeek se puna ishte një “projekt specifik, me një orar të kufizuar” dhe se tashmë ajo ka përfunduar).
Sipas Drop Site, analiza e kompanisë anketuese me qendër në Pensilvani zbuloise Izraeli kishte një shans të mirë për t’i bërë njerëzit të harrojnë çështjen e gjenocidit, me kushtin që të ringjallet frika nga “islami radikal” dhe “xhihadizmi”.
“Veçanërisht, sapo të zgjidhet situata në Gaza, potenciali për përmirësimin e imazhit të Izraelit do të jetë i madh në vendet anembanë botës”- theksohej në raport. Pra nëse mund t’i bindësh njerëzit se fëmijët palestinezë janë terroristë, askush nuk do të lëvizë gishtin kur t’i vrasësh. (Nëse e lexoni raportin, ju rekomandoj të lexoni edhe analizën juridike nga një komision i pavarur i OKB-së që akuzon Izraelin për gjenocid. Ja një fragment: “Forcat izraelite të sigurisë qëlluan dhe vranë civilë, përfshirë fëmijë që valëvitnin flamuj të bardhë të improvizuar. Disa fëmijë, përfshirë disa foshnje, u vranë nga snajperë me të shtëna në kokë”).
Pasi të jetë krijuar terreni për mohimin e gjenocidit, kompanitë e marketingut kanë nevojë për robotë për ta përhapur atë. Javën e kaluar, Sludge News zbuloi se SKDK, në pronësi të Stagwell Global, nënshkroi një kontratë prej 600.000 dollarësh për të drejtuar një “program robotësh”, që synonte përforcimin e narrativave pro-Izraelit në Instagram, TikTok, LinkedIn, YouTube dhe platforma të tjera.
SKDK, e cila numëron ndër themelueset e saj Anita Dunn (këshilltaren e Joe Biden) dhe që në fillim të këtij viti u regjistrua si agjente e huaj izraelite, ka paraqitur një strategji për të “përmbytur debatin publik” me mesazhe pro-Izraelit.
Nuk është e qartë se sa ka ndikuar tek debati mbi këtë çështje, por Politico raportoi javën e kaluar se SKDK pretendon se e ka ndaluar punën e saj pro-Izraelit dhe ka filluar procesin e çregjistrimit si agjent i huaj. SKDK dhe Stagwell pretenduan se nuk përdorin robotë por po punojnë vetëm në fushën e “marrëdhënieve me median”.
Zoe Scaman, eksperte e marketingut që ka folur hapur për Stagwell, shprehet se propaganda pro-Izraelit tashmë po funksionon. “Strategjia e përmbytjes së debatit është efektive, sepse nuk ka nevojë që t’i bindë njerëzit se gjenocidi është një gjë e mirë. Ajo thjesht mbjell dyshime për atë që po tregohet ose i lodh njerëzit duke menduar për të.
Shihni se si kanë arritur t’i paraqesin ata që kundërshtojnë masakrën e fëmijëve si ekstremistë. Propaganda shërben jo vetëm për të ndryshuar mendjet, por edhe për të prishur mekanizmat moralë që e përpunojnë informacionin. Kur realiteti kontestohet me forcë, vrasjet sistematike bëhen thjesht një çështje e radhës e debatit politik”- thotë Scaman.
Për sa kohë që kompanitë izraelite furnizojnë me teknologji ushtarake vendet e NATO-s dhe fuqitë e tjera të huaja, Tel Avivi do të ketë një garanci diplomatike për pandëshkueshmërinë. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se puna e Stagwell, përbën vetëm një pjesë të vogël të përpjekjeve të Izraelit për të normalizuar gjenocidin.
Vitin e kaluar, “Times of Israel” njoftoi se Ministria e Jashtme izraelite kishte siguruar 150 milionë dollarë shtesë për të ndikuar mbi opinionin publik. Sipas gazetës rritja e fondeve u “përdor për të ndikuar mbi median e huaj dhe rrjetet sociale”.
Kjo bollëk burimesh duket i tepërt, duke pasur parasysh se Izraeli nuk ka pse të lodhet shumë për të siguruar që media dhe klasa politike amerikane ta përçojnë mesazhin e tij. Më 7 tetor 2023, Hamasi kreu mizori të dokumentuara, por një nga argumentet më të forta të përdorura për të gjeneruar konsensus dhe për të justifikuar gjenocidin në Gaza ishte pretendimi (i hedhur poshtë gjerësisht), se organizata islamike i preu kokën 40 fëmijëve.
Zakonisht, gazetarët dhe politikanët zakonisht i verifikojnë me kujdes lajme të tilla. Sigurisht, nëse një gazetë palestineze do të pretendonte sot se ushtarët izraelitë i kanë prerë kokat 40 fëmijëve, historia do të verifikohej plotësisht para botimit, madje edhe edhe atëherë ka të ngjarë të lihej në seksionin e “opinionit”.
E megjithatë gënjeshtra për fëmijët izraelitë që u ishin prerë kokat, është përsëritur nga figura të tilla si ish-presidenti Joe Biden dhe gazetarja e CNN Sara Sidner. Më vonë, kjo e fundit kërkoi falje për mungesën e saktësisë, ndërsa Shtëpia e Bardhë i mohoi deklaratat e Bidenit. Por gazetarë të tjerë nuk kanë bërë asnjë korrigjim. Llogaria në platformën X e korrespondentes së televizionit amerikan CBS, Norah O'Donnell, përmban ende një postim nga 10 tetori 2023, ku shkruhet: “CBSNews ka mësuar se ekipet izraelite të rikuperimit të trupave, kanë gjetur fëmijë pa kokë në një kibuc në Izraelin Jugor”.
Unë i dërgova një email zyrës së komunikimit të CBS, duke i pyetur pse vazhdojnë ta përhapin këtë lajm të rremë. Nuk mora asnjë përgjigje. CBS News është në pronësi të Paramount Global, e cila nuk e ka fshehur kurrë qëndrimin e saj të mbështetjes së plotë për Izraelin.
Aktualisht Paramount po blen portalin Free Press të Bari Weiss, e cila vazhdimisht e ka minimizuar gjenocidin në Gaza dhe ka dhënë mbështetjen e saj të pakushtëzuar për Izraelin. Çmimi i shitjes është midis 100-200 milionë euro.
Thuhet se Weiss do të emërohet “shefi i politikës editoriale të CBS News”. Sipas Financial Times, Weiss ka fituar simpatinë e pronarit të CBS, David Ellison, “falë qëndrimit të saj pro-Izraelit”. David Ellison është djali i Larry Ellison, miliarderit që drejton kompaninë e teknologjisë “Oracle”.
Në vitin 2017, ai dhuroi 16.6 milionë dollarë për Miqtë e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (FIDF), donacioni më i madh në historinë e FIDF-së. “Oracle” është pjesë e një konsorciumi kompanish amerikane që po përpiqen të blejnë aplikacionin kinez TikTok.
Nëse do të kenë sukses, është e lehtë të imagjinohet se algoritmi i TikTok mund të modifikohej në favor të Izraelit. Dhe duhet theksuar se një nga arsyet pse TikTok u nxor në shitje, ishte se shumë ligjvënës amerikanë nuk i pëlqyen mesazhet e mbështetjes për Palestinën që qarkullonin në platformë.
Senatori republikan Mitt Romney e përmendi hapur këtë çështje, duke folur për “mbështetjen e madhe” ndaj propozimit për të mbyllur TikTok-un në SHBA. Tek e fundit, shtrembërimi i debatit përmes fushatave e të propagandës, është shumë më i lehtë nëse ke kontroll edhe mbi platformat ku zhvillohet debati.
Por nuk janë vetëm gazetat, ato që punojnë pa u lodhur për të rehabilituar imazhin e Izraelit. Nëse jeni një shtetas amerikan, ka shumë të ngjarë që ligjvënësit tuaj të jenë midis mbështetësve të tij. Dyqind e pesëdhjetë zyrtarë të zgjedhur nga legjislaturat shtetërore, sapo e kanë vizituar Izraelin për konferencën me temë “50 Shtete, Një Izrael”.
Unë nuk e di për ju, por personalisht, do të preferoja që përfaqësuesit e mi të bënin diçka të dobishme për të përmirësuar arsimin publik dhe kujdesin shëndetësor në Shtetet e Bashkuara, në vend se të bënin udhëtime propagandistike jashtë vendit.
“Një ditë, kur të jetë e sigurt, kur të mos ketë më rrezik personal nëse i thoni gjërat ashtu siç janë dhe kur të jetë tepër vonë për të mbajtur këdo përgjegjës, të gjithë do të thonë se ishin kundër saj” - u shpreh shkrimtari Omar El Akkad në fund të tetorit 2023.
Kjo frazë, e cila është edhe titulli i njërit prej librave të tij, u bë virale sepse mishëronte diçka që të gjithë duam dëshpërimisht ta besojmë: që edhe nëse sot nuk ka drejtësi, ndoshta një ditë e vërteta do të dalë në dritë. Një ditë, ndoshta dikush do të duhet të japë llogari.
Por edhe pse e di se është e rëndësishme të mos e humbasësh shpresën, e kam gjithnjë e më të vështirë të qëndroj optimist, se një ditë të gjithë do të thonë se gjithmonë kanë qenë kundër kësaj masakre. Tani për tani, më duket shumë më e mundshme që një ditë e gjitha kjo të jetë fshirë me koston e një mali parash.