Çfarë ka mbetur nga Gaza?
Izraeli ka shndërruar në gërmadha sipërfaqe të mëdha të territorit. Do të duhen dekada dhe dhjetëra miliarda dollarë për të riparuar dëmet...
Nga Heba Saleh “Financial Times”
Poetja palestineze Fedaa Zeyad, i rezistoi për aq kohë sa mundi largimit nga shtëpia e saj e përkohshme në kampin e refugjatëve Shati, në perëndim të qytetit të Gazës. Për ditë të tëra në fillim të shtatorit, ajo duroi shpërthimet e forta dhe dridhjet e tokës nën këmbët e saj, teksa forcat izraelite goditën dhe shkatërruan lagjet fqinje në qytetin e goditur nga uria, qendra më e madhe urbane në enklavë, e cila në atë kohë strehonte deri në 1 milion njerëz.
Zeyad shpresonte në “një mrekulli”, që të mos zhvendosej sërish gjatë luftës 2-vjeçare. Por kur bombardimet arritën në rrugën ku jetonte, iu bashkua një eksodi prej qindra mijëra banorësh të Gazës që po shkonin drejt jugut, për t’i shpëtuar një përparimi të afërt të tankeve izraelite në qytetin e tyre.
“Këtë herë, nuk do të ketë kthim në Qytetin e Gazës” - thotë Zeyad, e cila është zhvendosur në qytetin deri më tani relativisht të padëmtuar të Deir Al-Balah në qendër të Rripit. “Edhe nëse do të kthehem një ditë, nuk do të jetë i njëjti qytet që kam njohur dikur. Tashmë pjesa më e madhe e tij është rrafshuar dhe zhdukur”- thekson ajo.
Parashikimi pesimist i Zeyad, është një tregues i sfidës së madhe që paraqet fundi i luftës. Gjatë dy viteve të bombardimeve të pamëshirshme dhe i ndërhyrjeve të përsëritura tokësore, ofensiva e ushtrisë izraelite e ka bërë pluhur e hi Rripin e Gazës, duke e shndërruar në rrënoja sipërfaqe të mëdha të tij dhe duke shkatërruar tokën bujqësore dhe sistemet ushqimore.
Javën e kaluar, SHBA-ja paraqiti publikisht një plan armëpushimi dhe një plan paslufte që mbështetet nga Izraeli dhe shtetet arabe. Ai kushtëzohet me çarmatosjen e militantëve të Hamasit dhe parashikon që kontrolli i territorit t’i kalojë një organi mbikëqyrës, të quajtur “bordi i paqes”. që do të mbikëqyrë një komitet palestinez që administron punët e përditshme.
Hamasi, iu përgjigj së fundmi pozitivisht propozimit, edhe pse ka dyshimet e veta për zbatimin e tij. Por edhe nëse miratohet dhe zbatohet armëpushimi, sipas vlerësimeve të OKB-së, ai mund të kushtojë miliarda dollarë, dhe të duhen shumë vite për të pastruar rreth 54 milionë ton mbeturina betoni si dhe për të rindërtuar infrastrukturën jetësore të Gazës dhe qytetet e shkatërruara.
Një zyrtar i lartë i ndihmës humanitare, thotë se vitin e kaluar kishte pasur shpresë për të zbatuar “një model gradual” për rregullimin dhe përmirësimin e lagjeve dhe objekteve ekzistuese. Por shkalla e dëmit në muajt që kanë kaluar, kërkon një rindërtim nga themeli.
Plani i Gazës i mbështetur nga SHBA-ja, që përfshin një tërheqje graduale të Izraelit pa një afat kohor të caktuar, do ta linte Izraelin në kontrollin e një zone tampon brenda perimetrit të enklavës. “Propozimi bart disa probleme serioze”- thotë Amjad Shawa, drejtor i Rrjetit të Organizatave Joqeveritare Palestineze. “Por ne palestinezët kapemi pas çdo fije shprese, dhe tani për tani prioritet është të ndalojmë vrasjet”- shton ai.
Edhe pse plani i SHBA-së thotë në mënyrë të qartë se nuk do të ketë zhvendosje të detyruar, shumë banorë të Gazës kanë frikë se shkatërrimi është një prelud për dëbimin e tyre nga enklava ose detyrimin e tyre në atë që zyrtarët izraelitë e quajnë ”emigracion vullnetar”, sepse atdheu i tyre është bërë i pabanueshëm.
“Unë ndjej se po na dëbojnë njëherë e mirë nga toka jonë, dhe jo thjesht po na zhvendosin përkohësisht. Ky shkatërrim total, synon të ndërpresë lidhjen me të, në mënyrë që ata të nxitin idenë se nuk ka asgjë për t’u kthyer”- shprehet Shawa
Bilanci i luftës mbi shoqërinë e Gazës, mund të kuptohet jo vetëm në aspektin e numrit të të vrarëve, të plagosurve ose të zhvendosurve. Ai reflektohet edhe në shkatërrimin e infrastrukturës dhe burimeve jetësore që mbështesnin jetën në Rrip. Vlerësimi i fundit i OKB-së, bazuar në imazhet satelitore të publikuara më 6 gusht, tregon se 78 për qind e ndërtesave në Rripin e Gazës janë dëmtuar dhe më shumë se gjysma e tyre janë shkatërruar plotësisht.
Gati të gjitha tokat bujqësore, kanë pësuar njëfarë shkatërrimi, dhe që të bëhen sërish produktive do të kenë nevojë për rehabilitim. Ndërkaq, zona të mëdha toke bujqësore janë bërë të paarritshme sepse ndodhen në zona ushtarake të ndaluara të kontrolluara nga Izraeli.
Shumica e shkollave janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë, dhe luftës nuk i ka mbijetuar asnjë ndërtesë universitare. Studentët kanë humbur vitin e dytë të arsimit, dhe askush nuk e di se si ose kur mund të rifillojë mësimi. Përveç shkatërrimit, më shumë se 80 për qind e territorit të Rripit të Gazës është përfshirë në zonat e “përjashtimit ushtarak” izraelit, ose është pjesë e zonave të prekura nga urdhrat e zhvendosjes me forcë.
Nga kjo zonë, gjysma vlerësohet të jetë shkatërruar plotësisht, thonë zyrtarët e ndihmës humanitare. Pjesa më e madhe e popullsisë prej 2.1 milionë banorësh, është grumbulluar në tenda në pjesë të Gazës Qëndrore ose në rripin bregdetar jugor të Mawas-it, ku nuk ka shërbime publike si uji i rrjedhshëm dhe kanalizimet e nevojshme.
Në shkurt të këtij viti, Banka Botërore vlerësoi se rreth 53 miliardë dollarë do të ishte kostoja e rimëkëmbjes dhe rindërtimit të Gazës për dëmet e shkaktuara gjatë vitit të parë të luftës deri në tetor 2024. Banka nuk e ka përditësuar ende vlerësimin e saj, por që atëherë vështirë se ndonjë cep i Rripit është kursyer nga bombardimet e egra të ushtrisë izraelite.
“Gjithçka është shkatërruar, dhe shumë pak ndërtesa kanë mbetur në këmbë. Dëmi këtë herë është i ndryshëm nga çdo luftë e mëparshme në Gaza. Vendi duhet të rindërtohet nga e para”- thotë Shawa i PNGO.
Trauma dhe humbja e jetëve, zhvendosja e shpeshtë me forcë e njerëzve të rraskapitur, së bashku me kufizimet në hyrjen e ndihmave, kanë nxitur një katastrofë humanitare. Një monitorues i urisë i mbështetur nga OKB-ja, deklaroi në gusht se zia e bukës ka përfshirë qytetin e Gazës dhe zonën përreth, dhe ka të ngjarë të përhapet në pjesë të tjera të enklavës.
Një panel i emëruar nga OKB-ja dhe grupe të të drejtave të njeriut, e ka akuzuar Izraelin për gjenocid në Gaza, akuza të hedhura poshtë nga udhëheqësit izraelitë, që këmbëngulin se po zhvillojnë një luftë të domosdoshme kundër terrorizmit.
Në fakt, sipas autoriteteve lokale të shëndetësisë sulmi i Izraelit, ka vrarë më shumë se 66.000 palestinezë. “Nëse nuk arrihet një armëpushim dhe vazhdon evakuimi i plotë, Qyteti i Gazës ka të ngjarë të shkatërrohet plotësisht”- thekson zyrtari i ndihmës humanitare.
Sipas vlerësimeve të OKB-së bazuar tek imazhet satelitore, 78 për qind e ndërtesave në Rripin e Gazës janë dëmtuar. Më shumë se gjysma janë shkatërruar plotësisht. Të mërkurën, Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se Izraeli po shtrëngonte rrethimin e qytetit të Gazës dhe urdhëroi të gjithë banorët e mbetur të largoheshin.
Ai paralajmëroi se ata që refuzojnë, do të trajtohen si “terroristë dhe mbështetës të terrorizmit”.
Prishjet janë përdorur në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës për të shembur ndërtesat dhe për të pastruar tokën nga të gjitha ndërtimet. Një rezervist izraelit, që shërbeu në Gaza dhe dha dëshmi për “Breaking the Silence”, një OJQ izraelite e përkushtuar për t'i dhënë fund pushtimit të territoreve palestineze, tregon për FT se si një metodë, e quajtur “Kung Fu Panda”, u përdor për të hedhur në erë ndërtesat.
“Është një lloj transportuesi i blinduar i personelit, që nuk është më në përdorim ushtarak, i mbushur me shumë eksplozivë. E fut në një shtëpi, ai shpërthen dhe nuk mbetet më shtëpi në këmbë”- tregon rezervisti.
Gomaa Salama, një mësues nga provinca e Rafahut në kufirin jugor me Egjiptin, u rikthye në shtëpinë e tij në janar kur u shpall armëpushimi. Ai kujton një atmosferë të tensionuar, me dronët që mbikëqyrnin banorët palestinezë dhe trupa që kryenin shembje të shtëpive të synuara.
Për fat, shtëpia e tij ishte ende në këmbë. Ajo kishte pësuar vetëm “dëme sipërfaqësore” në 7 muajt e mëhershëm, pasi forcat tokësore izraelite pushtuan Rafah dhe detyruan të iknin rreth 1 milion njerëz. Por ishte një pushim i shkurtër. Izraeli e theu armëpushimin më 18 mars dhe urdhëroi një evakuim tjetër të detyruar.
Ushtria vazhdoi të shembte ndërtesat e mbetura në këmbë në Rafah, dhe e shpalli pjesën më të madhe të saj një zonë përjashtimi. Ashraf Shafai dhe katër vëllezërit e tij, kultivuan arat dhe pemishtet e familjes së tyre në Beit Lahia derisa bombardimet dhe urdhrat e evakuimit i dëbuan në muajin e parë të luftës.
Për një vit, ata transferuan para tek të afërmit, të cilët kishin vendosur të qëndronin pavarësisht rrezikut, në mënyrë që të blinin karburant për të mbajtur fermën në punë. Por kur vëllezërit u kthyen gjatë armëpushimit, të pesë shtëpitë ishin shkatërruar, thotë Shafai.
Pemishtet, fushat dhe pajisjet e tyre bujqësore ishin shkatërruar të gjitha. “Ushtria e pushtoi tokën tonë në tetor 2024 dhe rrafshoi pemët. Ata shkatërruan me buldozer mollët dhe agrumet e mbjella nga gjyshërit tanë. Çdo gjë që mbeti në këmbë, u tha për shkak të mungesës së ujit. Ne u përpoqëm të riparonim sistemin e ujitjes, por puset u shkatërruan”- thotë ai.
Gjithashtu, është zhdukur investimi prej 8 milionë dollarësh i vëllait të tij, Hani, në një biznes bujqësor në një fermë aty pranë prej 10 hektarësh, nga ku ai kishte planifikuar të eksportonte luleshtrydhe në Izrael. Duke folur nga SHBA-ja, ku jeton prej 44 vjetësh, Hani Shafai thotë se ëndrra e tij kishte qenë të krijonte vende pune për vendasit.
Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, FAO, thotë se nga 15.000 hektarë tokë të punueshme në Gaza para luftës, vetëm 232 hektarë janë ende të disponueshme për kultivim. Përveç kësaj, rreth 83 për qind e puseve të ujitjes janë dëmtuar dhe numri i bagëtive është reduktuar në minimum.
Shkatërrimi i tokës bujqësore, thotë Neil Marsland, zyrtar i lartë teknik i FAO-s, nuk është vetëm rezultat i djegies së të korrave dhe shkuljes së pemëve, por edhe një pasojë e bombardimeve dhe ndotjes nga infrastruktura e dëmtuar e kanalizimeve. Tanket dhe lëvizjet e armëve të rënda, e kanë degraduar tokën në disa vende duke e bërë të pamundur prodhimin bujqësor, shton ai.
OKB-ja ka vlerësuar se për çdo metër katror në Gaza ka mesatarisht 383 kg mbeturina. “Lufta ka ndotur tokën dhe ujërat nëntokësore. Përpara se të ndodhë ndonjë rehabilitim i tokës dhe ujit, duhet të hiqen mbeturinat”- nënvizon Marsland. Në shkurt FAO, vlerësoi se kostoja e rimëkëmbjes së bujqësisë do të ishte 7.4 miliardë dollarë, ndërsa sot ka të ngjarë të jetë më e lartë.
“Për një rimëkëmbje e plotë, mund të duhen disa dekada” - thotë Marsland. Me kaq shumë shkatërrim dhe pasiguri, të menduarit për të ardhmen është konfuze dhe dekurajuese për palestinezët e rinj. “Për momentin duhet ta harrojmë të ardhmen, sepse të gjitha rrugët duken të bllokuara”- thotë Shahd Ghassan, studente e vitit të pestë të stomatologjisë.
Ajo ka dy vjet që po përballet me vështirësi me lidhjen e dobët të internetit për të ndjekur leksionet online të ofruara nga universiteti i saj, por këto mbulojnë vetëm lëndët teorike, dhejo kurset praktike që do t'i nevojiteshin për t’u bërë dentiste.
“Në një situatë normale do të diplomohesha këtë vit. Ajo që dua më shumë tani është një shans për t’u larguar nga Gaza me familjen time për t’i shpëtuar këtij gjenocidi”- theson Shahd.