Lidhje


Si po i përdor Gjermania ligjet e epokës naziste për të penguar solidaritetin ndaj Palestinës

Berlini po përdor ligjet kundër fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes, si një armë për të zbehur solidaritetin me Palestinën, duke sakrifikuar lirinë e fjalës në emër të represionit…

 

Nga Hebh Jamal “New Arab”

 

Në Gjermani, një sistem ligjor paternalist, supozon se vetëm ai mund të gjykojë moralisht, të përdorë gjuhën policore dhe të ndëshkojë fjalimet politike jo të dhunshme nën maskën e “mbrojtjes”.

 

Por ajo që paraqitet si mbrojtje e demokracisë, është shndërruar në varrmihësen e saj: një makineri shtypjeje, që dikton se cilat të vërteta mund të thuhen dhe cilat duhet të shtypen. Kjo nuk është askund më e qartë sesa në trajtimin e zërave pro-palestinezë. Gjobat, akuzat për krime të rënda dhe arrestimet nuk jepen për akte dhune, por për fjalë të rrënjosura tek besimi në çlirimin e Palestinës.Vetëm 2 javë më parë, isha ulur në një sallë gjyqi gjermane ndërsa miku im Yannik, një gjerman pro-palestinez, u gjykua për “fyerje”, pasi quajti “mbështetës të gjenocidit” një provokator të njohur sionist.

 

E dëgjova për 4 orë avokatin e tij teksa argumentonte se organizatat e mëdha ndërkombëtare, i kanë kategorizuar veprimet e Izraelit si gjenocid, teksa kanësqaruar se vlerësimi mbi politikën e dikujt nuk është një fyerje, por një deklaratë e mbështetur nga e drejta ndërkombëtare.

 

Gjatë marrjes në pyetje, avokati i Yannik i bëri një pyetje të thjeshtë paditësit: “A i mbështesni furnizimet me armë ndaj Izraelit?”. Paditësi u përgjigj pa hezitim: “Po”.

 

E megjithatë, ishte Yannik ai që u shpall fajtor për dy akuza për fyerje, dhe u gjobit me 3.600 euro. Ta quash absurd këtë vendim është minimumi.

 

Trashëgimia naziste

 

Në Gjermani, ligji Beleidigung, §185 StGB, thotë:“dënimi për fyerje është me burg për një afat jo më të gjatë se një vit ose gjobë, dhe nëse fyerja kryhet publikisht, si për shembull gjatë një aktiviteti, duke përhapur përmbajtje ose me anë të një sulmi, dënimi është burgim për një afat jo më të gjatë se dy vjet ose gjobë”.

 

Siç e ka theksuar Jason Obermann në librin “The Left Berlin” , duke u mbështetur në punën e studiuesit të së drejtës James Q.Whitman, ligji gjerman për fyerjen është ndikuar shumë nga epoka naziste.

 

Ajo që kishte qenë dikur një mjet për të mbrojtur aristokratët dhe elitat ushtarake, u “demokratizua” nën Rajhun e Tretë për të mbrojtur nderin e supozuar të të gjithë arianëve, atë që Whitman e quan “privilegji i arrogancës”.

 

Madje nazistët prezantuan akuzën e “fyerjes në grup”, duke ndjekur penalisht njerëzit për fyerje ndaj organizatave kolektive si SA dhe SS. Në thelb, vëren Obermann, ligji kishte më pak të bënte me mbrojtjen e dinjitetit, se sa me detyrimin e më pak të fuqishmëve që t’u nënshtroheshin të fuqishmëve.

 

Një trashëgimi e një epoke autoritariste, që jehon ende sot në gjykatat gjermane. Megjithatë, kur drejtohen ndaj palestinezëve, fyerja dhe shpifja, mbeten krejtësisht të ligjshme. Mediat, politikanët dhe qytetarë të caktuar gjermanë, më kanë quajtur vazhdimisht si “urrejtëse e hebrenjve”, “simpatizante e terroristëve” dhe “antisemite”. Të drejtat e tyre? Të mbrojtura. Ekspertët më kanë këshilluan disa herë se do të humbisja nëse do të çoja në gjyq ndonjë nga këta njerëz. Sepse ligji i fyerjes në Gjermani, nuk synon të mbrojë më të dobëtit, por të mbështesë politikën hegjemonike të shtetit si dhe të mbrojë aktorët e tij nga llogaridhënia.

 

Përdorimi si armë i antisemitizmit

 

Marrim rastin e Mahmudit, një aktivist gjermano-palestinez i arrestuar gjatë një proteste në Frankfurt para mijëra njerëzve. Atë ditë e pashë policinë teksa i hiqte mikrofonin, e godiste dhe e tërhiqte zvarrë nga skena.

 

“Krimi” i tij ishte recitimi i një poezie që bënte paralele midis krimeve të Gjermanisë naziste dhe gjenocidit në Gaza. Vargjet ishin këto:

 

Historia qartazi po përsëritet.

 

Në vend të hebrenjve, sot të kërcënuar janë palestinezët

Nuk ka pse të ndodhë saktësisht e njëjta gjë e në të njëjtën mënyrë.

Duhet të themi me zë atë që të gjithë mund ta shohin me sytë e tyre.

Holokaust ishte atëherë, Holokaust është edhe sot.

Pavarësisht kush e mohon, gjithë njerëzit një ditë do ta mësojnë.

Por atëherë do të jetë tepër vonë. Do i pyesim:Ku ishte ndërhyrja juaj?

Gjenocidi po ndodh përsëri dhe po e përçan njerëzimin.

 

Për këto fjalë, Mahmudit iu ndalua pjesëmarrja në demonstratë dhe u arrestua. Autoritetet e akuzuan atë për “relativizim të Holokaustit”, ndërsa mediat e shfrytëzuan akuzën për ta etiketuar si antisemite të gjithë protestën .

 

I ashtuquajturi krim i “relativizimit të Holokaustit”, përfshihet në ligjin kundër gjuhës së urrejtjes, duke e kriminalizuar miratimin, mohimin ose banalizimin e Holokaustit “në një mënyrë që është e aftë të trazojë paqen publike”.

 

Po çfarë ndodh me krahasimet që synojnë të ngjallin dhembshuri? Kultura gjermane e kujtesës, e konsideron Holokaustin një mizori të veçantë, përtej çdo lloj krahasimi apo vazhdimësie historike. Meqenëse mbështetja e pakushtëzuar për Izraelin, është një element qendror në politikën e vendit, krahasimet midis Holokaustit dhe Gazës trajtohen si veçanërisht tronditëse.

 

Si ish-kancelari Olaf Scholz ashtu edhe kancelari aktual Friedrich Merz, kanë mohuar publikisht se në Gaza po ndodh një gjenocid. Sipas kësaj logjike, ta quash atë gjenocid apo ta krahasosh me Holokaustin, ke konsumuar një  krim.

 

Sigurisht, ky kufizim nuk shtrihet tek ata gjermanë që e relativizojnë Holokaustin në mënyra të tjera, duke pretenduar se “Palestina e Lirë, është Heil Hitleri i ri”, apo duke i barazuar vetë palestinezët me nazistët. Megjithatë, këto nuk janë raste të izoluara.

 

Standarde të dyfishta

 

Organizata “Court Watch Berlin”, ka dokumentuar mbi 10.000 raste vetëm në kryeqytetin gjerman rreth arrestimeve në protesta, thirrjeve dhe postimeve në mediat sociale. Një akuzë e zakonshme, shpeshherë e shoqëruar me dhunë policore, është thirrja: “Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë!”, të cilën autoritetet gjermane e pretendojnë gabimisht si një slogan të Hamasit.

 

Nga ana tjetër, thirrjet e hapura për dhunë sioniste ose raciste, mbeten shpesh të pandëshkuara. “Court Watch”, vëzhgoi në mbi 200 raste një standard të dyfishtë të vazhdueshëm: gjyqtarët dhe prokurorët, mbështeten rregullisht tek policia si dëshmitarë “neutralë”, edhe kur të njëjtët oficerë kanë qenë ata që ushtronin dhunë kundër protestuesve.

 

Unë e pashë nga afër këtë dukuri. Në një rast, një aktiviste palestineze u akuzua për rezistencë ndaj arrestimit dhe sulm ndaj një oficeri policie. Kur u nxor para gjyqit për të dëshmuar, oficeri e pranoi se nuk mbante mend asgjë: as fytyrën e saj dhe as atë që dyshohet se kishte kryer aktin.

 

Kur gjyqtari e pyeti nëse veprimet e saj mund të kishin qenë vetëmbrojtje, ai u përgjigj: “Ndoshta. Nuk më kujtohet…”. E megjithatë në fund të procesit ajo u shpall fajtore. E gjithë kjo qasje është e qëllimshme.

 

Shteti gjerman po i përdor gjykatat e tij dhe të ashtuquajturat ligje kundër “gjuhës së urrejtjes” dhe “fyerjes” për ta futur lëvizjen pro-palestineze në një makth burokratik. Aktivistët detyrohen të shpenzojnë kohën, burimet dhe paratë e tyre duke u mbrojtur para gjyqtarëve, që përsërisin gjuhën politike të politikanëve bashkëpunëtorë në gjenocidin që po ndodh në Gaza.

 

Gjermania duhet të ndalojë së pretenduari se është një strehë e sigurt demokratike. Shtypja e zërave pro-palestinezë, nuk është një devijim nga sistemi i saj ligjor, por i vetë funksionimi të saj si shtet.

 

Ligjet mbi fyerjen, gjuhën e urrejtjes dhe relativizimin e Holokaustit, nuk po përdoren për të mbrojtur komunitetet e cenueshme, por për të kontrolluar mospajtimin dhe për të zbatuar ideologjinë shtetërore.

 

Kjo është edhe arsyeja, pse aktivistët zvarriten nëpër gjyqe të pafundme, gjobiten me mijëra euro dhe damkosen si kriminelë për fjalët e tyre, ndërsa qeveria gjermane vazhdon të dërgojë armë në Izrael.

 

Kjo është arsyeja, pse gjykatat e ngrenë “të drejtën e Izraelit për të ekzistuar” mbi të drejtën e shprehjes së lirë, dhe më e rëndësishmja, e vlerësojnë më shumë se sa të drejtën e palestinezëve për të mos u masakruar.

 

Dhe kjo është arsyeja pse në Gjermaninë e sotme, fjalët e solidaritetit me palestinezët, ndëshkohen më ashpër sesa dhuna që këto fjalë përpiqen t’i japin fund. Në Gjermani, fjalët trajtohen si më të dhunshme se sa gjymtyrët e thyera.

 

Shënim: Hebh Jamal, është gazetare palestinezo-amerikane me banim në Gjermani.

 

XS
SM
MD
LG