Kur ligjet nuk zbatohen për I.zraelin: Flotilja Sumud dhe dështimi i drejtësisë ndërkombëtare

Nëse një bllokadë e paligjshme, mund të justifikojë sekuestrimin e anijeve me mision humanitar në ujërat ndërkombëtare, atëherë asnjë anije nuk është e sigurt dhe ligji i detit shndërrohet në një parodi…
Nga Ali Fuat Kuz “TRT World”
Argumenti fillestar është i thjeshtë: E drejta ndërkombëtare e njeh detin e hapur si një hapësirë përtej juridiksionit të çdo shteti të caktuar. Sipas të drejtës zakonore dhe Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS), anijet që lundrojnë në det të hapur i nënshtrohen vetëm autoritetit të shtetit të flamurit që mban anija.
Prandaj të sulmosh një anije të tillë, do të thotë të sulmosh vetë sovranitetin e shtetit në fjalë. Anijet e Flotiljes Sumud, ishin shumë larg zonës prej 12 miljesh detare që është nën juridiksionin shtetëror të Izraelit. Prandaj, ky i fundit nuk kishte asnjë të drekjtë që të ndalonte ato.
Justifikimi kryesor i Tel Avivit për veprimet e trupave të tij në det të hapur, ishte zbatimi një bllokade detare kundër Gazës. Megjithatë, kjo alibi bie shumë shpejt, pasi vetë bllokada është thelbësisht e paligjshme sipas parimeve të vendosura të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Ajo është e lidhur pazgjidhshmërisht me një pushtim, që është shpallur i paligjshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Rregullat e San Remos, konsiderohen si një ripohim autoritar i së drejtës ndërkombëtare humanitare zakonore, dhe në fakt janë përdorur nga vetë Izraeli për të justifikuar bllokadën e tij të paligjshme. Që një bllokadë të jetë e ligjshme, ajo duhet të zbatohet si një masë lufte dhe për këtë arsye është në thelb e përkohshme, e justifikuar vetëm nga domosdoshmëria ushtarake për kohëzgjatjen e luftës.
Bllokada detare e Izraelit ndaj Gazës, e vendosur zyrtarisht në janarin e vitit 2009, ka qenë në fuqi vazhdimisht prej më shumë se 16 vjetësh. Natyra e saj e pacaktuar dhe afatgjatë, është në thelb e papajtueshme me kriterin ligjor që një bllokadë të jetë një masë e përkohshme, e lidhur me një konflikt të armatosur specifik.
Aktualisht, ajo është transformuar nga një taktikë e kohës së luftës, në një mekanizëm të përhershëm kontrolli, i cili e largon atë nga kuadri ligjor i një bllokade të ligjshme. Për më tepër, Manuali i San Remos e ndalon në mënyrë të qartë një bllokadë, në rast se ajo ka “qëllimin e vetëm ta ccojë popullsinë civile drejt vdekjes nga uria, apo t’i mohojë asaj objekte të tjera thelbësore për mbijetesën e saj”, ose nëse “dëmi ndaj popullsisë civile është ose mund të pritet të jetë i tepërt në lidhje me avantazhin konkret dhe të drejtpërdrejtë ushtarak të parashikuar”.
Ligji shkon më tej, duke krijuar një detyrim me natyrë pozitive. Nëse popullsia civile e një territori të bllokuar, nuk furnizohet në mënyrë të mjaftueshme me gjërat më thelbësore për të jetuar, pala bllokuese duhet të sigurojë “kalimin e lirë” të këtyre ushqimeve dhe furnizimeve.
Në këtë kuadër, duhet të lejohet kalimi i furnizimeve mjekësore. Flotilja Gaza Sumud, ishte një mision civil që transportonte ndihma humanitare, përfshirë ushqim dhe furnizime mjekësore, për një popullsi që organizata të shumta ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), kanë konfirmuar se tashmë po përjeton një uri masive dhe mizore si pasojë e drejtpërdrejtë e rrethimit të ushtrisë izralite.
Kësisoj, ndërhyrja e Izraelit ndaj flotiljes ishte një akt i drejtpërdrejtë i pengimit, në vend të lehtësimit, të kalimit të ndihmës thelbësore humanitare tek një popullsi civile e dëshpëruar.
Ky akt, përbën një shkelje flagrante të parimeve më themelore humanitare të përfshira në ligjin mbi konfliktin e armatosur në det.
Gjenocidi dhe makineria e bllokadës
Paligjshmëria bëhet edhe më e dukshme në kuadrin e gjetjeve nga organet e OKB-së. Në një raport të publikuar në shtator, Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit i OKB-së mbi Territorin e Pushtuar Palestinez, përfshirë Jerusalemin Lindor dhe vetë Izraelin, arriti në përfundimin se shteti i Izraelit ka kryer krimin e gjenocidit kundër popullit palestinez në Gaza.
Komisioni, i drejtuar nga juristja e nderuar Navi Pillay, arriti në përfundimin se veprimet e Izraelit, përmbushnin kriteret për 4 nga 5 aktet e ndaluara të listuara në Nenin II të Konventës së vitit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit.
Raporti i komisionit, është specifik në identifikimin e akteve që përbëjnë gjenocid. Ndër këto, ai përmend në mënyrë të qartë “vendosjen e një rrethimi total, përfshirë bllokimin e ndihmës humanitare që çon tek uria”.
Ky akt përputhet drejtpërdrejt me Nenin II(c) të Konventës së Gjenocidit, i cili përcakton si akt gjenocidal “shkaktimin me dashje të kushteve të jetesës mbi grupin, të llogaritura enkas për të sjellë shkatërrimin e tij fizik, tërësisht ose pjesërisht".
Bllokada detare, është mekanizmi kryesor ushtarak dhe ligjor i përdorur për ta zbatuar këtë rrethim total. Ai është instrumenti që i pengon anijet të arrijnë në Gaza, duke kontrolluar kështu rrjedhën e ushqimit, ilaçeve, karburantit dhe të gjitha mallrave të tjera thelbësore për mbijetesë.
Për pasojë, bllokada nuk është thjesht një politikë me pasoja të ashpra humanitare. Ajo identifikohet ligjërisht si një element thelbësor i një akti gjenocidal. Misioni i Marinës Izraelite, ishte të ndalonte një konvoj humanitar, qëllimi i qartë i të cilit ishte të lehtësonte pikërisht “kushtet e jetesës” që Komisioni i OKB-së i identifikoi si gjenocidale.
Prandaj, ndalimi i flotiljes për të zbarkuar në brigjet e Gazës, ishte një akt i hapur për të mbrojtur dhe përjetësuar një akt të vazhdueshëm gjenocidi.
Detyra e flamurit
Ligji i Detit vendos detyrime mbi shtetet, anijet e të cilave u sulmuan. Në det të hapur, ligji që njeh ekuipazhi i një anije, është ligji i shtetit të flamurit që mban. Në këto kushte, një sulm nga një anije luftarake ndaj një anijeje civile, nuk është thjesht një sulm ndaj pasagjerëve individualë, por një sulm ndaj shtetit, flamurin e të cilit mban anija.
Sipas shumicës së ligjeve penale vendase dhe të drejtës ndërkombëtare, aktet e rrëmbimit dhe sekuestrimit të paligjshëm të anijeve në det të hapur, duhet të ndiqen penalisht. Prandaj, çdo shtet që ka flamurin në një anije ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin për të hetuar, dhe kur është e përshtatshme, për të ngritur akuza për krimet e kryera kundër shtetasve dhe anijeve të tij.
Në vitin 2010, një sulm ndaj anijes turke “Mavi Marmara” vrau 9 civilë, kur ushtarët izraelitë e sulmuan atë në ujërat ndërkombëtare. Këtë herë, sjellja e Izraelit nuk ka qenë haptazi vdekjeprurëse. Flotilja Sumud u ndalua me forcë, por ende nuk është raportuar për ndonjë masakër.
Ndryshimi në taktikë është domethënës. Izraeli ka mësuar se po e humbet luftën e propagandës.
Ndërkohë bota po shikon. Miliona njerëz në mbarë botën, po ndjekin në kohë reale çdo zhvillim mbi flotiljen, dhe Izraeli e di se nuk ka luksin të prodhojë të njëjtat imazhe brutaliteti si në rastin e anijes turke “Mavi Marmara”. Megjithatë, edhe një sekustrim pa gjakderdhje nuk do të thotë se është i ligjshëm.
Aktet themelore - bllokada e paligjshme, bllokimi i anijeve në det të hapur, sekuestrimi i ngarkesave humanitare dhe rrëmbimi i ekuipazhit - mbeten qartazi të paligjshme. Ndryshimi i vetëm, është se këtë herë Izraeli po llogarit se shfaqja e vetëpërmbajtjes së trupave të saj, do të ndihmojë në zbutjen disi të zemërimit global ndaj tij.
Pse ligji është ende i rëndësishëm
Tek e fundit, përvoja e Flotiljes Sumud nxjerr edhe njëherë në pah brishtësinë e vetë ligjit ndërkombëtar. Për dekada të tëra, studiuesit kanë debatuar nëse e drejta ndërkombëtare ekziston vërtet, apo ajo është thjesht pasqyrim i politikës së pushtetit.
Kur një shtet si Izraeli, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe i mbrojtur nga bashkëfajësia e Evropës, mund të shkelë hapur ligjin e detit, ligjin e pushtimit dhe ligjin humanitar, pa u ndëshkuar plotësisht, fiton shumë terren argumenti i skeptikëve.Izraeli vazhdon që të marrë mbrojtje politike, armë dhe legjitimitet nga aleatë të fuqishëm, edhe pse forcat e tij të armatosura po kryejnë mizori në sy të publikut. Kundër një tmerri të tillë, dikush mund të pyesë: po çfarë peshe kanë fjalët tona? Megjithatë, të braktisësh ligjin do të thotë të pranosh gjithçka.
Ligji i detit, ashtu si çdo ligj ndërkombëtar, ekziston për të mbrojtur të dobëtit nga zullumet e më të fortëve. Parimi, sipas të cilit asnjë shtet nuk mund ta zgjerojë juridiksionin e tij në mënyrë të paligjshme përtej ujërave të tij territoriale, është një nga normat më të vjetra dhe më themelore në rendin juridik global.
Nëse shpërfillet në këtë rast, precedenti shtrihet shumë përtej Mesdheut Lindor. Flotilja Sumud ka rëndësi jo vetëm për Gazën, por edhe për integritetin e sistemit ligjor ndërkombëtar. Nëse shtetet mund të rrëmbejnë anije në det të hapur nën justifikimin e një “bllokade” të paligjshme, atëherë asnjë anije nuk është askund e sigurt.
Detyra e bashkësisë ndërkombëtare dhe e çdo shteti flamurmbajtës, qytetarët dhe anijet e të cilëve janë sulmuar, është të këmbëngulë që të zbatohet ky parim. Nëse këto parime do të zbatohen, kjo do të na tregojë shumë për llojin e botës në të cilën zgjedhim të jetojmë: një botë të qeverisur nga ligji, apo një botë të dorëzuar ndaj pandëshkueshmërisë.