Lidhje


Kuptimi i tradhtuar i Çmimit Nobel për Paqen

Midis viteve 2000-2025 janë nënshkruar 190 marrëveshje paqeje, por vetëm 20-25 për qind e tyre kanë zgjatur të paktën 10 vjet. Po përse nuk zgjat paqja? Sepse nuk i përfshin të gjithë aktorët përkatës, nuk ka një mbikqyrje ndërkombëtare efektive, dhe nuk ka gjykata apo mekanizma për të ofruar drejtësi, apo edhe të vërtetën. Por edhe sepse një territor ku është vendosur më në fund paqja, ka nevojë për reforma dhe investime…

 

Nga Guido Boffo “Il Messaggero”

 

Nuk ka qenë asnjëherë më parë kaq shumë objekt kritikash dhe e përmendur. Po flasim për paqen, në ditët e ethshme të negociatave që po zhvillohen në Egjipt për një armëpushim në Gaza, pikërisht në javën që do të jepet Çmimi Nobel më i diskutueshëm politikisht ndër dekada.

 

Të premten, do të mësojmë nëse Donald Trump ka fituar (ndoshta së bashku me ndërmjetësuesit e tjerë), apo nëse ka dështuar përpjekja e tij për t’u barazuar me Barack Obamën. Nuk është ndonjë sekret që ekziston një fije lidhëse diplomatike midis Oslos dhe Sharm El-Sheikh, dhe nuk e sigurt që kompleksiteti i negociatave do të shpërblejë ambiciet e Donald Trumpit.

 

Lindja e Mesme pret me një zhgënjim të moderuar: një ndërprerje e luftimeve dhe masakrave ndaj civilëve, do të mirëpritej si një arritje e jashtëzakonshme. Por çerek shekulli i fundit i Çmimit Nobel, tregon se sa i brishtë dhe i zbehtë mbetet koncepti i paqes, edhe jashtë atij rajoni.

 

Në një mjedis gjithnjë e më të mbushur me konflikte dhe një mirëkuptim gjithnjë e më të brishtë midis shteteve dhe palëve kundërshtare, ky çmim ka shpërblyer në fakt kryesisht sakrificën personale, dëshminë morale dhe heroizmin e përditshëm, dhe shumë rrallë zgjidhjen konkrete të krizave ndërkombëtare.

 

Dhe në disa raste, ai ka marrë trajtën e korrektësisë politike. Obama e fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2009 për “përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin midis popujve”.

 

Por meqenëse ai kishte vetëm pak muaj në detyrë, ato përpjekje të jashtëzakonshme ishin padyshim një fasadë, siç do të tregonin luftërat e shumta të zhvilluara nga presidenti i ri. Merita e tij kryesore, ishte të qenit afro-amerikani i parë që hyri në Shtëpinë e Bardhë.

 

Në vitin 2001, Kombet e Bashkuara, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm Kofi Annan, u vlerësuan “për punën e tyre për një botë më të organizuar dhe më paqësore”. Asokohe ishim në kulmin e globalizimit, dhe bota po përfitonte nga efektet shëruese të përfundimit të Luftës së Ftohtë.

 

Por pas ngjarjeve të 11 shtatorit dhe një krize të rëndë ekonomike, gjithçka do të ndryshonte. OKB-ja është sot e pafuqishme, si dhe e keqfinancuar. Ndër të nderuarit me këtë çmim, është edhe Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, i drejtuar nga Al Gore.

 

Në vitin 2007, revolucioni i gjelbër dukej i arritshëm. Ndërkohë në vitin 2012, Bashkimi Evropian u nderua “për kontributin e tij për më shumë se 6 dekada në përparimin e paqes dhe pajtimit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Evropë”.

 

Tani e njëjta Evropë, është e detyruar të riarmatoset sepse i frikësohet neo-imperializmit të Vladimir Putinit. Aktiviste si Narges Mohammadi u nderuan “për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe për promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirisë për të gjithë”, ndërsa Liu Xiaobo “për luftën e tij të gjatë dhe jo të dhunshme për të drejtat themelore të njeriut në Kinë”.


Vitin e kaluar, ishte radha e Federatës së të Mbijetuarve të Hiroshimës dhe Nagasakit, “për angazhimin e saj, për të pasur një ditë një botë pa armë bërthamore”. Falë tyre, ne mund të frymëzohemi nga modelet e guximit dhe integritetit.

 

Por arkitektët e paqes së vërtetë, mund të numërohen ndoshta me gishtat e njërës  dorë. Juan Manuel Santos, fituesi i Çmimit Nobel për vitin 2016, është presidenti kolumbian që i dha fund luftës civile mbi 50-vjeçare në vendin e tij, duke arritur një marrëveshje me guerilasit marksistë të FARC-ut.

 

Tre vjet më vonë, çmimi shkroi për Abiy Ahmed Ali, kryeministrin e atëhershëm të Republikës Federale të Etiopisë “për nismën e tij vendimtare për të zgjidhur konfliktin me Eritrean fqinje”. Nëse këto janë raste të izoluara, kjo ndodh sepse historia ka marrë një kthesë negative.

 

Sipas Programit të të Dhënave të Konflikteve të Uppsalas (UCDP), në vitin 2000 kishte 33 konflikte të armatosura aktive, duke përfshirë 7 luftëra me intensitet të lartë, me mbi 1 mijë viktima në vit.

 

Brenda çerekshekulli, ato pothuajse janë dyfishuar: aktualisht ka 61 konflikte të armatosura aktive, 11 prej të cilave janë me intensitet të lartë, kryesisht të përqendruara në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi.

 

Megjithatë, kjo e keqe ka arritur edhe në Evropë, me sulmin total të Rusisë ndaj Ukrainës. Aktualisht po dëshmojmë periudhën me numrin më të lartë të luftërave të njëkohshme që nga viti 1945, një rekord që asnjë brez nuk do të dëshironte ta mbante.

 

Dhe kur mbizotëron forca, nënshtrohet arsyeja. Sipas vlerësimeve nga UCDP dhe Matrica e Marrëveshjeve të Paqes në Universitetin e Notre Dame, midis viteve 2000-2025 janë nënshkruar 190 marrëveshje paqeje, por vetëm 20-25 për qind e tyre kanë zgjatur të paktën 10 vjet.

 

Në vitin 2023, kohëzgjatja mesatare globale e armëpushimit ishte 7 vjet. Po përse nuk zgjat paqja? Sepse nuk i përfshin të gjithë aktorët përkatës, nuk ka një mbikqyrje ndërkombëtare efektive, dhe nuk ka gjykata apo mekanizma për të ofruar drejtësi, apo edhe të vërtetën.

 

Por edhe sepse një territor ku është vendosur më në fund paqja, ka nevojë për reforma dhe investime. Plani për Rripin e Gazës, i përmbush disa nga këto kërkesa, nga mbikqyrja deri tek premtimi i rimëkëmbjes ekonomike, pa folur për teprimet distopiane të “Rivierës së Gazës”.

 

Por pikat e tjera duken të dobëta: palestinezët, të cilët padyshim janë aktorë përkatës, kanë një rol periferik ose nuk pëfillen fare. Në nuk e dimë ende, nëse negociatat do ta ndryshojnë ekuilibrin e pushtetit në Lindjen e Mesme, apo do të jenë preludi i një tragjedie edhe më të tmerrshme.

 

Por kushdo që e vendos njerëzimin para rreshtimeve dhe aleancave, nuk mund të mos shpresojë më në fund për një Çmim Nobel për paqen.

XS
SM
MD
LG