Lidhje


A mund t’i besojnë palestinezët Donald Trumpit?

Nëse Netanyahu do ta braktiste marrëveshjen, ka të ngjarë të ketë një reagim të ashpër në shkallë të gjerë, me më shumë vende që do të pranojnë të ndërmarrin sanksione kundër Izraelit. Por përvoja tregon se vetëm presioni ndaj Trump, do ta detyronte atë të vepronte, dhe ky presion vështirë se është i garantuar…

 

Nga Omar H.Rahman “Foreign Policy”

 

Armëpushimi i arritur në Egjipt në fillim të kësaj jave, erdhi pas 2 vjetësh gjakderdhjeje të paparë në konfliktin izraelito-palestinez, të karakterizuar nga nivele mizorie dhe dhune që e kanë tronditur ndërgjegjen e botës.

 

Edhe pse kushtet e marrëveshjes nuk janë zbuluar plotësisht, ajo që është aluduar - dhe ajo që mund të nxirret nga konteksti - ngre dyshime serioze nëse korniza e paqartë e përshkruar në “planin e paqes” prej 20 pikash të SHBA-së që po diskutohet, do të plotësohet dhe zbatohet ndonjëherë plotësisht.

 

Thelbi i shqetësimit, nuk është vetëm hendeku i madh që ndan pozicionet e të dy palëve apo asimetria e tyre e pushtetit, por edhe fakti që thuajse gjithçka varet nga garancia e një njeriu: presidentit të SHBA-së Donald J.Trump.

 

Gjatë gjithë negociatave të mëparshme mbi armëpushimin, Izraeli dhe Hamasi mbetën larg njëri-tjetrit në disa çështje, përfshirë kohën dhe tërheqjen tërësore ushtarake të Izraelit nga Gaza, çarmatimin e Hamasit dhe natyrën e strukturës së qeverisjes së ardhshme në këtë territor.

 

Në bisedimet e mëparshme, përfshirë ato të zhvilluara në janar të këtij viti, ndërmjetësit e trajtuan problemin duke propozuar një proces zbatimi me faza, në të cilin pikat më të nxehta u shtynë në fazat e dyta dhe të treta, ndërsa të dyja palët zbatuan një shkëmbim gradual të robërve dhe lejuan hyrjen e ndihmës humanitare.

 

Megjithatë, ky proces me faza i dha mundësi palës më të fortë, Izraelit, të shkelte pa u ndëshkuar armëpushimin në fund të fazës së parë, pasi kishte marrë në dorëzim një numër të konsiderueshëm pengjesh, por përpara se t’i duhej të ndërmerrte hapat për t’i dhënë fund luftës dhe për t’u tërhequr nga Gaza.

 

Këto dinamika janë sërish në lojë. Pavarësisht një propozimi më të zgjeruar, që është paraqitur nga presidenti i SHBA-së, negociatorët në Egjipt kanë zgjedhur qartazi një marrëveshje me faza. Veçse këtë herë, robërit e mbetur izraelitë do të lirohen menjëherë.

 

Ndërkaq, nuk janë trajtuar pikat kryesore më të diskutueshme dhe të vështira në planin e Trump, përfshirë boshllëqet midis versionit të pranuar nga 8 shtete arabe dhe myslimane në bisedimet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator, dhe atij që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e rishikoi dhe e pranoi në Uashington disa javë më vonë.

 

Kjo do të thotë që të burgosurit e mbetur izraelitë do të lirohen, pa asnjë garanci se si do të përfundojë ndonjë çështje tjetër. Ndërsa është pozitive që popullit të Gazës, nuk do t’i duhet të presë një proces të gjatë negociatash për të përfituar një farë lehtësimi nga lufta, mbetet e dyshimtë qëndrueshmëria e armëpushimit.

 

Edhe nëse arrihet një marrëveshje më e gjerë, Netanyahu mund të vendosë diku gjatë procesit të zbatimit, se i shërben interesave të tij ta braktisë marrëveshjen dhe të rifillojë fushatën e tij ushtarake ose të gjejë ndonjë marrëveshje tjetër të përshtatshme për interesat e tij.

 

Megjithatë, në themelin e gjithë kësaj çështje qëndron një koncept i thjeshtë që e bën të parëndësishme edhe strukturën e negociatave dhe zbatimit në faza: Çdo lëshim i bërë nga Hamasi është i pakthyeshëm, ndërsa çdo lëshim i bërë nga Izraeli mund të zhbëhet.

 

Për shembull, nëse Izraeli e tërheq ushtrinë e tij nga Gaza një ditë, mund të rihyjë të nesërmen; nëse liron sot 1.000 të burgosur palestinezë, mund t’i kapë sërish nesër. Nga ana tjetër, sapo Hamasi të lirojë pengjet izraelite, ata nuk do të kthehen më në duart e tyre. Nëse vendos që të heqë dorë nga armët e tij, mund të vihet në zbatim një mekanizëm për t’i rimarrë ata nëse Izraeli shkel marrëveshjen, por kjo në praktikë do të jetë e vështirë.

 

Për Hamasin, kjo dilemë themelore e bën absolutisht të rëndësishëm garantuesin e marrëveshjes. Këtu hyn në skenë Trump, i cili është më pak i besueshëm. Edhe pse zyrtarët e Hamasit deklaruan kohët e fundit, se grupi i beson presidentit amerikan se do të mbështetë zbatimin e marrëveshjen, kjo nuk mund të jetë më larg së vërtetës, dhe për arsye të forta.

 

Kur Izraeli e shkeli armëpushimin e janarit në mars të këtij vit, në fund të fazës së parë, e bëri këtë me bekimin e Trump. Në fakt, Trump e sabotoi marrëveshjen në gjysmë të fazës fillestare, duke sugjeruar që Gaza mund të shndërrohej në një “Rivierë” nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara dhe të zbrazej ​​nga palestinezët.

 

Një ide qesharake, që i bëri palestinezët të vinin seriozisht në dyshim angazhimin e tij ndaj parimeve themelore të ligjshmërisë, drejtësisë dhe moralit. Kjo ide, ndoshta e pamenduar mirë, i dha Netanyahut mbulesën politike për të braktisur fazën e dytë dhe të tretë të armëpushimit dhe për të nisur hapur zbatimin e qëllimit të tij: spastrimin etnik të Rripit të Gazës.

 

Në fakt, në çdo hap Netanyahu dhe ministrat e tij të qeverisë pretenduan se veprimet e tyre u bënë në përputhje me planin e Trump. Që nga ajo kohë, besueshmëria e Trump vetëm sa është dobësuar.

 

Në qershor, ai e lejoi Izraelin të kryente sulmin e tij të papritur ndaj Iranit në mesin e bisedimeve SHBA-Iran mbi programin bërthamor të Teheranit, madje duke pretenduar se kishte përdorur një raund bisedimesh të pritura, si një mjet shpërqëndrimi që Izraeli të kryente operacionin e tij.

 

Së fundmi, Trump u kritikua për sulmin e Izraelit ndaj Katarit në shtator - pasi ose e lejoi të ndodhte ose nuk arriti ta parandalonte atë. Ironikisht, ishte ky vendim i gabuar si nga Izraeli ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara, ai që me shumë gjasa krijoi hapjen për negociatat aktuale të armëpushimit.

 

Të nxitur nga sulmi dhe duke njohur kërcënimin në zhvillim për sigurinë e tyre, shtetet e Gjirit dhe aleatët e tjerë të SHBA-së në rajon, u mblodhën rreth Katarit dhe u paraqitën si një front të bashkuar para Trumpit, duke kërkuar ndër të tjera, që ai të frenonte Izraelin dhe të riangazhohej në një plan për t'i dhënë fund masakrës dhe urisë në Gaza.

 

Siç u pa edhe nga takimi i Trump me udhëheqësit e 8 prej këtyre shteteve në Nju Jork, nga i cili lindi propozimi i fundit i Trump, kjo duket se pati efektin e dëshiruar. Këtë herë, Trump duket se është më i angazhuar më personalisht se sa në të kaluarën, duke vënë në lojë besueshmërinë e tij para aleatëve të respektuar rajonalë.

 

Gjithashtu, ishte e rëndësishme që këto shtete treguan aftësinë për të vepruar si kundërpeshë ndaj ndikimit izraelit në administratën Trump, duke rritur shanset që Trump të ushtrojë presionin e nevojshëm mbi Netanyahun, diçka e domosdoshme për të pasur në fund negociata të suksesshme.

 

Nëse kjo dinamikë midis Trump dhe shteteve arabe do të vazhdojë, kjo mbetet e diskutueshme. Por aleanca në zhvillim midis këtyre shteteve arabe, Turqisë dhe Evropës, po i jep një peshë shtesë përpjekjeve të tyre diplomatike.

 

Ndërsa negociatat po vazhdojnë, Hamasi do të duhet të marrë disa vendime që do ta sfidojnë seriozisht ekzistencën e tij. Zyrtarët e tij, ka të ngjarë ta kuptojnë se askush nuk po vjen në ndihmë për të shpëtuar popullin palestinez nga sulmi gjenocidal i Izraelit.

 

Edhe pse jashtë vendit ka një angazhim të madh diplomatik, do të ishte marrëzi të shpresohet që sanksionet ndërkombëtare dhe embargot e armëve mund të vendosen menjëherë, dhe se ato do të mjaftojnë për të frenuar veprimet agresive të Netanyahut, ndërsa ky i fundit vazhdon të marrë mbështetjen e SHBA-së.

 

Ndërkohë, Hamasi po përballet me një presion dhe izolim të madh, teksa edhe vendet deri më sot mbështetëse ndaj tij, si Katari dhe Turqia, po përkrahin qëndrimin se ai duhet të çarmatoset. Dhe praktikisht nuk ka asnjë kartë tjetër përveç pengjeve, të cilët ka të ngjarë të lirohen që të gjithë që javën e ardhshme.

 

Por sa larg do të shkojë Hamasi në kompromisin mbi kushtet e mbijetesës së tij, për të siguruar mbijetesën e popullit palestinez në Gaza? Sa kompromis do të bëjë me parimet e tij të shenjta, si e drejta për të mbajtur armë dhe për t’i rezistuar një pushtimi të paligjshëm, derisa të ketë një zgjidhje të çështjes palestineze?

 

Pastaj ekziston edhe sfida e hartimit të një strategjie politike më të gjerë, për të adresuar çështjen e vetëvendosjes palestineze, e cila nuk është e rëndësishme vetëm për këtë të fundit, por edhe për të gjitha vendet që do të kenë një rol në Gaza në të ardhmen.

 

Ndërsa kjo pikë, nuk u trajtua në mënyrën e duhur në planin e rishikuar nga Netanyahu, asnjë shtet nuk dëshiron që të përfshihet në një rol qeverisës dhe të sigurisë në Gaza për një kohë të pacaktuar, veçanërisht ndërsa Izraeli vazhdon të ndjekë synimet e tij aneksuese në Bregun Perëndimor.

 

Ky shqetësim, e dëmton bazën e entuziazmit të ri që po e shohim tek disa shtete arabe dhe evropiane për përpjekjet diplomatike në gjetjen e zgjidhjeje të konfliktit përmes dy shtete, dhe i ka bërë ata më të përkushtuar në sigurimin që marrëveshja në negociata të jetë e suksesshme dhe që në fund të ketë një zgjidhje politike.

 

Ata po mbështesin fuqimisht rikthimin në Gaza të Autoritetit Palestinez, gjë që do t’i çlironte pjesërisht nga përfshirja e tyre e drejtpërdrejtë në terren, edhe pse kjo kundërshtohet nga izraelitët. Nëse Izraeli dëshiron apo jo një marrëveshje më të gjerë, kjo është një çështje e hapur.

 

Ky vend, është shumë i izoluar dhe po i humbet me shpejtësi miqtë. Çështja kryesore, është se çfarë do të ndodhë nëse Netanyahu vendos të dalë nga marrëveshja pasi të arrijë objektivat e tij. A do ta përdorë Trump ndikimin që ka në dispozicion mbi Izraelin, për të detyruar zbatimin e paktit?

 

Netanyahu ka treguar se di sesi t’i zgjidhë përplasjet me Trumpin, dhe kur detyrohet të pranojë diçka, ta shkelë atë me kalimin e kohës. Që nga ngjarjet e 7 tetorit 2023, ai ka zbuluar se zhvillimi i një lufte të përhershme dhe në shumë fronte, është një arenë ideale për të mbijetuar në politikë.

 

Në rast se Netanyahu do ta braktiste marrëveshjen para syve të gjithë botës, ka të ngjarë të ketë një reagim të ashpër në shkallë të gjerë, me më shumë vende që do të pranojnë ndërmarrën e veprimeve ndëshkuese kundër Izraelit.

 

Por përvoja na ka treguar se vetëm presioni nga Trump do ta detyronte atë të vepronte, dhe ky presion vështirë se është i garantuar.

 

Shënim: Omar H.Rahman, është bashkëpunëtor në Këshillin e Lindjes së Mesme për Çështjet Globale. Ai është gjithashtu kryeredaktor i “Afkār”, revistës së institutit mbi çështjet aktuale në rajon.

 

 

XS
SM
MD
LG