Gaza, sfidat e të dy popujve që ende duhen përballuar

Nëse Izraeli vazhdon ta quajë “paqe” atë që është thjesht pezullim i luftimeve, nëse bota e pranon padrejtësinë si një formë stabiliteti, atëherë 13 tetori do të mbetet një kapitull i mbyllur, dhe jo fillimi i një epoke të re. Sot, rreziku i vërtetë është që shoqëria izraelite do ta fshehë sërish nën qilim “pluhurin” e kontradiktave të saj.
Se ajo do të kënaqet me këtë lehtësim të situatës, në vend që të përballet me të vërtetën…
Nga Francesca Mannocchi “La Stampa”
13 tetori do të mbetet në kujtesën kolektive izraelite si kalimi i një pragu. Pamë familje të qanin nga lehtësimi, flamuj që valëviteshin, lutje dhe këngë: gjithçka kishte tonin e një festimi, të një përqafimi kolektiv, të një frymëmarrjeje të thellë pas dy vitesh gulçim, atë që shumë njerëz shpresojnë të jetë një “rikthim në normalitet”.
Megjithatë, ekziston një pyetje që duhet bërë sot, një pyetje shumë urgjente që nuk mund të shtyhet për më vonë. Pyetja e ditës që vjen pas lehtësimit: çfarë nënkuptohet “normalitet”?
Sepse muajt e fundit, jeta publike në Izrael është strukturuar rreth një lëvizjeje të dyfishtë: vëmendje ndaj kujtimit të të rrëmbyerve, lirimit të pengjeve dhe shpërfilljes sistematike të pjesës tjetër. Kjo ishte tema e shumicës së demonstratave izraelite, ato që mbushnin rrugët e Tel Avivit çdo të shtunë, duke bërë thirrje për një armëpushim që do të lehtësonte lirimin e pengjeve.
Të njëjtat sheshe dhe rrugë që në 40 javët para ngjarjeve të 7 tetorit 2023, u mbushën me qytetarë që protestonin kundër reformës gjyqësore të një qeverie ekstremiste, ndërkohë që po linin mënjanë sistematikisht gjithçka tjetër.
Dhe pjesa tjetër ishte pushtimi i Palestinës, pra mungesa e normalitetit. Për 24 muaj, Gaza u shkatërrua dhe mijëra civilët palestinezë e vrarë, mbetën një zhurmë në sfond, një hije e pashmangshme por e parëndësishme në shumicën e shesheve izraelite.
Kjo neglizhencë, buron nga një shoqëri që ka ndërtuar një “gramatikë” mbijetese, me mohimin e vuajtjeve të të tjerëve që bëhet pjesë integrale e asaj gramatike. Perceptimi i të qenit një demokraci nën një kërcënim të vazhdueshëm, e ka diktuar narrativën mbi të cilën Izraeli e ka bazuar identitetin e tij.
Në këtë identitet mbrojtës, lufta nuk është thjesht një ngjarje, por një gjendje e përhershme, një kontekst që e bën të pranueshëm edhe pezullimin e moralit. Dhe është kjo që i ka dhënë mundësi protestuesve në Izrael të injorojnë atë që po ndodhte në Gaza: masakrat, urinë, shkatërrimin sistematik, planin djallëzor të zhvendosjes së detyruar, të shoqëruar nga një dehumanizim i gjuhës, që është në fakt dehumanizimi i qenies njerëzore.
Tre ditë pas lirimit të pengjeve, sfida është të sigurohemi që dhimbja personale, e cila bëhet fragment i një fati kolektiv, të shndërrohet gjithashtu një mundësi për të vënë në pikëpyetje shkaqet që çuan në këtë luftë. Prandaj, sot duhet të fillojmë ta cilësojmë lirimin e pengjeve si një akt politik, dhe jo thjesht një moment lehtësimi.
Vetëm duke i transformuar këto dy vjet në një akt politik, mund ta rishqyrtojmë konfliktin nën dritën e duhur dhe jo ta ngrijmë atë në dramën që u përjetua. Vetëm atëherë mund të kemi mundësi ta kuptojmë atë siç duhet në terma historikë, dhe jo vetëm në të tashmen plot dhimbje.
Qeveria izraelite e ka ndërtuar pjesën më të madhe të legjitimitetit të saj mbi retorikën e sigurisë, mbi rolin qëndror që ka narrativa e kërcënimit, mbi menaxhimin ushtarak të jetës civile: gjithçka bazohet në besimin se trauma është e përjetshme, dhe çdo vënie në pikëpyetje e origjinës së konfliktit, është në fund të fundit një tradhti.
Në këtë kontekst, edhe gëzimi për rikthimim e pengjeve nuk është një moment paqeje, por ribashkimi. Ai shërben për të forcuar konsensusin rreth idesë së një lufte të pashmangshme, të një populli të detyruar të mbrojë veten.
Të një rikthimi në normalitet, që është një kthim tek statuskuoja. Pra, si duhet të jetë një kthim në normalitet? Çfarë është normaliteti? Ai që për dekada ka nënkuptuar ndarje, padrejtësi dhe shtypje sistematike?
Një “normalitet”, në të cilin miliona jetë palestinezësh shtrydhen çdo ditë brenda kufijve me tela me gjemba, ndërsa bota sheh me indiferencë, ose më keq akoma, mban një heshtje bashkëfajtore?
Të flasësh sot për një kthim në normalitet, të flasësh për “paqe” ndërsa t’i zbrazësh këto fjalë nga çdo lloj kuptimi, është e barabartë me legjitimimin e një rikthimi në atë statuskuo, tek ajo padrejtësi që është lejuar të ndodhë për breza.
Për dekada të tëra, Izraeli ka jetuar me idenë se normaliteti mund të bashkëjetonte me pushtimin, se demokracia mund të vazhdonte të mbahej në këmbë, duke u mohuar të drejtat miliona palestinezëve, se siguria mund të garantohej me koston e pabarazisë së përhershme.
Ishte një formë e sofistikuar e shtypjes kolektive: besimi se dikush mund të jetonte në paqe, pa u marrë me shkaqet e luftës. Ky ishte “normaliteti”. Tani, ky iluzion është shkatërruar. Lirimi i pengjeve dhe ndërprerja e përkohshme e bombardimeve, nuk janë një pikë mbërritjeje, por më shumë provë se sa e brishtë është toka nën këmbët e Izraelit.
Prandaj, gëzimi në të ashtuquajturin “Sheshi i Pengjeve” ishte i vërtetë, por nuk zgjidh asgjë. Sepse pas brohoritjeve, mund të ndihej boshllëku i një sistemi politik të paaftë për të shqiptuar fjalën “paqe”, pa pasur frikë nga kuptimi i saj.
Dhe pikërisht në këtë boshllëk imponohet edhe një fjalë tjetër, e cila pas armëpushimit dhe i paraprin paqes: fjala llogaridhënie. Sepse që lehtësimi për lirimin e pengjet të mos shndërrohet në falje për krimet, siç bëri Donald Trump në Knesset, duke kërkuar gjysmë me shaka (ose ndoshta vërtet) që Benjamin Netanyahut t’i falet gjithçka ka bërë.
Dita pas armëpushimit dhe kthimit të pengjeve, duhet të jetë një ditë drejtësie, gjyqesh dhe zbatimi të ligjit. Për t’u marrë me akuzat serioze kundër qeverisë dhe forcave të armatosura izraelite, të cilat përfshihen në fushëveprimin e Konventës së Gjenocidit të vitit 1948, dhe që nuk mund të konsiderohen më si “propagandë armiqësore”.
Kjo është arsyeja pse kënaqja e qytetarëve izraelitë vetëm me lirimin e pengjeve, është e jashtëzakonisht e rrezikshme. Sepse të gëzohesh si të ishte paqe, për atë që është në fakt një armëpushim i brishtë, rrezikon ta shndërrojë një armëpushim në një shfajësim të papranueshëm jo vetëm për forcat e armatosura dhe qeverinë izraelite, por edhe për aleatët e tyre ndërkombëtarë.
Lirimi i pengjeve, nuk duhet dhe nuk mund të bëhet një anestezi morale. Në rast se armëpushimi do të përjetohet si “paqe”, nëse statuskuo-ja do të kthehet në normalitet, Izraeli vetëm sa do ta shtyjë në kohë traumën e vet.
Prandaj, detyra më urgjente nuk është të festohet fundi, por të imagjinohet një fillim i ri. Paqja nuk mund të jetë më një emër, një trofe diplomatik, një pikë mbërritjeje. Ajo duhet të kthehet në një folje, në një lëvizje, në një ushtrim i përditshëm për njohjen e tjetrit. Kjo do të thotë ta mendosh për bashkëjetesën jo si një lëshim, por si një domosdoshmëri morale dhe politike.
Nëse Izraeli vazhdon ta quajë “paqe” atë që është thjesht pezullim i luftimeve, nëse bota e pranon padrejtësinë si një formë stabiliteti, atëherë 13 tetori do të mbetet një kapitull i mbyllur, dhe jo si fillimi i një epoke të re.
Sot, rreziku i vërtetë është që shoqëria izraelite do ta fshehë sërish nën qilim “pluhurin” e kontradiktave të saj. Se ajo do të kënaqet me këtë lehtësim të situatës, në vend që të përballet me të vërtetën.
Sepse paqja e ndërtuar duke zhdukur padrejtësinë dhe dhimbjen e të tjerëve, është një armëpushim me veten, dhe jo me të tjerët. Dhe herët a vonë, si çdo armëpushim, edhe ai mbaron.