A do t’i mbijetojë Netanyahu paqes?
Zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 1 viti dhe opozita duket më e bashkuar se 3 vite më parë. Megjithatë, ka dyshime se Trump mund ta ndihmojë kryeministrin izraelit që të fitojë sërish, duke e lejuar të ruajë mbështetjen e radikalëve, përmes rifillimit të disa operacioneve ushtarake në Gaza, sërish në pretekstin e “ç’armatimit të plotë të Hamasit”.
Nga John Strawson “ The Conversation”
Tani që në Gaza ka hyrë në fuqi një armëpushim, kryeministri më jetëgjatë i Izraelit, Benjamin Netanyahu, përballet me dilemën se si të bëjë fushatë përpara zgjedhjeve të ardhshme kombëtare. Këto zgjedhje, duhet të mbahen maksimumi brenda një viti.
Në seancën e 13 tetorit në parlamentin izraeli, Knesset, si Netanyahu ashtu edhe udhëheqësi i opozitës Yair Lapid mbajtën fjalime që dukeshin se e hapën edhe pse jo zyrtarisht fushatën zgjedhore.
Netanyahu zgjodhi ta paraqiste veten si fitues të luftës, ndërsa Lapid u përqëndrua tek “vlerat liberale” të përfshira në deklaratën e pavarësisë së Izraelit. Ligjvënësve izraelitë iu drejtua me një fjalim edhe presidenti amerikan Donald Trump, që i bëri shumë komplimente Netanyahut.
Madje, ai iu drejtua publikisht presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, për të falur Netanyahun për akuzat e kahershme për mashtrim dhe ryshfet, diçka që Herzog e kishte sugjeruar tashmë.
Megjithatë presidenti amerikan, bëri gjithashtu një paralajmërim për Netanyahun, duke i thënë se Izraeli nuk mund të luftonte ndaj gjithë botës. Gjatë muajit të kaluar, Netanyahu mori një mësim të hidhur mbi politikën e fuqive të mëdha.
Kjo ndodhi pas llogaritjes së gabuar të tij me sulmin ajror ndaj Katarit më 9 shtator, ku përfaqësuesit e Hamasit po diskutonin mundësinë e një plani për t'i dhënë fund luftës në Gaza. Netanyahu u thirr me urgjencë në Shtëpinë e Bardhë, dhe u detyrua t’i kërkonte falje qeverisë së Katarit.
Më pas, u detyrua të nënshkruante planin e paqes me 20 pika të Trumpit, që sipas këtij të fundit përmban një “rrugë realiste” drejt vetëvendosjes dhe krijimit të shtetit të pavarur palestinez.
Kjo është diçka që Netanyahu e ka kundërshtuar prej kohësh, dhe e vendos atë në një pozicion të vështirë me bazën e tij të mbështetësve, e cila është fuqimisht kundër një shteti palestinez. Tani pyetja është: A mund ta kthejë Netanyahu planin e Trump në avantazhin e tij, dhe të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
Disa analistë, si ekspertja e çështjeve të Lindjes së Mesme, Shira Efron, mendojnë se Netanyahu ende nuk e ka kuptuar se marrëveshja e Gazës përfaqëson një disfatë për qeverinë e tij. Efron thotë se pakti, ndesh me atë që Netanyahu u ka shitur izraelitëve për dy vjet: premtimin e fitores totale dhe shkatërrimin e Hamasit.
Megjithatë, unë mendoj se kjo qasje e nënvlerëson një politikan dinak që ka ndërtuar karrierën duke i kthyer pengesat në mundësi. Për shembull, zgjedhja e tij e parë si kryeministër i Izraelit në vitin 1996, erdhi pavarësisht se ishte prapa rivalit të tij Shimon Peres me një diferencë të konsiderueshme në sondazhe në fillim të fushatës zgjedhore.
Po ashtu, ai ka mësuar të ndërtojë koalicione me figura të së majtës, si ish-kryeministri izraelit Ehud Barak, të qendrës si Benny Gantz, dhe sigurisht edhe me politikanët e ekstremit të djathtë Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben Gvir.
Fjalimi i tij në Knesset gjatë vizitës së Trump ishte i stilit të vjetër. Ai e shndërroi marrëveshjen e paqes, të cilën u detyrua ta nënshkruante, në një fitore te madhe për qëllimet e luftës së Izraelit në Gaza. Vetëm disa javë më herët, kishte thënë se Hamasi mund të shtypej vetëm duke pushtuar Qytetin e Gazës.
Është e vërtetë që pengjet janë liruar. Por me të paktën 7.000 burra të armatosur për të kontrolluar zonat në Gaza të liruara nga forcat izraelite, vështirë se Hamasi mund të quhet i shkatërruar. Gjithsesi, Netanyahu e ka bindur veten - dhe tani do të përpiqet të bindë elektoratin - se e ka udhëhequr Izraelin drejt një fitoreje të plotë.
Sondazhet që nga sulmet e 7 tetorit të vitit 2023 ndaj Hamasit, nuk kanë qenë të mira për Netanyahun. Por pavarësisht kësaj katastrofe që po ndodh gjatë qeverisjes së tij, sondazhet për të nuk kanë qenë kurrë katastrofike.
Ato sugjerojnë se nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, partia e tij Likud do të ishte partia më e madhe e vetme në Knesset. Megjithatë, koalicioni i tij qeverisës aktual nuk ka gjasa të mbetet në pushtet.
Sepse të njëjtat sondazhe i japin bllokut Netanyahu 51 vende, krahasuar me 55 për opozitën, teksa pjesa tjetër mbahet nga partitë arabe. Blloku opozitar varion nga e djathta, e udhëhequr nga ish-kryeministri izraelit Naftali Bennett, deri tek demokratët e moderuar të së majtës. Ata janë të bashkuar midis tyre në kundërshtim e mënyrës së qeverisjes së Netanyahut dhe reformat e tij në gjyqësor, por nuk kanë gjetur ende një narrativë bindëse për atë që përfaqësojnë.
Ndërsa Netanyahu po e bashkon koalicionin e tij, opozita është e përçarë midis disa personaliteteve të forta. Secili nga udhëheqësit që e përbëjnë këtë të ashtuquajtur “bllok të ndryshimit” - Naftali Bennett, Avigdor Lieberman, Benny Gantz, Yair Lapid dheYair Golan - mendon se duhet të jetë kryeministri i ardhshëm i Izraelit.
Por në dallim nga zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2022, kur këto parti garuan të ndarë pas një qëndrimi të shkurtër në pushtet, ato kanë filluar të koordinohen shumë kohë përpara zgjedhjeve. Zgjedhjet do të mbahen pas traumës ende të prekshme pas 7 tetorit dhe lodhjes nga dy vjet luftë në shumë fronte.
Sigurisht, shumë gjëra do të varen nga mënyra se si do të zbatohet plani i paqes i Trump në terren. Nëse SHBA-ja dhe aleatët e saj mund të vendosin një forcë ndërkombëtare stabilizimi dhe të krijojnë një lloj autoriteti qeverisës në Gaza për të marrë kontrollin nga Hamasi, atëherë paqja mund të ruhet.
Kjo mund të rrisë shanset e rizgjedhjes së Netanyahut, nëse ai mund ta paraqesë atë si një fitore për Izraelin. Në plan po shfaqet edhe çmobilizimi i Hamasit, jo vetëm armë dhe raketa, por edhe çmontimi i rrjetit të tuneleve nën Gaza. Dhe ky proces nuk ka gjasa të jetë i qetë.
Ka shumë të ngjarë që plani i Trump t’i japë Netanyahut disa mundësi të tjera për të treguar aftësitë ushtarake përpara zgjedhjeve. Kjo mund të ndihmojë në mobilizimin e mbështetjes për koalicionin e tij, veçanërisht në mesin e të djathtës ekstreme.
Që nga fillimi i luftës në Gaza, kryeministri izraelit e ka krahasuar veten me Winston Churchill-in, udhëheqësin e Britanisë së Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Churchill e fitoi vërtet luftën, por më pas i humbi zgjedhjet në vitin 1945. Netanyahu do ta ketë të vështirë të provojë se ky krahasim nuk është i gabuar.
Shënim: John Strawson, profesor i drejtësisë në Universitetin e Londrës Lindore, Angli.