Lidhje


Bregu Perëndimor, konflikti tjetër që po vlon midis i.zraelitëve dhe palestinezëve  

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, rastet e dhunës nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve në territorin e pushtuar, kanë qenë në rritje. Edhe nëse merr fund lufta në Gaza, këto vendbanime janë një pengesë kyçe për çdo lloj marrëveshje paqeje në të ardhmen.

 

Nga Annabelle Quince & Nick Baker “ABC”

 

Që nga sulmet e 7 tetorit ndaj Izraelit, pjesa më e madhe e vëmendjes së botës është përqendruar tek lufta në Gaza. Por ndërkohë, një lloj tjetër konflikti është duke vluar aty pranë. Për më shumë se 50 vjet, vendbanimet izraelite në Territorin e Pushtuar Palestinez, janë rritur si në madhësi ashtu edhe në numër, veçanërisht në Bregun Perëndimor.

 

Shumë palestinezë atje, jetojnë sot pranë vendbanimeve izraelite, dhe marrëdhënia midis këtyre dy grupeve është e tensionuar. Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, rastet e dhunës nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve në territorin e pushtua, kanë qenë në rritje. Edhe nëse merr fund lufta në Gaza, këto vendbanime janë një pengesë kyçe për çdo lloj marrëveshje paqeje në të ardhmen.

 

Zgjerim masiv i territorit izraelit

 

Ashtu si shumë histori në Lindjen e Mesme, edhe kjo nis me një luftë. Në vitin 1967, Izraeli nisi një sulm sipas tij “parandalues”, që shkaktoi një konflikt me fqinjët e tij më të mëdhenj arabë, Egjiptin, Jordaninë dhe Sirinë. Në atë që u njoh si Lufta Gjashtëditore, Izraeli e mundi atë koalicion dhe arriti të pushtojë territore të reja, përfshirë Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës.

 

Këto zona, ranë nën kontrollin izraelit dhe formojnë Territorin e Pushtuar Palestinez. “Ishte një fitore, që u shoqërua me një zgjerim masiv të territorit izraelit” - thotë Callie Maidhof, profesoreshë e studimeve globale në Universitetin e Çikagos, për emisionin “Rear Vision” të ABC Radio National.

 

Izraeli e aneksoi Jerusalemin Lindor, pasi aty ndodheshin vendet kryesore fetare hebraike. Por refuzoi t’u jepte shtetësinë palestinezëve në qytet, duke u lënë atyre vetëm shtëpitë. Gjithsesi në atë kohë, ai ishte shumë më ngurrues që të përfshinte Bregun Perëndimor dhe Gazën në shtetin e Izraelit, për shkak të popullatave të tyre shumë më të mëdha palestineze.

 

Kjo do të thoshte se palestinezët në ato zona, nuk u bënë banorë ose qytetarë izraelitë. Përkundrazi e gjetën veten pa shtetësi, dhe në shumicën e zonave iu nënshtruar ligjit ushtarak izraelit. “Udhëheqësit politikë…nuk kishin një plan të qartë se çfarë të bënin me këto territore të reja që Izraeli sapo kishte pushtuar”- thotë Arie Perliger, profesor në Shkollën e Kriminologjisë në Universitetin e Masaçusetsit.

 

Përqafimi i projektit të kolonizimit

 

Në fundin e viteve 1960, kolonët izraelitë, shumë prej të cilëve ishin shumë fetarë dhe nacionalistë, nisën të zhvendoseshin në zonat e sapopushtuara, veçanërisht në Bregun Perëndimor. Ata blenë tokë nga palestinezët ose pushtuan territorin që më parë kontrollohej nga shtetet arabe, të cilat u mundën në luftën e vitit 1967.

 

Por Perlinger thotë se kishte edhe raste kur “pronarët e tokës nuk kishin aftësinë për të sfiduar kolonët”. Megjithatë, në tërësi qeveria izraelite nuk ishte e gatshme ta pranonte idenë e vendbanimeve, dhe shumë prej tyre u evakuuan.

 

“Politika më dominuese, ishte që zonat e pushtuara nuk do të bëheshin pjesë e shtetit të Izraelit, sepse ky nuk ishte një vizion realist. Por gjithçka ndryshoi në vitin 1977. Atë vit, zgjedhjet u fituan nga partia e krahut të djathtë Likud, duke i dhënë fund dekadave të sundimit nga e majta.

 

Dhe Likud e mbështeti fuqimisht idenë që territori i pushtuar është pjesë e territorit historik të Izraelit dhe nuk duhet t’i kthehet kurrë askujt tjetër”- shpjegon profesor Perliger.

 

Ai nënvizon, se Likud mendonte se këto zona ishin me “rëndësi strategjike ushtarake dhe operacionale, dhe mund të vepronin si një zonë tampon kundër fqinjëve agresivë”. Mbi këtë bazë, qeveria izraelite filloi të ofrojë mbështetje financiare, operative, ushtarake dhe ligjore për të zgjeruar dhe mirëmbajtur vendbanimet e reja.

 

Zgjedhjet e vitit 1977, rritën edhe profilin e Ariel Sharon, i cili do të ishte kryeministër i Izraelit gjatë viteve 2001-2006. Asokohe, Sharon u emërua Ministër i Bujqësisë, dhe e përdori pozicionin e tij për t’u shndërruar në një udhëheqës të lëvizjes së kolonëve.

 

“Ai planifikoi të zhvendoste 1 milion izraelitë në territoret e pushtuara brenda 10 viteve. Sharon ofroi strehim të lirë, dhe të gjitha llojet e subvencioneve nga qeveria” - shpjegon Akiva Eldar, gazetar dhe bashkautor i librit “Lordi i Tokës: Lufta kundër kolonizimit izraelit në Territoret e Pushtuara”.

 

Por në vitin 1979, një çështje gjyqësore historike në Izrael, i ndaloi izraelitëvet të sekuestronin pronat private, me qëllim ndërtimin e vendbanimeve të reja në territorin e pushtuar. “Sharon tha: Në rregull, si mund ta anashkalojmë këtë vendim? Ai nisi të përdorte këtë ligj të vjetër osman, që thoshte se nëse toka nuk ishte kultivuar për një kohë të caktuar dhe që kishte një distancë të caktuar nga një fshat, shpallej ‘tokë e vdekur’”- thotë profesor Maidhof.

 

Që nga ajo kohë, zgjerimi i vendbanimeve ka vazhduar në mënyrë të pandërprerë, pavarësisht se cilat parti politike e kanë qeverisur Izraelin. “Njerëzit vazhduan të zhvendoseshin atje. Sot në Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor jetojnë rreth 800.000 kolonë hebrenj”- shton profesori.

 

Intifadat

 

Në vitin 1987, palestinezët filluan të ngriheshin në revoltë në të gjithë Izraelin dhe territorin e pushtuar, në atë që u njoh si Intifada e Parë. Gjashtë vitet në vijim, u karakterizuan nga tensioni dhe dhuna, të cilat transformuan marrëdhëniet midis palestinezëve dhe izraelitëve.

 

Në këtë sfond, zgjedhjet izraelite të vitit 1992 u fituan nga Partia Laburiste dhe udhëheqësi i saj, Yitzhak Rabin, i cili zgjodhi dialogun me palestinezët. Por Rabini dhe politika e tij, po shqetësonte shumë njerëz në lëvizjen e kolonëve izraelitë.

 

“Pas gati 25 vitesh suksese, disa kolonë izraelitë ishin jashtëzakonisht të zhgënjyer nga ajo që e shihnin si gatishmëri të Rabinit për të bërë lëshime të konsiderueshme në Bregun Perëndimor. Ata përdorën çdo taktikë për ta portretizuar të majtën dhe Rabinin si një armik të popullit hebre”- thotë profesor Perliger.

 

Në atë kohë, Yasser Arafat ishte kryetar i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, grupimit politik që përfaqëson popullin palestinez në rajon dhe në botë. Në vitin 1993, Rabin dhe Arafat nënshkruan Marrëveshjet e Oslos. Marrëveshja historike synonte të ndihmonte në arritjen e paqes në rajon.

 

“Marrëveshjet e Oslos, e ndanë Bregun Perëndimor në zonat A, B dhe C. Në fakt, ato përcaktonin se ku mund të shkonin izraelitët, ku mund të shkonin palestinezët, dhe kush ka kontrollin e atyre vendeve” - shprehet profesor Maidhof.

 

Por për disa kolonë izraelitë, kjo përbënte “një kërcënim ekzistencial”. Në vitin 1995, Rabin u vra nga një ekstremist i krahut të djathtë izraelit, i cili kundërshtonte Marrëveshjet e Oslos. Dhe në vitet që pasuan, negociatat ngecën dhe tensionet u rritën.

 

Në vitin 2000, nisi një kryengritje e re, e njohur si Intifada e Dytë. Pati demonstrata masive, dhunë të paparë dhe një valë sulmesh vetëvrasëse në të gjithë Izraelin. “Qeveria izraelite mendonte se e vetmja mënyrë për t’i bllokuar sulmet, ishte të kishte shumë më tepër kontroll mbi lëvizjen palestineze në territorin e pushtuar”- thotë profesor Perliger.

 

Në kundërpërgjigje, Izraeli vendosi pika kontrolli në të gjithë Bregun Perëndimor. Por, ndërsa u zgjeruan vendbanimet atje, Izraeli ndoqi një qasje shumë të ndryshme ndaj numrit më të vogël të vendbanimeve që ishin ndërtuar në Gaza gjatë dekadave.

 

Në vitin 2005, kryeministri i atëhershëm Ariel Sharon, e habiti botën kur urdhëroi çmontimin e të gjitha vendbanimeve izraelite atje. Por pak më vonë, Sharon ra në koma dhe më vonë vdiq, duke i lënë pezull planet e tij. Gjithsesi, profesor Maidhof beson se i tiji “nuk ishte një gjest i madh altruist, por një mënyrë për të hequr dorë nga një numër i vogël vendbanimesh në Gaza, për të ruajtur dhe zgjeruar projektin më të gjerë të vendbanimeve në Bregun Perëndimor”.

 

Shtim i dhunës

 

Vendbanimet izraelite, janë shpallur të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Por të ligjshëm apo jo, ata jetojnë sot në tokë që një ditë mund të jetë pjesë e një shteti të pavarur palestinez sipas një zgjidhjeje me dy shtete, dhe tani Australia i është bashkuar shumë kombeve të tjera në njohjen e shtetësisë palestineze.

 

Në vitin 2022, kryeministri Benjamin Netanyahu i partisë së krahut të djathtë, Likud, formoinjë qeveri koalicioni, e cila përfshinte parti dhe individë me lidhje të ngushta me lëvizjen e kolonëve. Qeveria e tij, ka deklaruar se “populli hebre ka një të drejtë ekskluzive dhe të patjetërsueshme në të gjitha territoret e Izraelit”, përfshirë Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

 

Dhe që nga sulmet e 7 tetorit dhe lufta në Gaza, dhuna e kolonëve ka qenë në rritje. “Çdo vendbanim ka skuadrën e vet të emergjencës që është e armatosur... Ata supozohet të mbrojnë vendbanimet në rastin e një sulmi terrorist. Ushtria izraelite është e mbingarkuar. Ndaj në Bregun Perëndimor, ajo është mbështetur pothuajse tërësisht tek njësitë ushtarake lokale të kolonëve” - thotë profesor Perliger.

 

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, ka dokumentuar 759 sulme të kolonëve vetëm në gjysmën e parë të këtij viti. Sulmet e fundit të kolonëve ndaj palestinezëve vendas, kanë përfshirë djegien e pronave të tyre, dhunë dhe vrasje.

 

“Ka shumë prova, se shumica e sulmeve ndaj palestinezëve nga ana e kolonëve, nuk pasohen pothuajse nga asnjë reagim. Palestinezët nuk kanë gati asnjë mbrojtje nga ushtria izraelite”- shton profesori. Ndërkohë, kryeministri Netanyahu i ka mbrojtur kolonët si një komunitet “model”, teksa vetëm në disa raste të rralla qeveria e tij ka denoncuar dhunën e kolonëve ndaj banorëve vendas palestinezë.

 

Sara Yael Hirschhorn, historiane në Universitetin e Haifës në Izrael, thotë se “aktualisht rreth 5 për qind e kolonëve janë ndoshta të përfshirë në aktet terroriste ndaj palestinezëve”. “Është një përqindje e vogël njerëzish, megjithatë këta janë njerëz që kanë mbështetje të qartë nga koalicioni qeveritar izraelit. Më pak se 2 për qind e akteve terroriste të kryera nga kolonët ndiqen penalisht, dhe kjo vetëm midis rasteve për të cilat hapet formalisht një hetim”- nënvizon ajo.

 

Dr.Hirschhorn thotë që nga 7 tetori ”në Bregun Perëndimor ka pasur një cikël dhune, i cili nuk po tregon shenja se do të ndalet së shpejti”.

 

XS
SM
MD
LG