Banorët e zakonshëm të Gazës shpjegojnë se si e fituan luftën
Palestina ka përjetuar shumë masakra që nga Nakba. Secila është e përfshirë në psikikën kolektive si provë e barbarisë izraelite, por edhe si një dëshmi e qëndrueshmërisë së madhe të palestinezëve si popull. Rezistenca, që ka qenë dhe do jenë garanci për ekzistencën e këtij populli pavarësisht gjithçkaje që ndodh, bazohet tek 3 vlera thelbësore “karamah” (dinjiteti), “izza” (krenaria) dhe ”sabr” (durimi).
Nga Ramzy Baroud “Arab News”
Gjatë dy viteve të fundit, algoritmi im i mediave sociale është dominuar pa pushim nga Gaza, dhe veçanërisht nga zërat e banorëve të zakonshëm të Gazës, duke shfaqur një përzierje emocionesh që përqendrohen në dy parime thelbësore: pikëllimin dhe sfidën.
Dhimbja e ka karakterizuar jetën në Gaza për shumë vite, si pasojë e luftërave të njëpasnjëshme nga ana e Izraelit, rrethimit të pamëshirshëm dhe bombardimeve të tij të vazhdueshme. Megjithatë, dy vitet e fundit, të shenjuara nga gjenocidi dhe uria, e kanë ripërcaktuar atë hidhërim në një mënyrë që është pothuajse e pakuptueshme për vetë palestinezët.
Është e vërtetë që Palestina ka përjetuar shumë masakra që nga Nakba, shkatërrimi tragjik i atdheut palestinez. Por këto masakra ishin zakonisht episodike, dhe secila e karakterizuar në mënyrë të veçantë nga rrethana specifike historike.
Secila prej tyhre, është e përfshirë në psikikën kolektive si provë e barbarisë izraelite, por edhe si një dëshmi e qëndrueshmërisë së madhe të palestinezëve si popull. Jam rritur në një kamp refugjatësh në Gaza, ku e përkujtonim çdo masakër me tubime, greva të përgjithshme dhe aktivitete artistike.
I njihnim viktimat dhe e përjetësonim kujtimin e tyre ato përmes brohoritjeve, grafiteve politike, poezisë e gjërave të tjera të ngjashme. Lufta shfarosëse e kryer nga Izraeli kundër Gazës 2 vitet e fundit e ka ndryshuar rrënjësisht të gjithë këtë gjë.
Vetëm në 24 orë, midis datave 23-24 tetor 2023, ushtria izraelite vrau 704 palestinezë , nga të cilët 120 vetëm në kampin e refugjatëve Jabaliya. Bombat vranë mijëra njerëz, shpesh në spitale, strehimore refugjatësh apo shkolla të menaxhuara nga OKB-ja.
Masakra po ndodhnin çdo ditë dhe kudo. Nuk kishte kohë për të reflektuar mbi asnjë nga këto masakra, për t’u lutur për viktimat apo edhe për t’i varrosur ata me dinjitet. Gjithçka që mund të bënin banorët e Gazës, ishte të përpiqeshin me dëshpërim të mbijetonin, të varrosnin të dashurit e tyre në varre masive, dhe të përdornin duart e tyre për të nxjerrë të plagosurit dhe të vdekurit nga poshtë blloqeve të mëdha të betonit dhe pirgjeve të mëdha me rrënoja.
Mijëra njerëz mbeten ende të zhdukur, ndërsa rreth një çerek milioni banorë të Gazës janë vrarë ose plagosur. Numri do të vazhdojë të rritet dhe shkalla e shkatërrimit vazhdon të thellohet, madje edhe tani që ka rënë shkalla e vrasjeve.
Atëherë, pse profili im në mediat sociale vazhdon të tregojë palestinezët duke festuar hapur fitoren e tyre? Pse fëmijët e Gazës, megjithëse të dobët dhe të rraskapitur për shkak të urisë, vazhdojnë të luajnë vallet tradicionale “dabke”?
Pse 5-vjeçarja Maria Hannoun, një nga personazhet e shumta ndikuese në Gaza, vazhdon të recitojë për rrjetet sociale poezinë e Mahmoud Darëish, dhe t’i dërgojë mesazhe të zjarrta presidentit të SHBA-së Donald Trump, se Gaza nuk do të mposhtet kurrë?
Të thuash se “banorët e Gazës janë ndërtuar ndryshe nga të tjerët”, është një nënvlerësim i madh. Unë i kam kaluar 20 vitet e fundit, duke iu përkushtuar kërkimit akademik mbi historinë e popullit të Palestinës, duke u përqendruar shumë në Gaza, dhe e shoh ende mbresëlënës vullnetin e tyre kolektiv.
Ata duket se kanë marrë një vendim të përbashkët dhe të vetëdijshëm: njësitë e tyre matëse për humbjen ose fitoren, do të jenë krejtësisht të ndara nga ato të përdorura nga media që mbulon luftën. Këto masa i kanë rrënjët te rezistenca si një zgjedhje themelore.
Vlerat thelbësore si “karamah” (dinjiteti), “izza” (krenaria) dhe ”sabr” (durimi), janë standardet me të cilat Gaza e gjykon sjelljen e saj ndaj ngjarjeve. Dhe sipas këtyre standardeve të thella, njerëzit e Rripit të goditur nga gjenocidi dhe uria e kanë fituar këtë luftë.
Edhe pse këto vlera shpesh injorohen ose keqinterpretohen në mbulimin mediatik të luftës, shumë njerëz e kanë cilësuar si konfuz reagimin e Gazës ndaj armëpushimit, me një gëzim dhe festim të pakufizuar.
Skena e nënave që prisnin lirimin e bijve të tyre në një festë të madhe në Khan Yunis, në jug të Gazës, ishte veçanërisht domethënëse. Ato qanin me hidhërim, ndërsa duartrokisnin dhe brohorisnin që të gjitha njëkohësisht.
Njëra prej tyre e sqaroi në mënyrë të përsosur paradoksin për një gazetare: lotët ishin për bijtë dhe bijat e vrarë në luftë, dhe brohorima ishte për ata që liroheshin. Por mediat e lajmeve e kuptojnë rrallëherë kompleksitetin e paradigmës së mbijetesës në Gaza.
Disa, përfshirë analistët ushtarakë izraelitë, kanë arritur në përfundimin se Benjamin Netanyahu e ka humbur luftën, sepse nuk arriti të arrijë asnjë nga objektivat e tij të deklaruara. Të tjerë flasin për një lloj fitoreje të Izraelit, thjesht sepse arriti të rrënojë pothuajse të gjithë infrastukturën e Gazës dhe të shfarosë një pjesë të madhe të popullsisë së saj.
Secila palë përdor shifra për të mbështetur pretendimet e saj. E megjithatë, palestinezët në Gaza e shohin këtë situatë në një mënyrë thelbësisht të ndryshme.
Ata e kuptojnë se lufta e Izraelit, ishte në fund të fundit një përpjekje për të shkatërruar popullin e tyre, për të shkatërruar shpirtin e tyre, për të çorientuar kulturën e tyre, për t’i kthyer ata kundër njëri-tjetrit, dhe tek e fundit për të zhdukur thelbin e të qenit palestinez.
Banorët e Gazës, festojnë sepse e dinë se Izraeli ka dështuar. Kombi palestinez është shfaqur edhe më thellë i rrënjosur në identitetin e tij, si në Gaza ashtu edhe gjetkë. Fëmijët që këndojnë për martirët, punonjësit e mbrojtjes civile që kërcejnë vallen dabke për shokët e tyre të rënë në luftë, dhe gruaja që përdor rrënojat e një tanku izraelit “Merkava” të shkatërruar për të nderë rrobat e sapolara - që të gjitha këto imazhe flasin për një komb të bashkuar nga dashuria e tij për jetën dhe angazhimin e tij zjarrtë ndaj vlerave të përbashkëta të trimërisë, nderit dhe dashurisë.
Disa analistë, duke u përpjekur të gjejnë një përfundim më të nuancuar dhe të arsyetuar, kanë arritur në përfundimin se as Izraeli nuk e fitoi luftën dhe as palestinezët nuk u mundën. Ndërsa kjo qasje e ekuilibruar mund të vlerësohet në aspektin e një leximi strategjik të armëpushimit, ajo është ende tejet e pasaktë kur kuptohet në sfondin e kulturës popullore palestineze.
Për njerëzit e zakonshëm, mbijetesa, vazhdimësia dhe vetëpohimi janë shenjat përfundimtare të fitores kundër Izraelit, një vend që nuk ngurron të përdorë gjenocidin për përfitime të përkohshme politike. Thelbi i triumfit të tyre është thjesht ky: ata mbeten në tokat e tyre.
Shënim: Dr.Ramzy Baroud. është gazetar dhe redaktor i The Palestine Chronicle. Libri i tij i fundit “Para Katastrofës”, do të botohet nga Seven Stories Press.