Lidhje


Ajo që ka ndodhur në Gaza mund të jetë edhe më e rëndë nga sa e mendojmë

Nga Lydia Polgreen “New York Times”

 

Shumë amerikanë, mund të jenë të tunduar të mos i besojnë përmasat e asaj që ka ndodhur në Gaza. Sepse kjo është një katastrofë e financuar nga paratë tona, e mundësuar nga armët tona, e miratuar nga qeveria jonë, dhe e kryer nga një prej aleatëve tanë më të ngushtë.

 

Prandaj nuk është e habitshme, që disa duan ta minimizojnë dëmin. Dhe strategjia e tyre mbrojtëse është të hedhin dyshime mbi shifrat. Ata thonë pak a shumë kështu: Numri i të vdekurve, i llogaritur nga Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi, duhet të jetë qëllimisht i zmadhuar për të nxitur një valë zemërimi ndërkombëtar. Sipas tyre, edhe nëse nuk ka manipulim me shifrat, atëherë shumica e të vrarëve ishin luftëtarë të Hamasit dhe jo civilë. Gjithsesi, pretendojnë ata, gjendja nuk mund të jetë më e keqe sesa në tmerret e tjera gjetkë, si në Sudanin e Jugut ose Republikën Demokratike të Kongos, për të cilat ne amerikanët jemi të pafajshëm.

 

Të marra së bashku, ato përbëjnë është një repertor i fuqishëm deflacioni dhe mohimi. Megjithatë, tani është koha për të bërë disa llogaritje. Pas dy vite dhunë të pamëshirshme, në Gaza është vendosur një një armëpushim i brishtë dhe i pasigurt, duke sjellë skena të gëzueshme të robërve izraelitë që ribashkohen me familjet e tyre dhe të burgosurve palestinezë që kthehen në shtëpi pas viteve të tëra paraburgimi.

 

Por kjo duhet të krahasohet me realitetin apokaliptik me të cilin përballen të mbijetuarit: një peizazh hënor, me një shkatërrim total dhe humbje të paimagjinueshme. Nëse duam vërtet sot, kemi mundësinë të fillojmë të zbulojmë koston e vërtetë të kësaj lufte.

 

Dhe mund të arrijmë në përfundimin, se tragjedia është edhe më e rëndë nga sa mendonim. Së pari, le të flasim për shifrat. Në Gaza, të vdekurit - të paktën 68.229 persona sipas numërimit të fundit - janë llogaritur nga Ministria e Shëndetësisë, e cila, ashtu si shërbimet e tjera qeveritare në enklavë, drejtohet nga Hamasi.Kjo ka ngjallur mosbesim tek disa. Por ekspertët në numërimin e të vdekurve në luftë, më thanë se përllogaritja e ministrisë palestineze ka qenë jashtëzakonisht rigoroze. Ajo përfshin jo vetëm emrat individualë të njerëzve të konfirmuar se kanë vdekur për shkak të luftës, por edhe moshën e tyre, gjininë, dhe më e rëndësishmja, numrat e identifikimit të tyre vërtetohen lehtësisht.

 

“Në e dimë se për arsye të ndryshme Ministria e Shëndetësisë, është vërtet konservatore në përfshirjen e njerëzve në listë” - më tha Michael Spagat, profesor në Royal Holloway, Universiteti i Londrës, i cili studion prej dekadash pasojat e luftës.

Ai thekson se për Gazën ekziston një nivel i jashtëzakonshëm transparence. “Informacioni është pakrahasimisht më i saktë, se ai që dimë për konfliktet e fundit në Tigray, Sudan, Sudanin e Jugut”- nënvizon ai. Në fakt, pavarësisht besueshmërisë së këtij numërimi, shumë ekspertë dyshojnë se ai e nënvlerëson shifrën reale. 

Spagat dhe një grup studiuesish, kryen një anketë me 2.000 familje në Gaza, e cila sugjeroi se shifrat zyrtare ka të ngjarë ta reduktojnë me të paktën 39 për qind numrin e njerëzve të vrarë në luftë. Anketa e Spagat, konfirmon një aspekt tjetër: Shumica e të vrarëve - rreth 56 përqind - ishin gra, fëmijë dhe të moshuar.

“Në një konflikt tipik, duhej të kishte më shumë meshkuj në moshë ushtarake sesa ata që po shohim këtu. Ndërkohë, përqindja e grave, fëmijëve dhe të moshuarve është jashtëzakonisht e lartë”- thotë Spagat.

 

Mjafton të shohësh rrënojat e ndërtesave të Gazës, për të kuptuar se breshëria e pamëshirshme e bombave dhe raketave të Izraelit, nuk shënjestroi me saktësi luftëtarët e Hamasit, por ra pa dallim mbi të rinj dhe të moshuar, burra dhe gra.

 

Por numërimi i kujdesshëm i të vdekurve, zbulon vetëm një pjesë të kostos njerëzore të luftës. Në shumë konflikte të kohëvë të fundit - në Darfur, Tigray, Kongo dhe Jemen - po aq shumë ose më shumë njerëz vdesin nga uria dhe sëmundjet sa edhe nga dhuna.

 

Këto quhen vdekje të tërthorta, dhe shpesh llogariten duke matur shkallën e vdekjeve para dhe pas fillimit të luftimeve. Ekspertët më thanë se përfshirja e këtyre vdekjeve është e rëndësishme, sepse lënia jashtë e tyre e lë në hije koston e vërtetë të luftës.

 

E pashë vetë këtë në Darfur në mesin e viteve 2000, ku sulmet vdekjeprurëse nga milicitë Janjaëeed ishin vetëm fillimi i katastrofës. Fshatarët detyroheshin të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe do të grumbulloheshin në kampe të improvizuara në kushte të mjerueshme.

 

Ndihma donte javë ose muaj që të mbërrinte tek ata. Fëmijët nën 5 vjeç, gratë shtatzëna, personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit, do të ishin ndër të parët që do të vdisnin - jo nga plumbat apo bombat, por nga kushtet e krijuara nga dhuna.

 

Në vitin 2006, kalova disa ditë në një spital në pjesën lindore të Kongos, duke dokumentuar ndikimin indirekt të pasojave të luftës tek fëmijët. Pashë një fëmijë të vogël me emrin Amuri në grahmat e fundit, duke iu nënshtruar fruthit, një sëmundje që parandalohet lehtësisht nga vaksinimet rutinë, dhe që mund të trajtohet me qasje në mjekësinë moderne.

 

Ai ishte vetëm një nga shumë fëmijët, që pashë atë javë të vdisnin nga vdekje të parandalueshme. Këto shkallë të larta të vdekjeve indirekte janë të zakonshme në rajonet e largëta të kombeve të gjera dhe të varfra, ku popullatat janë shumë të shpërndara dhe ku ndihma është e vështirë për t’u dërguar.

 

Por Gaza është ndryshe. Ajo ka një sipërfaqe të vogël - afërsisht sa madhësia e Detroitit në SHBA - dhe është lehtësisht e arritshme në rrugë tokësore. Para luftës, ajo kishte një nga shkallët më të larta të ndihmës humanitare për frymë në botë, dhe banorët e saj ishin shumë më të shëndetshëm mesatarisht sesa popullatat në zona të tjera të konfliktit.

 

Nivelet e larta të vaksinimit i mbronin fëmijët e vegjël nga sëmundjet ngjitëse, si për shembull poliomeliti. Kjo duhet të kishte nënkuptuar që vdekjet indirekte do të ishin një pjesë më e vogël e totalit sesa në luftërat e tjera. Dhe për pjesën më të madhe të konfliktit, kështu ndodhi.

 

Por vendimi i Izraelit për të kufizuar ndjeshëm dhe ndonjëherë bllokuar plotësisht ndihmën për Gazën, e zhyti enklavën në uri masive. Infrastruktura e saj shëndetësore u shkatërrua, dhe shumica e dy milionë banorëve të saj u detyruan të iknin, teksa shpesh u detyruan të jetonin në kushte johigjienike dhe të ekspozuara  ndaj infeksioneve e sëmundjeve të ndryshme.Ne ende nuk mund ta dimë se sa dëme ka shkaktuar kjo. Shpresohet që armëpushimi aktual do të lejojë përmirësimin e kushteve. Megjithatë, në disa mënyra, kjo periudhë ankthi mund të jetë mjaft vdekjeprurëse për njerëzit në Gaza.

 

Me kaq shumë shkatërrime, shumë nga ata që kthehen në shtëpitë e tyre, nuk do të gjejnë asgjë tjetër përveç rrënojave. Për më tepër, ka shumë arsye të pritet që Izraeli të synojë ta përdorë rrjedhën e ndihmës humanitare - ushqim, ujë, energji elektrike, furnizime mjekësore dhe punonjës humanitarë - si një levë presioni në negociatat komplekse mbi të ardhmen e Gazës.

 

Sipas kushteve të armëpushimit, i cili po zbatohet me shumë vështirësi, 600 kamionë me ndihma duhej të hynin në Gaza çdo ditë. Por sipas Kombeve të Bashkuara, që kur janë ndalur luftimet, më pak se 100 kamionë kanë mbërritur çdo ditë atje.

 

Banorët e Gazës janë të varfër. “Do të habitesha nëse do të kishte më pak se 50.000 vdekje vetëm nga uria dhe sëmundjet” - më tha Alex de ëaal, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Botëror të Paqes në Universitetin Tufts, dhe një nga ekspertët kryesorë në botë për urinë.

 

Nëse De ëaal ka të drejtë, në vetëm 2 vjet ky konflikt do të ketë vrarë 7.5 përqind të popullsisë së Gazës para luftës. Në terma proporcionalë, ai është tashmë më vdekjeprurës sesa luftërat në Jemen, Siri, Sudan dhe Ukrainë.

 

Dhe kjo tragjedi dhe do të jetë e pamundur të fshihet: këtë ndalojnë sipërfaqja e vogël e Gazës, aksesueshmëria dhe infrastruktura e ndihmës humanitare. Krahasuar me konflikte të tjera, numri i të vdekurve - si i drejtpërdrejtë ashtu edhe i tërthortë - mund të përcaktohet me një saktësi të pazakontë.

 

Kjo do ta bëjë edhe më të vështirë minimizimin ose mohimin e asaj që ndodhi, por nuk do të jetë e pamundur. Në një intervistë në emisionin “60 Minuta” të dielën, Jared Kushner i përshkroi kështu rrënojat e Gazës nga një vizitë e kohëve të fundit në shoqërinë e ushtrisë izraelite: “Dukej sikur në atë zonë ishte shpërthyer një bombë bërthamore”.

 

Megjithatë, i pyetur nëse mendonte se ajo që kishte ndodhur ishte gjenocid, ai u përgjigj menjëherë: “Jo”. Edhe partneri i tij në negociata, Steve Witkoff, ndërhyri për të thënë të njëjtën gjë: “Jo, jo, atje po zhvillohej një luftë”. 

 

Rrënojat tregojnë një histori; njerëzit që i krijuan ato tregojnë një tjetër. Llogaridhënia do të varet nga historia që do të zgjedhim të besojmë ne të tjerët.

 

 

XS
SM
MD
LG