Rula Jebreal:Armëpushimi në Gaza nuk do të zgjasë. I.zraeli dëshiron dominim, jo paqe
Gazetarja dhe shkrimtarja e njohur palestineze, autore e një libri të ri mbi gjenocidin që ka ndodhur në Gaza, thotë se plani i Trump duhet të ketë bashkëbisedues palestinezë, dhe tani për tani aktivisti i burgosur prej vitesh nga Izraeli, Marwan Barghouti, është njeriu i duhur
Nga Alessandro Colombo “La Stampa”
“Sa herë që e dehumanizon një komb, je duke i hapur derën gjenocidit!”. Luftërat zhvillohen edhe për shkak të fjalëve. Mbi fjalët që përshkruajnë dhe ato që rrëfejnë. Rula Jebreal, një gazetare italo-palestineze, i përdor fjalët në të dyja mënyrat: për të përshkruar veprimet e ndërmarra, si dhe për të rrëfyer ngjarjet.
Ajo e bën këtë në librin e saj “Gjenocidi”, që përmban një kronikë të dy viteve të luftës së pamëshirshme në Gaza dhe një rindërtim të origjinës së saj. Libri i promovua të hënën paradite në Sala della Lupa në Montecitorio, selinë e parlamentit italian.
Në libër ju shkruani mbi gjenocidin në Gaza, që filloi me fjalë. Cilat janë ato?
Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka në dispozicion mbi 500 deklarata nga zyrtarë dhe politikanë izraelitë që tregojnë nxitjen për gjenocid. Midis tyre, edhe nga presidenti izraelit Herzog: “Në Gaza nuk ka të pafajshëm”; ish-Ministri i Mbrojtjes Gallant: “Ata janë kafshë me tipare njerëzore”; apo nga Ministri i Bujqësisë Avi Dichter, i cili deklaroi: “Tani në Gaza po nisim Nakba-n”. Për të mos përmendur deklaratat edhe më skandaloze të Smotrich dhe Ben Gvir. Dhe mos harro që sa herë që e dehumanizon një komb, po i hap derën gjenocidit…
Në libër, ju flisni për tre grupe kryesore viktimash: fëmijët, mjekët dhe gazetarët palestinezë. Pse mendoni se ata u shënjestruan qëllimisht?
Sepse duke shënjestruar fëmijët, Izraeli synon të shkatërrojë brezin e ardhshëm dhe për rrjedhojë të ardhmen e palestinezëve. Pra ai synon që të shkatërrojë të gjithë shpresën. Pastaj duhet të zhdukeshin edhe mjekët, sepse ata kujdesen për jetën e njerëzve.
Kujtoj këtu rastin e Adnan Al-Bursh, mjekut kryesor në Spitalin Al-Shifa. Ai u arrestua, torturua dhe u vra në prillin e vitit 2024. Trupi i tij është ende në duart e izraelitëve, të cilët nuk do ta dorëzojnë, sepse në të ka prova të torturave të tyre.
Dhe pastaj në shënjestër kanë qenë ata që raportuan krimet: gazetarët…
Po, ata okumentuan provat e krimeve të kryera në Gaza. Pse Izraeli ua ndalon ende hyrjen në Gaza gazetarëve të huaj? Nëse e kundërshton akuzën për gjenocid, atëherë duhet t’i lejojë të hyjnë. Përndryshe, e pranon se ka frikë nga e vërteta, dhe e pranon në mënyrë të tërthortë se po kryen gjenocid.
Çfarë mund të thoni për viktimat e 7 tetorit?
Sa herë që civilët shënjestrohen qëllimisht, ky është një akt terrorizmi Është e qartë se Hamasi kreu krime lufte, por përgjigja ndaj tyre nuk mund të jetë gjenocidi. Nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për një konflikt. Sepse mizoritë nxitin mizori të tjera.
Ju flisni për një shtet me dy popuj. A mund të jetë kjo vërtet një zgjidhje?
Mund të jetë një federatë ose një shtet me 2 kombe. Unë besoj në një zgjidhje politike dhe diplomatike, e cila është e vetmja alternativë ndaj kësaj masakre dhe izolimit të Izraelit. Por kjo zgjidhje, duhet të imponohet me sanksione dhe me një embargo armësh ndaj Tel Avivit.
Por a duhet që zgjidhja të përfshijë edhe Hamasin?
Hamasi nuk dëshiron më që të jetë në pushtet. Unë mendoj se këtë nuk e duan as Palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Vetë ata e njohin situatën politike. Por kjo nuk do të thotë se duhen përjashtuar nga procesi gjithë palestinezët.
Kjo është arsyeja pse marrëveshja e paqes e Donald Trump është dritëshkurtër, sepse që të arrihet një paqe e qëndrueshme, bashkëbiseduesit duhet të jenë palestinezë, dhe jo vetëm Lidhja Arabe, Tony Blair apo Jared Kushner. Ky proces, nuk duhet t’u duket palestinezëve si një formë tjetër kolonizimi.
Dhe kush duhet t’i përfaqësojë ata?
Marwan Barghouti. Nuk është rastësi që Trump po ushtron presion për lirimin e tij, dhe të njëjtën gjë po bën edhe udhëheqësi i komunitetit amerikano-hebraik, Ronald Lauder. Barghouti është aktualisht figura që mund të udhëheqë tranzicionin nga gjenocidi në paqe dhe siguri për të gjithë.
A do të vazhdojë armëpushimi aktual?
Jo, sepse Izraeli e ka shkelur atë disa herë. Ndërsa dhuna në Gaza po pakësohet, po rritet ajo nga kolonët e mbrojtur nga ushtria në Bregun Perëndimor ndaj palestinezëve autoktonë. Dhe parlamenti izraelit, ka miratuar së fundmi një ligj për aneksimin e paligjshëm të Bregut Perëndimor, që mbahet i pushtuar prej dekadash.
Por izraelitët gënjejnë veten nëse shpresojnë të arrijnë kenë për vete ta gjithë Palestinën pa palestinezët. Kjo rritje e turpshme e dhunës në Bregun Perëndimor, ku Hamasi nuk është i pranishëm, e bën fare të qartë se Izraeli nuk është i interesuar për paqen, por kërkon dominim, pushtim të përhershëm dhe aneksim të paligjshëm të territoreve palestineze.
Çfarë domethënie ka prezantimi i këtij libri në parlamentin italian?
Është koha më e përshtashme për ta prezantuar këtë libër në korridoret e pushtetit. Vetëm pushteti politik mund t’i ndryshojë gjërat, duke shpresuar që udhëheqësit italianë do të distancohen ushtarakisht nga këto krime. Sepse nëse bashkëpunon ushtarakisht, e ekspozon veten ndaj akuzave për bashkëfajësi.
Në Gaza nuk po vdesin vetëm palestinezët, por edhe e drejta ndërkombëtare humanitare. Dhe mbi të gjitha rregullat, ligjet dhe konventat që u vendosën pas Luftës së Dytë Botërore, për të na mbrojtur të gjithëve, dhe jo vetëm palestinezët.