Lidhje


Netanyahu po prish armëpushimin në Gaza, ndërsa Trump po humb fytyrën

Të martën, Netanyahu urdhëroi sulme të reja ajrore në Gaza, duke ngritur pikëpyetjen nëse SHBA-ja do ta mbajë apo jo përgjegjës për sabotimin e armëpushimit…

 

Nga Jonah Valdez “The Intercept”

 

Bombat izraelite goditën sërish të martën gjithë Gazën, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi ushtrinë e tij të “kryejë menjëherë sulme të fuqishme”, në sfidën më serioze deri më sot ndaj marrëveshjes aktuale të armëpushimit.

 

Sipas zyrtarëve të Gazës, sulmet e reja kanë vrarë të paktën 90 njerëz. Kjo ndodhi vetëm katër ditë pasi Sekretari i Shtetit Marco Rubio, vizitoi një bazë të re ushtarake amerikane në Izrael, një vendosje e rrallë e forcave amerikane që synonte të sinjalizonte, se presidenti Donald Trump ishte serioz në lidhje me ndalimin e bombardimit të Gazës.

 

“Nuk ka asnjë plan B!”- deklaroi Rubio gjatë turit, në përgjigje të pyetjes së një gazetari izraelit nëse Izraeli kishte nevojë për lejen e Trump, para se të rifillonte sulmet ndaj Gazës. “Ky është plani më i mirë, është i vetmi plan, dhe ne mendojmë se mund të ketë sukses”- theksoi ai.

 

Sipas Associated Press, Izraeli e njoftoi administratën Trump përpara se të kryente sulmet e së martës, duke ngritur pikëpyetje nëse SHBA-ja do ta mbajë Netanyahun përgjegjës për aktin e fundit të fundit të shkeljes së armëpushimit.

 

“Tani të gjithë sytë do të jenë nga Uashingtoni. A do të jetë vërtet ai një arbitër që gjykon në mënyrë të drejtë? Apo është aty vetëm për sa për dekor, dhe do t’i lejojnë izraelitët të shpëtojnë pa u ndëshkuar pavarësisht mijëra palestinëzeve të vrarë, siç kanë bërë gjithmonë?”- thotë Yousef Munayyer, kreu i Programit Palestinë-Izrael në Qendrën Arabe në Uashington.

 

Duke folur me gazetarët të martën, zëvendëspresidenti amerikan J.D.Vance sinjalizoi se SHBA-ja do të zgjedhë sërish qasjen e dytë. Ai i përshkroi sulmet si “përleshje të vogla këtu e atje”, duke këmbëngfulur se “armëpushimi është ende në fuqi”.

 

Shkeljet e shtuara të armëpushimit në Gaza nga ana e Izraelit

 

“Ne e dimë që Hamasi ose dikush tjetër brenda Gazës sulmoi një ushtar ushtarak izraelit. Ndaj presim që izraelitët do të kundërpërgjigjen. Por unë mendoj se pavarësisht kësaj, Trump do të ruajë qetësinë”- tha Vance.

 

Sulmet e Izraelit të martën shënjestruan kryesisht Qytetin e Gazës, përfshirë oborrin e Spitalit Al-Shifa, kompleksin më të madh mjekësor të Rripit, si dhe komplekset e apartamenteve në të gjithë qytetin. Sulme të tjera goditën Khan Younis dhe Deir Al-Balah.

 

Midis dhjetëra të vrarëve në këto sulme, shumica ishin civilë dhe të paktën një fëmijë, raportoi televizioni Al-Aqsa. Zyrtarët izraelitë, pretenduan të martën se luftëtarët e Hamasit kishin qëlluar mbi ushtarët izraelitë në Gazën Jugore, ndërsa Hamasi mohoi përgjegjësinë për sulmet.

 

Ishte rasti i fundit nga disa të tillë, në të cilat qeveria izraelite propagandon idenë se ishte Hamasi, ai që e shkeli marrëveshjen e armëpushimit. Zyrtarët izraelitë e kanë akuzuar Hamasin për vonesë të qëllimshme të kthimit të eshtrave të pengjeve izraelite, një pretendim mbi të cilin edhe SHBA-ja ka hedhur dyshime.

 

Duke folur me gazetarët gjatë vizitës së tij në bazën e re amerikane në Izrael javën e kaluar, Vance kërkoi “pak durim”, duke përmendur vështirësinë e zbulimit të trupave të varrosur nën pirgjet e rrënojave të ndërtesave të shkatërruara.

 

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, i cili po ndihmon dhe mbikëqyr kthimin e pengjeve, vazhdon të punojë me ekipet e kërkimit të Hamasit. Ai lëshoi një deklaratë të martën duke hedhur poshtë pretendimet e Izraeli, se Hamasi po rivarros enkas eshtrat e pengjeve për të organizuar më pas një operacion rikuperimi për Kryqin e Kuq.

 

Ndërkohë, shumë nga trupat palestinezë të kthyer nga Izraeli, kanë treguar shenja abuzimi dhe torture. Hamasi i ktheu të gjithë pengjet e gjalla izraelite brenda 72 orëve të kërkuara sipas marrëveshjes. Që nga ajo kohë, ka kthyer edhe eshtrat e 15 nga 28 izraelitët e vdekur.

 

Marrëveshja e armëpushimit, përfshinte kushtin që i lejonte Hamasit liri veprimi përtej 72 orëve fillestare për të vazhduar kërkimin e trupave të mbetur, për sa kohë që vazhdon të komunikojë me Kryqin e Kuq. Ndërkohë, qeveria izraelite ka bërë çmos për të minuar procesin e paqes.

 

Izraeli po e kufizon ende sasinë e ndihmës humanitare që hyn në Gaza. Ai vazhdon të bllokojë kufirin në Rafah, një pikë kalimi thelbësore për kalimin e ndihmave; dhe ka vazhduar një sërë sulmesh ndaj palestinezëve, duke përfshirë një varg sulmesh ajrore, që vetëm më 19 tetor vranë të paktën 26 banorë të Gazës, përfshirë civilë.

 

Një nga sulmet goditi një shkollë që strehonte familje të zhvendosura në Nuseirat. Po ashtu, Izraeli ka vazhduar të shkatërrojë sipërfaqe të mëdha të infrastrukturës së qytetit, teksa më shumë se 50 përqind e Rripit mbetet nën kontrollin e tij ushtarak.

 

Izraeli ka kryer sulme të mëdha ushtarake përtej Gazës, siç është për shembull një sulm ajror në Bregun Perëndimor, ku dhuna e përditshme e kolonëve izraelitë kundër palestinezëve vazhdon në mënyrë të pandërprerë. 

 

“Ata po përpiqen që t’i nxisin palestinezët të kundërpërgjigjen. Kjo është strategjia e tyre, ata duan që palestinezët të bëjnë gjithçka për të reaguar, vetëm që Izraeli të përfundojë misionin e tij”- thotë Ramy Abdu, kryetar i Këshillit Monitorues Euro-Mesdhetar për të Drejtat e Njeriut, një organizatë mbikëqyrëse që investigon shënjestrimin e civilëve në Gaza nga Izraeli.

 

Abdu mendon se Izraeli nuk e ka marrë kurrë seriozisht zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit, përkundrazi ai ka kërkuar vetëm arsye për të rinisur sulmet e tij. Të martën, Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, pretendoi se Hamasi “vazhdon të luajë lojëra”. Nëpërmjet një postim në rrjetin social X, ai i bëri thirrje Netanyahut që të rifillonte bombardimet.

 

“Nëse Izraeli do të synonte vërtet të rikthente pengjet izraelitë, atëherë do të lehtësonte çdo përpjekje për t’i kthyer ata, pa artikuluar këto lloj historish dhe imazhesh të sajuara”- thotë

 

Abdu. Nga ana e tij, Hamasi deklaron se është i përkushtuar për të zbatuar marrëveshjen, dhe ka akuzuar izraelitët se po pengojnë hyrjen e ekipeve humanitare dhe makinerive të rënda për të përfunduar gërmimet.

 

Lufta e Izraelit në Gaza

 

Rifillimi i sulmeve izraelite, përputhet me një model që e kemi parë më parë, shton Munayyer. Gjatë armëpushimeve të mëparshme në nëntor 2023 dhe në janar të këtij viti, Izraeli rimori sa më shumë pengje që mundi për të zbutur reagimin e qytetarëve të tij, dhe më pas rifilloi sulmet ndaj Gazës

 

Dhe ndërsa SHBA-ja është lojtarja kryesore, ajo nuk është e vetmja që ka ndikim. Në prag të marrëveshjes së armëpushimit, Bashkimi Evropian dhe disa vende të mëdha perëndimore - Britania e Madhe, Franca, Kanadaja dhe Australia - filluan ta kërcënonin Izraelin me sanksione ose me njohjen formale të një shteti palestinez, në rast se nuk do të ndalte gjenocidin e tij, me shumë mundësi një lëvizje e diktuar nga reagimi ndaj protestave masive nga qytetarët e vendeve të tyre kundër masakrimit të banorëve të Gazës.

 

“Tani, izraelitët po përpiqen të sajojnë narrativën, sipas së cilës është Hamasi ai që e shkeli armëpushimin dhe për këtë arsye marrëveshja quhet e anuluar. Por a do ta besojë këtë bashkësia ndërkombëtare?”- pyet Munayyer.

 

 

XS
SM
MD
LG