Lidhje


Të gjithë ne i.zraelitët jemi si Ben-Gvir, si.onistë dhe f.ashistë

Ngjashmëria fashiste midis koalicionit qeveritar dhe opozitës nuk është e rastësishme. Ajo quhet sionizëm. Në vitin 2025, s’mund ta mbështesësh më këtë ideologji kombëtare pa qenë fashist ose militarist. Ndoshta kështu ka qenë që nga fillimi, por ndershmëria na kërkon që ta pranojmë hapur tani….

 

Nga Gideon Levy “Haaretz”

 

Më në fund, të gjithë jemi si Itamar Ben-Gvir. Një linjë e përbashkët shtrihet midis Naftali Bennett, Yair Lapid dhe Avigdor Lieberman, formalisht shpresa e opozitës, dhe Ben-Gvir, drejtuesit të fushatës së madhe të terrorit: nacionalizmi, fashizmi dhe militarizmi i tyre, ndryshojnë vetëm në nuancat më të vogla.

 

Midis qeverisë më të ekstremit të djathtë në historinë e Izraelit dhe atyre që aspirojnë të rimarrin pushtetin, nuk ka asgjë tjetër përveç 50 nuancave të së djathtës. Prandaj, të gjitha fjalët për “një përçarje brenda kombit” dhe për “zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e vendit”, kjo e fundit një klishe që po qarkullon aktualisht, janë në fakt gënjeshtra.

 

Izraeli nuk ka sot një figurë si Zohran Mamdani, kandidati demokrat për Bashkinë e Nju Jorkut, dhe nuk do të ketë një të tillë së shpejti. Ndërkohë Ben-Gvirët i kemi me shumicë.

 

Sezoni i zgjedhjeve të reja ka mbërritur dhe partia opozitare kryesore, Lapid, e ka identifikuar shpejt frymën e kohës, pra fashizmin, duke e shfrytëzuar më shumë zell atë. Ky është produkti më në modë në treg që nga 7 tetori 2023, dhe Lapid tashmë po e shpërndan me kënaqësi atë për të fituar mbështetje.

 

Këtë javë, “udhëheqësi i opozitës” premtoi se do të mbështeste projekligjin që u ndalon të drejtën e votës atyre që nuk regjistrohen në ushtri. As në Spartën e lashtë dhe as në super-Spartë, nuk do të guxonin ndonjëherë të merrnin në konsideratë një masë të tillë militariste.

 

Madje mund të ishin turpëruar. Ndërsa sipas “logjikës” së politikanëve të sotëm izraelitë, arabët, personat me aftësi të kufizuara, të sëmurët, kriminelët dhe personat me aftësi të kufizuara duhet të hidhen në lumë.

 

Ata nuk janë pjesë e demokracisë sonë, kështu që pse të mos deportohen të gjithë ata që nuk shërbejnë në ushtri? T’u hiqet shtetësia dhe ndoshta t’i çojmë në kampe përqëndrimi. Sipas Lapid, shërbimi në ushtri është ai që të jep të drejta themelore si shtetas i Izrealit.

 

Pra të dashur izraelitë, nëse nuk vret fëmijë në Gaza, Lapid do t’jua marrë kartën e identifikimit të votuesit. Populli, i grabitur dhe shtypur nga vitet e qeverisjes skandaloze të Benjamin Netanyahut, po shikonte nga opozita si një shpresë për diçka tjetër.

 

Mjerisht, ajo që duhet të ishte shpresa më e madhe është edhe më dekurajuese. “Në Negev, po lind një shtet palestinez. Nëse nuk veprojmë, do të zgjohemi me një tjetër 7 tetor”-  i paralajmëroi këtë javë Bennett banorët e qytetit Omer.

 

Qytetarët arabë të Izraelit, grupi më i disavantazhuar dhe i shpronësuar i shoqërisë tonë, cilësohen të gjithë kolektivisht si Hamas. Rreziku që na thuhet se paraqesin ata është një tjetër 7 tetor. Meqenëse Ben-Gvir flet tashmë në këtë mënyrë, atëherë për çfarë na duhet Naftali Bennet?

 

Për anglishten e tij të mirë? Për sjelljet e tij të rafinuara? Për shërbimin e tij ushtarak në një njësi komando? Për një grua që të lëvizë me armë në brez? Për të jetuar në Ra’anana (dhe jo në Tel Rumeida)?

 

Për Bennetin, ashtu si për Ben-Gvirin, kjo tokë është vetëm për hebrenjtë. Arabët, disa prej të cilëve u dëbuan në Negev nga pjesë të tjera të Izraelit, nuk janë fëmijët e kësaj toke. Ata cilësohen si një kërcënim që duhet të mbahet nën kontroll.

 

Por fakti është se Negevi është i tyre jo më pak se sa i Bennetit apo qytetarëve të Omer-it. Negevi është ajo çfarë u lamë palestinëzeve, pasi ua shpronësuam të gjitha tokat, ua shkatërruam jetën dhe i burgosëm në kasolle mjerane.

 

Bennett, ashtu si Lapid, është një individ i errët. Që të dy besojnë se të drejtat ofrohen nga “mirësia” e zemrës së shtetit, si një dhuratë ose shpërblim për atë që (në sytë e tyre) është sillet mirë.

 

Ky është fashizmi në formën e tij më të keqe, dhe Lieberman, fashisti më veteran nga të tre, do t’i bashkohet me entuziazëm. Edhe ai është në favor të mohimit të së drejtës së votës për ata që nuk ndihmuan në luftën në Gaza, dhe që nuk u përfshinë në krimet e ushtrisë izraelite.

 

Edhe ai i sheh beduinët si mysafirë të paftuar në këtë vend. Ngjashmëria fashiste midis koalicionit dhe opozitës nuk është e rastësishme. Ajo quhet sionizëm. Në vitin 2025, nuk mund ta mbështesësh më këtë ideologji kombëtare, pa qenë fashist ose militarist.

 

Tani kjo qasje është thelbi i sionizmit. Ndoshta kështu ka qenë që nga fillimi i tij, dhe ndershmëria na kërkon që ta pranojmë këtë tani. Netanyahu dhe Bennett, Ben-Gvir dhe Lapid, janë sionistë si pothuajse të gjithë izraelitët.

 

Kur flitet për tokën, ata besojnë në supremacinë hebraike dhe në gënjeshtrën e një shteti hebraik demokratik. Pasoja e pashmangshme e kësaj është fashizmi. Sot nuk është më e mundur të jesh sionist dhe të mos jesh fashist.

 

XS
SM
MD
LG