Qytetërimi dhe Perandoria që ekzistojnë vetëm në librin Histori 6
Saturday, 01 November 2025 22:11
Nga Vehap Kola
Seksioni “Qytetërimi hebre” në faqen 23 të librit Histori 6 për klasën e 6-të të shkollës 9-vjeçare, me autorë Menduh Dërguti dhe Prof. asoc. dr. Tomi Treska, redaktore shkencore Prof. asoc. Sonila Boçi, botuar (ribotim) nga “Albas”, 2024, u jep fëmijëve si “histori” një version religjioz-biblik të origjinës së izraelitëve, i përzier me anakronizma dhe pohime të pavërtetuara, dhe u shitet si fakt shkencor. Teskti është përzierje e një tradite biblike me një narrativë politike moderne.
Teksti është si vijon:
<<Qytetërimi hebre
Në rripin bregdetar, në jug të Fenikisë, u vendosën dy popuj: hebrenjtë, të ardhur nga Mesopotamia, dhe filistinët, të ardhur nga deti. Konflikti ndërmjet dy popujve vazhdoi për shumë shekuj. Në mijëvjeçarin I pr.K. hebrenjtë, të cilët ishin të ndarë në 12 fise, u bashkuan dhe krijuan mbretërinë e tyre, mbreti i parë i së cilës ishte Sauli. Më pas Davidi e forcoi shtetin dhe përfshiu brenda territorit të tij qytetin e Jerusalemit. Pasardhësi i tyre ishte Solomoni. Ai dallohej për mençuri dhe drejtësi. Ky ndërtoi në Jerusalem një tempull (sinagogë) dhe e shpalli Jerusalemin “qytet të shenjtë”. Me vdekjen e tij mbretëria filloi të dobësohej dhe u nda në dy pjesë: Mbretëria e Izraelit në veri dhe Mbretëria e Judejve në jug me kryeqytet Jerusalemin.
Hebrenjtë qenë populli i parë në botë që besonte te një zot i vetëm, Jehovai, i cili për ta është krijuesi i gjithçkaje dhe drejton të gjithë universin. Ata i dhanë njerëzimit për herë të parë besimin monoteist.>>
Në këto pak rreshta, mund të gjesh jo pak por 12 probleme, aq sa janë edhe fiset izraelite. Po i rendis si vijon:
1. “Qytetërimi hebre
Ajo që kemi realisht në histori janë hebrejtë/izraelitët si popull semit në Levantin jugor, dy mbretëri të vogla të epokës së hekurit (Izraeli në veri dhe Judea në jug) dhe një traditë fetaro-letrare në hebraisht që më vonë bëhet judaizëm. Studiuesit seriozë nuk përdorin zakonisht shprehjen “qytetërim hebre”, sepse një “qytetërim” nënkupton zakonisht një formacion të madh, të shtrirë në kohë, me kulturë materiale qartësisht të veçantë dhe shpesh me perandori. Izraeli dhe Judea ishin të vogla dhe të brishta, me kulturë të përbashkët rajonale.
Prandaj, “qytetërimi hebre” është më shumë etiketë moderne/retorike (në mjedise fetare ose nacionaliste) për të thënë: “populli i Biblës krijoi një kulturë të rëndësishme”.
Më saktë do të ishte që autorët ta quanin “Izraeli dhe Judea e lashtë”, ose “kultura izraelite/judaike në Levantin e epokës së hekurit”, ose “tradita biblike që çoi në Judaizëm”. Tekstet hebraike patën një ndikim shumë më të madh se vetë madhësia e këtyre mbretërive, përmes Judaizmit, e më pas Krishtërimit. Pra pati ndikim civilizues, por kjo është e mëvonshme, jo një “civilizim hebre” i vetëmjaftueshëm në shek. X-VI p.e.s.
2. “Në rripin bregdetar, në jug të Fenikisë, u vendosën dy popuj: hebrejtë… dhe filistinët…”
Sa u përket filistinëve, kjo pjesë është në rregull. Arkeologjia e shek. XII-XI p.e.s. në bregdetin jugor të Levantit (Ashkelon, Ashdod, Ekron, Gath, Gaza) e lidh kulturën filistine me “Popujt e Detit”. Shih Dothan & Dothan (1992), Killebrew (2005), dhe një përmbledhje të qartë te Finkelstein & Silberman (2001).
“Hebrenjtë u vendosën aty” në të njëjtën mënyrë si filistinët nuk është ajo që thonë sot shumica e studiuesve. Modeli dominant është ai i formimit të Izraelit nga brenda Kananit, nga popullsi rurale që u shfaq në zonat kodrinore në fund të epokës së bronzit dhe fillim të epokës së hekurit. Shih Finkelstein (1988), Dever (2003), Noll (2012), Faust (2006). Pra:
Filistinët, migruan nga jashtë. Izraelitët/hebrejtë janë kryesisht formim i brendshëm, jo kolonizim nga Mesopotamia.
3. “…hebrentjë, të ardhur nga Mesopotamia”
Kjo është thjesht narrativa e Zanafillës (nga Uri në Harran në Kanaan) dhe shërben për ta lidhur popullin me një origjinë të përbashkët teologjike. Nuk ka korrespondencë të drejtpërdrejtë arkeologjike për një migrim të tillë grupor nga Mesopotamia në shek. II-I p.e.s. Shih Dever (2003), Noll (2012), dhe një analizë të mirë të traditave të origjinës te Römer (2015).
Pra, migrimi i popullsisë hebreje nga Mesopotamia është traditë biblike por jo e vërtetuar si fenomen historik.
4. “Konflikti ndërmjet dy popujve vazhdoi për shumë shekuj.”
Përshkrimi përgjithësues tingëllon si deklaratë e Trump, pasi ai pajton popuj që luftojnë prej mijëra vitesh, në vigjilje të çmimit Nobel për Paqe. Narrativat e 1-2 Samuelit tregojnë pikërisht përplasjet izraelito-filistine në periudhën e Saulit dhe Davidit. Kjo bën sens edhe nga pikëpamja gjeografike: kodrat izraelite kundrejt bregdetit filistin. Shih për më shumë Miller & Hayes (2006), Provan, Long & Longman (2003).
Nuk ka dëshmi për një luftë të pandërprerë shumë-shekullore. Kjo është tezë propagandistike për legjitimimin e shtetformimit modern të Izraelit, jo fakt kronologjik.
5. “Në mijëvjeçarin I pr.K. hebrenjtë… u bashkuan dhe krijuan mbretërinë e tyre, mbreti i parë ishte Sauli.”
Burimi i kësaj teze është historia e Ligjit të Përtërirë (1 Samuel). Shumica e studiuesve pranojnë që ka pasur një figurë reale të quajtur Saul që ka luftuar filistinët në fund të shek. XI p.e.s. Kjo përputhet me kontekstin politik të epokës (Miller & Hayes, 2006; Grabbe, 2007). Por ideja se “u bashkuan 12 fiset” në një shtet të unifikuar është ideal biblik, jo situata e vërtetë arkeologjike. Të dhënat nga zonat kodrinore tregojnë një shoqëri të shpërndarë, rurale, me densitet të ulët, jo një mbretëri e konsoliduar (Finkelstein, 1988; Dever, 2003).
6. “Më pas Davidi e forcoi shtetin dhe përfshiu… Jerusalemin.”
Kjo është një nga pjesët më të besueshme të traditës biblike: marrja e Jeruzalemit nga një grup joizraelit (Jebusitët) dhe kthimi i tij në kryeqytet (2 Sam 5). Shih për këtë rindërtimet e ngjarjeve te Finkelstein & Silberman (2001), Miller & Hayes (2006).
Çfarë diskutohet nuk është fakti i marrjes së Jeruzalemit, por shkalla e mbretërisë së Davidit. Minimalistët (p.sh. Finkelstein) e shohin si një feud kodrinor relativisht modest. Të tjerë pranojnë një monarki më të zhvilluar në shek. X p.e.s.
7. “Pasardhësi i tyre ishte Solomoni. Ai dallohej për mençuri dhe drejtësi.”
Solomoni si pasues i Davidit është pjesë e të njëjtit grup traditash dhe pranohet si figurë tradicionale izraelite (Grabbe, 2007). Por fama e tij për mençuri (1 Mbretërve 3) është motiv teologjik dhe politik, jo fakt që ne mund ta verifikojmë nga burime të pavarura.
8. “Ky ndërtoi në Jerusalem një tempull (sinagogë)…”
Këtu autorët gabojnë sërish. Tradita që Solomoni ndërtoi Tempullin e Parë në shek. X p.e.s. është themelore për vetë identitetin judaik dhe nuk ka arsye historike për ta hedhur poshtë apriori. Por ne thjesht nuk mund ta gërmojmë vendin për ta verifikuar këtë (shih Dever, 2003).
Por tempulli që ndërtoi Solomoni nuk ishte sinagogë. Tempulli ishte qendër sakrifikimi e kultit. Sinagoga është institucion i lutjes, mësimit dhe leximit, që shfaqet shumë më vonë, në fund të periudhës së Tempullit të Parë ose pas migrimit, dhe përhapet në periudhën persiane/helene (shih Levine, 2000; Grabbe, 2007). Autorët e tekstit të historisë preferojnë të projektojnë në retrospektivë fakte të mëvonshme, që nuk ngjan aspak rigoroze, për të mos thënë që kjo bujari kronologjike tingëllon e qëllimshme.
9. “…dhe e shpalli Jerusalemin ‘qytet të shenjtë’.”
Që Jeruzalemi u bë qendra fetare dhe politike e Judesë, kjo dihet. Kjo pasqyrohet edhe në reformat centralizuese të mëvonshme në shek. VIII-VII p.e.s. (2 Mbretërve 18; 22–23).
Por t’ia mveshim këtë drejtpërdrejt Solomonit është anokronizëm. Centralizimi i kultit në një vend të vetëm është më shumë produkt i reformave të Ligjit të Përtërirë sesa i shek. X p.e.s. (shih Römer, 2015; Grabbe, 2007).
10. “Hebrenjtë qenë populli i parë në botë që besonte te një zot i vetëm…”
Tërësisht e pavërtetë. Feja izraelite e shek. X-VIII p.e.s. është ende policentrike: Jahve është zoti kryesor, por ka prova për figura të tjera hyjnore. Mark S. Smith (2002) dhe Day (2002) e kanë vënë këtë standard. Monoteizmi i artikuluar (“nuk ka perëndi tjetër përveç meje”) del fuqishëm në traditat gjatë ose pas migrimit babilonas (shek. VI p.e.s.), pra më vonë se Davidi/Solomoni (shih Römer, 2015; Gerstenberger, 2001).
Ndërkohë, ka plot përpjekje më të hershme drejt një kulti unik, p.sh. Atenizmi i Akhenatonit në Egjipt (shek. XIV p.e.s.), që e ka trajtuar gjerë Jan Assmann (2012). Mund të debatosh nëse është “monoteizëm” i plotë, por kronologjikisht është më i hershëm. Formulimi më i saktë do të ishte “Tradita izraelito-judaike është dëshmia më e hershme e një monoteizmi që u bë i qëndrueshëm, i shkruar dhe që gjen jehonë në tri fetë abrahamike.”
11. “…Jehovai, i cili për ta është krijuesi i gjithçkaje dhe drejton të gjithë universin.”
Kjo është gjuhë e profetëve të migrimit dhe pas migrimit (Isaia 40-55), jo e shek. X p.e.s. Shih Römer (2015), Smith (2001). Atëbotë Jahve prezantohet si krijues universal dhe jo thjesht si zoti i Judës.
12. “Ata i dhanë njerëzimit për herë të parë besimin monoteist.”
Edhe ky pohim është i sforcuar dhe nuk qëndron. Ajo që mund të thuhet me ndershmëri shkencore është se monoteizmi biblik izraelit është tradita që ka pasur jehonë të madhe në historinë e feve botërore. Kjo pajtohet me sintezat historike të Grabbe (2007) dhe me analizat e Smith (2002).
Sa u tha më sipër, teksti bën tri gjëra të papranueshme për një libër shkollor:
1. Ngatërron traditën me shkencën. Pretendon se “hebrejtë erdhën nga Mesopotamia” sikur të kishim burime historike për këtë, ndërkohë që kjo është thjesht narrativa e Zanafillës dhe shumica e historianëve seriozë e shohin formimin e Izraelit si zhvillim të brendshëm në Kanaan, jo si migrim masiv nga Mesopotamia.
2. Bën anakronizëm ideologjik. I vendos shek. X p.e.s. një monoteizëm të plotë (“populli i parë në botë që besonte te një Zot i vetëm”), kur e dimë që monoteizmi izraelit konsolidohet shumë më vonë, në periudhën e migrimit dhe pas migrimit. Pra, tekstin nuk e ka shkruar dikush që njeh literaturën bashkëkohore mbi Izraelin e lashtë, por dikush që riprodhon një narrativë fetaro-nacionale.
3. E paraqet këtë si të vetmen të vërtetë. Fëmijët nuk marrin asnjë sinjal se ka burime të ndryshme, se arkeologjia ka kufizime, se Biblën e trajtojmë si burim, jo si kronikë të paprekshme. Pra, fëmijët tanë po mësojnë propagandë, jo shkencë. Për këtë janë përgjegjës autorët, redaktorja shkencore, shtëpia botuese dhe Ministria e Arsimit që e ka lejuar të qarkullojë.
Ky nuk është gabim i vogël didaktik. Përkundrazi, është ose mungesë serioziteti profesional, ose përdorim i tekstit shkollor për të futur në kokën e fëmijëve një narrativë ideologjike të një shteti modern. Të dyja janë të papranueshme.
Teksti duhet ndryshuar menjëherë dhe ribotuar me një version që ndan qartë traditën biblike nga rindërtimi historik. Personat në zinxhirin e përgjegjësisë, duhet të mbajnë përgjegjësi për kalimin e një materiali jo-shkencor në një tekst kombëtar. Mungesa e rigorozitetit (në rastin më të mirë) ose futja e qëllimshme e një narrative propagandistike (që duket më afër asaj që shohim) janë të mjaftueshme që këtyre njerëzve t’u rishikohen mandatet, titujt dhe rolet akademike. Unë nuk i njoh personalisht autorët dhe ekipin, nuk e di sa aktivë janë në kërkimin shkencor në vend, por kjo pikërisht e bën problemin më të rëndë: nuk mund t’u japim fëmijëve libra historie të shkruar jashtë standardit historik.
Referenca:
1. Assmann, J. (2012). The price of monotheism. Stanford University Press.
2. Day, J. (2002). Yahweh and the gods and goddesses of Canaan. Sheffield Academic Press.
3. Dever, W. G. (2003). Who were the early Israelites and where did they come from? Eerdmans.
4. Dothan, T., & Dothan, M. (1992). People of the sea: The search for the Philistines. Macmillan.
5. Faust, A. (2006). Israel’s ethnogenesis: Settlement, interaction, expansion and resistance. Equinox.
6. Finkelstein, I. (1988). The archaeology of the Israelite settlement. Israel Exploration Society.
7. Finkelstein, I., & Silberman, N. A. (2001). The Bible unearthed: Archaeology’s new vision of ancient Israel and the origin of its sacred texts. Free Press.
8. Grabbe, L. L. (2007). Ancient Israel: What do we know and how do we know it? T&T Clark.
9. Killebrew, A. E. (2005). Biblical peoples and ethnicity: An archaeological study of Egyptians, Canaanites, Philistines, and early Israel 1300–1100 B.C.E. Society of Biblical Literature.
10. Levine, L. I. (2000). The ancient synagogue: The first thousand years. Yale University Press.
11. Miller, J. M., & Hayes, J. H. (2006). A history of ancient Israel and Judah (2nd ed.). Westminster John Knox.
12. Noll, K. L. (2012). Canaan and Israel in antiquity: A textbook on history and religion (2nd ed.). T&T Clark.
13. Provan, I., Long, V. P., & Longman, T. (2003). A biblical history of Israel. Westminster John Knox.
14. Römer, T. (2015). The invention of God. Harvard University Press.
15. Smith, M. S. (2001). The origins of biblical monotheism: Israel’s polytheistic background and the Ugaritic texts. Oxford University Press.
16. Smith, M. S. (2002). The early history of God: Yahweh and the other deities in ancient Israel (2nd ed.). Eerdmans.